Fushaj: S’toleroj gabime, dua fitore e kualifikim

Jul 7, 2011 | 10:35

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, kërkon maksimumin nga ekipi i tij në takimin e sotëm përballë maltezëve të Birkirkarasë. Për presidentin nuk bëhet fjalë që ekipi të gabojë, kur tashmë kanë prekur me njërën dorë turin tjetër. Ajo që kërkon ai është impenjimi maksimal nga të gjithë lojtarët dhe stafi drejtues. “Unë kërkoj nga skuadra që të tregojë maksimumin në fushën e lojës, se vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në turin tjetër. E kam theksuar se, për të qenë në turin tjetër, duhet të luftohet njëlloj në të dyja takimet. Këtë impenjim e kërkoj edhe nga stafi drejtues. Mendimi im është se ne kemi forca për të qenë në turin e dytë dhe besoj se do të arrijmë një gjë të tillë, por, për të menduar për turnin, është ende herët. Nuk duhet të bëjmë hapa të gabuara, sidomos në këto moment kur kemi një rezultat të favorshëm në dorën tonë”, është shprehur presidenti Fushaj. Pavarësisht se shkodranët e kanë menduar disi më të lehtë kundërshtarin e radhës, për Fushajn ai nuk është aq i lehtë sa ishte menduar. Presidentin Fushaj duket se e ka mahnitur jo pak loja e mirë e ekipit, sidomos në mesin e fushës, por ashtu edhe në repartin e mbrojtjes.

© Panorama.al

Te lidhura