
Komisioneri për Zgjerimin i shkruan Berishës dhe Ramës.
“Kreu i shtetit të zgjidhet sipas frymës së Kushtetutës”
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjes së Presidentit, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i ka dërguar një letër Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Në letër, një pjesë e së cilës është siguruar nga “Top Channel”, thuhet se Brukseli kërkon zhvillimin e një procesi sipas frymës së Kushtetutës. Për këtë qëllim do të vijë në Tiranë javën e ardhshme edhe drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino. “Dëshira e Brukselit ka qenë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas germës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet e të mos krijohen probleme shtesë. Ne do të dëshironim që zoti Sanino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet”, thuhet në letër. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se në letër janë të njëjtat mesazhe të dhëna nga Brukseli kohët e fundit sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Sanino
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino, do të vijë të enjten e ardhshme në Tiranë. Vizita e zyrtarit të lartë të Bashkimit Europian në vendin tonë pritet të zhvillohet tri ditë pasi në Parlament të jetë konsumuar raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit, i cili, deri tani nuk duket të jetë shumë produktiv. Gjatë vizitës njëditore në vendin tonë, Sanino do të zhvillojë takime me Kryeministrin Sali Berisha, kreun e PS-së, Edi Rama, Presidentin Bamir Topi dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Idrizi takon Ramën: Palët të ulen për President konsensual
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka pasur dje një ditë të ngjeshur takimesh dhe negociatash me krerët e disa partive politike. Fillimisht, gjatë orëve të paradites, kreu i PDIU-së u pa në një takim me kandidatin e maxhorancës për President, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Ky i fundit sapo kishte përfunduar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi mes Idrizit dhe Zaganjorit zgjati rreth 40 minuta dhe në përfundim të tij nuk pati asnjë prononcim për mediat. Në përfundim të këtij takimi, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u takua për rreth 60 minuta me kryetarin e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa. Ish zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i PD-së, tashmë në një parti të re, u shpreh pak ditë më parë se mbështet një kandidaturë konsensuale. “Vota ime si përfaqësues i Frymës së Re Demokratike do të jetë një votë në funksion të interesave të vendit dhe të objektivit të integrimit në BE, dhe në asnjë rast nuk do të bëhet pjesë e lojërave politike, të cilat shkojnë ndesh me këto interesa”, është shprehur Oketa. Gjatë pasdites, kreu i PDIU-së është takuar në periferi të Tiranës me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe ky takim ka zgjatur rreth 60 minuta, por pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij. Gjatë takimeve të ditës së djeshme, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kërkuar që palët të ulen në negociata, duke pasur parasysh edhe një takim mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Topi: Politikanët të jenë më konkretë
Presidenti Bamir Topi ka shfrytëzuar festën e fëmijëve për t’i dhënë një tjetër mesazh klasës politike nga Pallati i Brigadave. Kreu i shtetit u ka bërë thirrje politikanëve që të mos humbasin kohë me komunikime të gjata dhe pa fryt, por të jenë sa më konkret. “Më pak humbje kohe për komunikime shumë të gjata, pa fryt, sikurse jemi mësuar të shikojmë, më konkret, më realizues, sepse në këtë mënyrë do të ndihen mirë të gjithë, në funksion të shtetit shqiptar, të institucioneve dhe të mbarë shoqërisë shqiptare!”, u shpreh Topi.











