Komisioneri Europian i Zgjerimit Stefan Fyle ka pershendetur marrëveshjen e arritur për Reformën Elektorale dhe inkurajon palet te vijojne dialogun per plotesimin e gjithe detyrimeve per ne BE.
“Qoftë mazhoranca dhe opozita duhen vlerësuar për këtë marrëveshje, ashtu si dhe puna e mirë teknike e përfunduar. Nëse Kodi Elektoral miratohet javën e ardhshme sic është planifikuar kjo do të përbënte një hap të rëndësishëm përpara për përfundimin e marrëveshjes politike të nëntorit. Reforma elektorale nuk është vetëm një nga prioritetet kyce të opinionit të KE, por është edhe esenciale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2013”-thuhet në këtë deklaratë, cituar nga “News 24”.
Sipas Fyle, mazhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të ndërtojnë mbi këtë zhvillim të mirë dhe të thellojnë më tej dialogun politik dhe bashkepunimin për të përfunduar punën e nisur në prioritetet e tjera kyçe të opinionit të Komisionit Europian dhe të arrijnë një masë të konsiderueshme rezultatesh brenda vjeshtës.
“Reformat ne sundimin e ligjit përbëjnë një faktor kyc për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE. Në këtë kuadër votimi për heqjen e imuniteteve në përputhje me standartet europiane do të ishte një element i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Inkurajojmë të gjitha palët që të kontribuojnë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim dhe të tregojnë një qëndrim konsotruktiv”-përfundon deklarata.
© Panorama.al











