Fushë-Krujë, busti i Bushit me gabime

Jul 7, 2011 | 11:25
Busti i ish-presidentit Bush në Fushë-Krujë

FUSHE-KRUJE – Në mes qindra banorëve të Fushë Krujës, por me disa ditë pasi ka kaluar 4-vjetori i vizitës së ish-Presidentit amerikan Xhorxh Bush, Bashkia e këtij qyteti ka inauguruar statujën në nderim të tij. Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe kryeministri Berisha, i cili deklaroi se “proamerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët në rolin shpëtimtar të SHBA-së në momentet më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit, si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë. “Ne shprehim nderimin më të madh për Presidentin Xhorxh W. Bush, për qeverinë e SHBA-së, për Presidentin Obama. Do të bëjmë çdo gjë që  të përmbushim detyrimet tona si vend anëtar i Aleancës së Veriut, do të bëjmë gjithçka që të zgjerojmë çdo ditë e më shumë liritë e qytetarëve shqiptarë”, ka përfunduar fjalimin kryeministri Berisha. Por, nga të pranishmit duket se ka kaluar pa u vënë re pllakata e shkruar gabim. “Xhorxh W Bush, mik i madh i shqipëtarëve”, është shënuar aty, duke iu shtuar një “ë” më tepër. r.n

© Panorama.al

Te lidhura