Duke u përshtatur ditëve tona një shprehje të goditur të Spinozës, mund të themi se “jemi duke jetuar edhe në politikë kohën e pasioneve të trishta”. Jemi që të gjithë, qytetarë e intelektualë, pjesëtarë ose jo të shoqërisë civile, administratës publike apo asaj private, të interesuar dhe angazhuar me shpresë, e deri me optimizëm, që më në fund edhe Shqipëria ta fitojë atë status tash të bërë të “bekuar”. E vë në thonjëza fjalën të bekuar, sepse besoj se raportimi apo fokusimi i të gjitha debateve të nxehta politike është përqendruar te statusi prej vitesh, e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të përqendrohen tek ai. Absolutisht e kuptueshme dhe e vlerësueshme, por në radhë të parë harrohet që e gjithë kjo është një detyrim që klasa politike ua ka bashkëkombësve të vet, pra pika e referimit duhet të jenë pikërisht këta qytetarë të Shqipërisë dhe e ardhmja e Shqipërisë në këtë 100-vjetor.
Shpresoj se po të çlirohemi nga gjithë ky tension dhe ngërç referimi, do ta kemi më të lehtë ta gjejmë fillin shpjegues të asaj çfarë po na ndodh. Dua ta parashtroj që në fillim se jam rreshtuar në krahun e optimistëve në lidhje me qëndrimin që opozita do të mbante për heqjen e imunitetit më 6 gusht. Shpresova se zëri i arsyes do ta kthjellonte dhe ajo më në fund do të bënte një “lojë taktike” në interes të vet: të votonte dhe t’ia linte qeverisë pjesën tjetër të mbetur të detyrave të shtëpisë që na ndajnë nga integrimi. Se duhet të jesh shumë budalla të mos kuptosh se nuk ka forcë politike që ta dëshirojë më shumë marrjen e statusit sesa qeverisja dhe maxhoranca që është në fuqi. Po kështu, duhet të jesh shumë budalla të mos kuptosh se qeveria është gati të bëjë (e besoj ta ketë bërë) çdo lëshim të mundshëm brenda fuqive që i lejon statusi dhe formacioni i saj politik, për të fituar konsensusin e opozitës, çka do t’i lejonte mjaft shanse në fitimin e statusit. Por përballë këtij arsyetimi, duhet të jesh po kaq budalla të mos besosh se në marrjen e statusit, ajo çfarë ka gjithçka për të humbur është pikërisht opozita. Mirëpo, këtu fillon e dyzohet vija logjike e arsyetimit. Opozita nuk mund të jetë kurrsesi vetëm në funksion të strategjive elektorale? Raporti i opozitës është parësisht me elektoratin e vet, e pastaj me zgjedhjet si pikë referimi? Raporti i opozitës është parësisht me Shqipërinë dhe ekonominë e saj, dhe pastaj me zgjedhjet? Këtë mjegullnajë e këtë dyzim, që s’po na kthjellohet kurrë, kemi vite të tëra që po e shohim të thurur nga përfaqësuesit e opozitës, gati në çdo ligjërim të tyre, brenda e jashtë Kuvendit. Dyzim që shoqëroi çdo veprim apo reagim në negociatat për zgjedhjen e Presidentit. Dyzim në të gjitha kërkesat absurde dhe maksimaliste, në fillim, që nisën debatet për Kodin. Po ky dyzim mbizotëron edhe në qasje: jemi pro heqjes së imunitetit, por… na duhet të diskutojmë një paketë kushtetuese më parë. Jemi pro biznesit, por… do të anulojmë çdo biznes të paligjshëm që ka marrë koncesion të këtij apo atij lloji (Të mos harrojmë se kjo mjegullnajë pasthirrmash u hap edhe në çeljen e investimeve, e po vazhdon pa asnjë rast të denoncuar, edhe sot kur më shumë se 70 HEC-e kanë përfunduar). E vargu i gjatë i pohimeve në pjesën e parë të fjalisë dhe kushtëzimeve në pjesën e dytë s’ka pasur fund për çdo lloj çështjeje, edhe më elementaren, të diskutuar midis dy palëve. Po ç’kuptim kanë këto thirrma e pasthirrma kundër vjedhjeve dhe abuzimeve apo shkatërrimeve të pasurisë kombëtare, të ngrihen në flamuj të valëvitur si pengesë për marrjen e statusit? Sa herë që kërkohet apo diskutohet një pikë e tillë, fillon masakrimi i punës së qeverisë. Kjo është detyra më e parë e çdo qeverie kur të vijë në pushtet, të zbatojë e kontrollojë ligjin. Nuk ka pse quhet fare as si flamur beteje e as si vlerë morale apo intelektuale për t’u trumbetuar, është thjesht një rrjedhim i sistemit ligjor që dënon këdo që ka abuzuar.
