
Përcjellin të shara mes njëri-tjetrit në Facebook, rrezikojnë jetën dy adoleshentë. Dy djem të moshave 15 e 16 vjeç kanë marrë plagë të rënda, sepse u qëlluan me thikë nga një 17-vjeçar, pas një sherri në faqen e rrjetit social.Këtë fakt e bën të ditur policia e Durrësit nga hetimet e para të kryera për ngjarjen e rëndë, që tronditi zonën e Spitallës mbrëmjen e djeshme. Mësohet se në sherr janë përfshirë më shumë se dhjetë minorenë e adoleshentë. Përplasja mes tyre u shënua në një nga pikat e internetit në zonën periferikë të Spitallës në Durrës, në lagjen numër 15 të qytetit. Violent Shtylla, 15 vjeç dhe Denis Halili, 16 vjeç, janë transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi plagët e marra në trup i kanë vënë në rrezik serioz jetën. Nga goditja, thika i ka depërtuar të parit deri në afërsi të zemrës, ndërsa të dytit mësohet se i ka prekur shtyllën kurrizore. Nisur nga gjendja e tyre, mjekët e Spitalit të Durrësit kanë bërë transportimin e adoleshentëve drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Ndërkohë, policia e Durrësit ka ndaluar si personin e dyshuar për plagosjen e rëndë 17-vjeçarin F.P., banor i Lagjes numër 15. Hetimet e kryera nga policia flasin për një ngjarje të shënuar rreth orës 20:00, në një nga pikat e internetit në Lagjen numër 15 të qytetit. Më shumë se 10 persona janë përfshirë në përleshje me grushte, thika, kaçavida e mjete të tjera rrethanore. Kanë qenë shumë kalimtarë e qytetarë të cilët janë bërë dëshmitarë të rrahjes, fjalorit kanosës dhe dhunimeve fizike mes minorenëve e adoleshentëve. Sherri kishte nisur pak ditë më parë për t’u mbartur natën e kaluar në pikën e internetit. Të dëmtuarit mësohet se kanë replikuar në faqen e rrjetit social “Facebook” me autorin e krimit, duke shkëmbyer fjalë fyese. Madje, ata kanë lënë si pikë takimi pikërisht lokalin e internetit, ku dhe janë përfshirë në sherrin masiv. Në kohën kur 17-vjeçari është futur në pikën e internetit, ka nisur të kapet me fjalë me personat që i kishin bërë e-mail në Facebook. Për shkak të acarimit të marrëdhënieve mes tyre, askush nuk ka ndërhyrë duke lënë sherrin të degradojë. 17-vjeçari F.P., gjithnjë sipas policisë së Durrësit, ka dalë nga lokali dhe është kthyer disa minuta më pas me një mjet të ftohtë në dorë. Policia e Durrësit ka pohuar se ky shtetas kishte marrë në banesë një thikë dhe me ndihmën e disa shokëve të tij ka hyrë në pikën e internetit për t’u përleshur me djemtë që e kishin fyer në internet. Kaq ka mjaftuar për të bërë që situata të dalë jashtë kontrollit. Pasojat kanë qenë fatale, pasi shtetasit Violent Shtylla dhe Denis Halili janë qëlluar me thikë në pjesën e parme të trupit dhe në kurriz. Shtylla është qëlluar në kraharor dhe mjekët dyshojnë që maja e thikës i ka prekur murin e zemrës, kurse Halili ka marrë një të goditur në pjesën e kurrizit. Policia ka arrestuar agresorin dhe ka shoqëruar në mjediset e veta disa të rinj për të zbardhur krimin e rëndë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











