Dje, gjatë takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE
Komisioneri i Zgjerimit në KE kërkon mbylljen e reformës zgjedhore dhe parlamentare.
“Jemi të shqetësuar pse nuk janë përmbushur afatet”
Komisioneri për Zgje-rimin në Komisionin Europian, Stefan Fyle, deklaroi dje se maxhoranca dhe opozita kanë kohë deri në datën 24 maj, për të miratuar me konsensus reformën zgjedhore dhe atë parlamentare.
Përfundimi i dy reformave, të cilësuara si kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat, sipas Komisionerit Fyle duhen miratuar para nisjes së procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit shqiptar. Këtë mesazh Komisioneri i Zgjerimit e përcolli dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Sipas Fyles, Shqipëria nuk ka më kohë dhe duhet të punojë fort për plotësimin e 12 kritereve, në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat. “Finalizimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare në kohë është shumë i rëndësishëm. Ne jemi të shqetësuar se këto reforma nuk janë përmbushur brenda afateve. Di që diskutimet vijojnë dhe se ka angazhim për finalizimin e tyre. Tashmë është në dorën e partive politike në Shqipëri që gjithçka të përmbyllet me sukses. Siç thashë edhe në Tiranë, gjatë vizitës sime në fillim të muajit maj, është shumë e rëndësishme që marrëveshja e nëntorit të finalizohet para se të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit, më 24 maj,” u shpreh Fyle. Gjatë takimit të zhvilluar me tre përfaqësuesit shqiptarë, zëvendëskryeministrin Edmond Haxhinasto, ministren e Integrimit Majlinda Bregu dhe kryetarin e Komisionit të Integrimit Ditmir Bushati, Komisioneri Stefan Fyle ripërsëriti qëndrimin se Presidenti i ri duhet zgjedhur në përputhje me frymën kushtetuese. Qëndrimi
Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto deklaroi dje se afati 10-ditor për mbylljen e këtyre reformave është më se i mjaftueshëm, nëse do të ketë vullnet politik. “Reformat janë në progres dhe kemi zhvillime pozitive që nga nëntori i kaluar. Afatet janë të rëndësishme dhe duhen respektuar. Ne jemi të angazhuar plotësisht për përmbushjen e kritereve,” u shpreh Haxhinasto. Ndërkohë, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu u zotua dje në Bruksel, se maxhoranca është e gatshme të pranojë propozimin e opozitës, që për Presidentin të votohet në mënyrë të fshehtë dhe me zarf.
Imuniteti Heqja e imunitetit për ministrin e Integrimit, Majlinda Bregu, mbetet një nga pikat e rëndësishme për të realizuar në kuadër të luftës ndaj korrupsionit. Dje, ministrja Bregu deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, se maxhoranca është e gatshme të votojë çdo iniciativë për të mundësuar heqjen e imunitetit. Sipas Bregut, të djathtët mbeten të hapur për të bashkuar votat me opozitën.
21 janari Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit, përfaqësuesit e lartë dolën dje në një qëndrim të përbashkët, ku vlerësuan rivendosjen dialogut midis maxhorancës dhe opozitës. “Këshilli SA përshëndeti marrëveshjen politike të nëntorit 2011 dhe rivendosjen e bashkëpunimit parlamentar dhe dialogut politik ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës, çka bëri që agjenda e reformave të shënojë progres inkurajues. BE-ja nënvizoi se ngjarjet e 21 janarit duhet të ndiqen me një proces gjyqësor të përshtatshëm, me hetim penal të plotë dhe të pavarur që të finalizohet me ndjekje penale dhe dënime të duhura”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ambasadori i OSBE: Mund të krijohen ç’rregullime e bllokime
Volfarth: Nuk ka kohë për numërimin elektronik të votave
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, deklaroi dje se numërimi elektronik dhe identifikimi i kartave të identitetit në zgjedhjet e 2013-s nuk mund të realizohet për shkak të kohës së pamjaftueshme. Kreu i OSBE-së përkrahu deklaratën e bërë ditë më parë nga ODIHR, që e cilëson si të pamundur përfshirjen e numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë një interviste për “AS”, ambasadori i OSBE-së vlerësoi punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, por theksoi se akrepat e orës kanë lëvizur me shpejtësi. “Kur fut në përdorim një sistem të ri që kërkon marrjen e hapave kompleksë, këtyre hapave u duhet dhënë koha e nevojshme, duke krijuar kështu gradualisht edhe kapacitetet për instalimin e një sistemi të tillë kompleks. Dhe koha për këtë, duke iu kthyer sërish akrepave të orës, po ecën, gjërat po ndryshojnë, dhe duhen ndërmarrë shumë hapa finalizues për vënien në zbatim të këtij sistemi edhe këtu në Shqipëri. Pra, ajo çka bëri ODIHR-i, ishte dhënia e një këshille bazuar në përvojën e tij, për të garantuar sukses. Suksesi është ajo çka meriton Shqipëria, suksesi është ajo që u nevojitet qytetarëve shqiptarë. Kjo është gjithashtu edhe ajo çka do t’i nevojitet edhe Parlamentit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të mos pasur përsëri çrregullime dhe bllokime”, pohoi Volfarth.