Po të shkosh pak më thellë, kupton se në thelb është refuzimi radikal i opozitës, por që në sytë e opinionit publik kërkon të mbulohet me një vel, çka na e bën të perceptueshëm atë si një dyzim. Atëherë kuptohet se gjithçka kërkon të mjegullohet me ndjenjën e frikës dhe pasigurisë të ngritura në sistem, për t’u përdorur si armë e fortë për zgjedhjet. Flitet për integrimin, por gjithmonë kujtohet se edhe 10 muaj na ndajnë nga zgjedhjet. Atëherë kuptohet fare qartë se problemi nuk është integrimi, por janë zgjedhjet. Si nuk u ndanë vallë, për asnjë pikë të detyrave, këto dy çështje? Si nuk u fol njëherë qartë, shkurt, kthjellët, me pohim apo mohim? Kam frikë se do të vijojë gjithmonë sistemi i “por…”, pas çdo por se, dhe sistemi i britmave, pas çdo të drejte që ta jep ligji. Veçse, i gjithë opinioni publik është aq i lodhur nga zvarritjet, aq i etur për qartësi, shpresë e për veprime konkrete. Por jo, këto nuk arrijnë edhe atëherë kur besonim se e kishim mbyllur një problem apo një kapitull të politikës. Le të marrim nja dy shembuj. Presidenti i Shqipërisë u zgjodh në një mënyrë që s’i pëlqeu opozitës, por gjithsesi të ligjshme e institucionale. Në një situatë qartësie dhe kthjellje, shtensionimi merr fund dhe pritet që ai të respektohet e të ndihmohet Presidenti nga të gjitha forcat e politikës ku opozita socialiste ka rolin e saj te madh, sepse është në të mirë të rritjes së autoritetit të institucioneve. Kur pa kaluar as një muaj nga puna, për një vendim, që është krejtësisht në vullnetin dhe kompetencën ligjore të Kryeministrit dhe në juridiksionin e tij administrativ, siç është emërimi i kryetarit të ri të SHISH, zotit Visho Ajazi-Lika, ai goditet dhe etiketohet pa dinjitetin dhe moralin minimal politik që duhet të ketë opozita ndaj kreut të shtetit, duke e quajtur pa të drejtë kryetarin e ri të SHISH si pjesë të trashëgimisë negative të këtij shërbimi. U fol në formë çoroditëse për një alarm revoltues të faktorit perëndimor që asiston në Shqipëri e sidomos prej aleatëve amerikanë dhe anglezë mbi këtë emërim, sikur Shqipëria me këtë rast kishte themeluar një kurs të ri antiperëndimor dhe antidemokratik. Por që nuk i korrespondoi të vërtetës, kjo u vërtetua shumë shpejt, kur ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Arvizu, u shpreh qartë dhe mjaft mirëkuptues mbi këtë emërim. Atëherë, ç’respekt për institucionet mund të presim nga njerëz të tillë, kur të vijnë në pushtet, kur nuk e bëjnë një gjë të tillë edhe atëherë kur duhet? Pse duhet të mbillet me çdo kusht fryma e fatalizmit, kërcënimit dhe pesimizmit radikal për gjendjen e shtetit shqiptar si të kapur gjer në grykë? A s’është dhe kjo një fushatë frike që sheh përkah zgjedhjet e ardhshme? Pse duhet të paragjykohet dhe të etiketohet, në vijim, ende pa hapur gojë a pa vënë këmbën në institucion kryetari i ri i SHISH-it, në një kohë kur letrat e tij qenë krejtësisht akademike dhe plot integritet? Pse nuk lihen njerëzit të punojnë e të shprehin kapacitetet, e pastaj të gjykohen? Ç’siguri perceptimi, moral dhe administrativ, mund të ketë një opozitë e tillë me këtë qasje ndaj administratës? Por edhe këtu besojmë se llogaritë janë bërë, jo për tani, jo për një person a për një tjetër, as për një institucion, druaj as edhe për ndonjë pikë të detyrave të statusit: llogaritë janë bërë e do të bëhen për zgjedhjet e ardhshme duke alarmuar militantët. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se një strategji e tillë do të pikëllonte edhe më optimistin e shqiptarëve. Nëse sot qytetarët duken të kenë humbur shpresën në statusin e integrimit si faktor transformimi, që politika mund t’ia “dhurojë” shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, sidomos në këtë kohë krize, kjo qëndron në faktin se ndjenja mbizotëruese e kohës sonë është bërë frika dhe pasiguria që ka shkaktuar e shkakton moskonsensusi i opozitës për disa nga detyrat që duhen zgjidhur bashkërisht në realizimin e detyrave për marrjen e statusit, gjë që i pengon njerëzit të kenë besim te ndryshimi dhe i gozhdon paksa të gjithë në një lloj pesimizmi, pafuqie dhe dorëzimi pasiv. Bëhet kështu gjithnjë e më e qartë se frika apo pasiguria e kudombjellë nuk janë vetëm kategori psikologjike, por kategori të vërteta politike, të parasupozuara nga ana e opozitës si kalë galopues beteje për fitimin e zgjedhjeve të ardhshme. Në një kohë kur kali i vetëm fitues, në të gjitha kohët e në të gjitha strategjitë është alternativa, programi (e këto jo të trumbetuara në ajër), por të demonstruara me shembuj konkretë, individualë, të përditshëm, qofshin edhe akuza, denoncime, marrëveshje, referendume, e kështu me radhë. Gjëra të tilla presim nga opozita, që ta fitojë atë sinqertë e me mos-hipokrizi, që s’e ka shprehur dot ashtu si duhej deri tani.
© Panorama.al












