Fusnota, Kosova synon 36 mekanizma rajonalë

Feb 27, 2012 | 12:33
Hashim Thaçi

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë, që hapi shumë debate në vend, qeveria e Kosovës pretendon ta anëtarësojë vendin në 36 organizata dhe mekanizma rajonalë. Fusnota e re, përveç emrit të shtetit, përmban edhe Rezolutën 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se synimi i qeverisë është që procesin e anëtarësimit të mos e kornizojë vetëm në kontekst rajonal, por të zgjerohet edhe në nivel europian dhe ndërkombëtar. Por, marrëveshja nuk pranohet nga asnjë parti opozitare brenda Kosovës. Kundërshtarja më e fortë e saj është Lëvizja Vetëvendosje. Në ditën e parë të mbledhjes së nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend mbi këtë marrëveshje, Vetëvendosje arriti të mbledhë rreth 7500 firma. Duhen dhjetë mijë të tilla që Kuvendi të pranojë të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për një temë të caktuar, kërkuar nga çdo parti e pranishme. Kjo është zgjedhje e dytë, nëse pala kërkuese nuk arrin të mbledhë 40 nënshkrime nga deputetët. Kërkesa e Vetëvendosjes është: Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë.

© Panorama.al

Te lidhura