Furtuna e një sajese dhe opozita

May 10, 2012 | 11:49

DASHNOR SULA

Gjithë këto ditë, që prej së shtunës, një furtunë e rrejshme shpifjesh e ushqyer me helmin e inateve politike, u ngrit nga asgjëja ndaj meje për të përfunduar detyrimisht në asgjë. Nuk do t’i shkruaja këto rreshta po të mos qe për dashamirësit e futbollit, qytetarët e qytetit tim, deputet i të cilëve unë jam dhe për të gjithë ata njerëz që me vite sakrifikojnë atë që mundin dhe me atë që ata mundin për pasione të tilla si futbolli. Këto ditë jam ndjerë shumë keq teksa shihja se mund të sajoheshin edhe gënjeshtra të tilla, kaq të mëdha, kaq të liga, duke fyer jo thjesht mua, por një klub futbolli, një komunitet njerëzish, një qytet të tërë. Kam menduar shumë herë se mendja që i frynte këtij zjarri sulmesh duhet të kishte diçka nga paranoja, marrëzia dhe urrejtja e Adolf Hitlerit. Ai ka thënë dikur mes viteve të rrokopujës së tij kriminale se gënjeshtrat duhet të jenë sa më të mëdha sepse vetëm ashtu mund të jenë më të besueshme. Atë të shtunë pasdite në Peqin unë kam qenë si gjithherë në stadium, kam gëzuar dhe jam mërzitur si përherë, kam duartrokitur, por edhe jam inatosur si gjithnjë. Kam biseduar me drejtues të ekipit të Vlorës, që ishte atë ditë në Peqin si kundërshtar i Shkumbinit, kam biseduar edhe me gjyqtarët, edhe përfaqësues të Federatës, edhe me njerëz të tjerë të futbollit. Detaje të të gjitha këtyre ndodhive janë të zakonshme jo thjesht në stadiumet tona, por në çdo stadium të botës dhe nuk kanë ndonjë interes përtej derës së stadiumit dhe përtej momentit kur ndodhin. Pa dyshim, shtypi sportiv, në përpjekje për të qenë interesant, merret edhe me to brenda kufijve të së vërtetës gjithnjë. Fill pak çaste pas ndeshjes dëgjoj të thuhet në media dhe në ambiente të tjera se Dashnor Sula ka qëlluar me armë, ka kërcënuar me plumba gjyqtarët.
Unë u kam një detyrim të madh të gjithë qytetarëve të Peqinit dhe komunave, të cilët për dy mandate më kanë dhënë privilegjin e madh të jem përfaqësuesi dhe shërbyesi i tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Unë në stadium shkoj si një prej atyre, si një prej secilit tifoz, si një prej secilit ndihmës, kontribuues, pjesë e grupit të njerëzve që sakrifikojnë për atë ekip, atë ekip të cilin të gjithë ne e duam shumë. Duke shkuar me këtë status, unë në stadium jo gjithnjë kam pasur sjelljen perfekte që do të duhet të kishte një anëtar i Parlamentit, nuk kam pasur sjelljen e admirueshme që do të duhet të kishte një përfaqësues i zërit, ndjesive dhe shqetësimeve të njerëzve në Parlament. Unë kam qenë një qytetar e një tifoz, dhe si i tillë kam brohoritur, jam dëshpëruar, gëzuar, duartrokitur me frenetizëm dhe jo me akademizëm. Të gjithë atyre qytetarëve që mendojnë se deputeti do të duhet të sillej në stadium ndryshe nga unë, ose edhe të mos shkonte fare në stadium, unë u kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të përmbush të gjithë atë që ata do të donin të shihnin te deputeti. Unë e di se atmosfera në stadium ka tjetër ngarkesë, unë e di se në stadiumin e Peqinit atmosfera është ekstremisht sportive, por edhe e ndezur, dhe kjo për shkak të kënaqësisë që i jep atij qyteti futbolli. Pa dyshim, edhe unë, si një prej qytetarëve të Peqinit në stadium, jam përfshirë nga kjo atmosfere, e kam përjetuar këtë atmosferë, por kurrë nuk kam prekur armë me dorë, kurrë nuk kam parë armë në duart e askujt në atë stadium dhe kurrë nuk do të pranoja të shihja armë në dorën e askujt në stadium. Sa për atë që ndodhi të shtunën, dua të them se ka qenë një ditë shumë më shumë e zakonshme se të tjerat. Unë nuk do të merrem më me përgënjeshtrime sepse Prokuroria e Elbasanit hodhi dritë mbi skëterrën që u ngrit që nga e shtuna dhe e davariti atë tym të zi urrejtje dhe shpifjeje që u prodhua nga fabrika idesh mediokre dhe dashakeqe. Prokuroria tha që nuk kishte as armë e as të shtëna dhe më duket se këtu mbyllet kjo sajesë. Dua të them diçka për përdorimin e shëmtuar politik të sajesës. Një deputet i opozitës, Fidel Ylli, dënoi sulmin me armë dhe tha se ndjehej i fyer që Dashnor Sula ishte deputet. Vetëm për faktin që përdori këtë sajesë, ky njeri nuk do të duhej të merrej seriozisht, por duke qenë se ky është pjesë e shpurës së asaj që na e kanë trumbetuar për politikë të re, duhet të them diçka. Tipari themelor i totalitarizmit është neglizhenca e fakteve. Lenini thoshte pa ndalur se “nuk më duhen faktet”. Unë, si njeri që ka punuar në sistemin e drejtësisë, e di se në doktrinën e së drejtës sovjetike nuk kërkohet të gjendet prova, nuk kërkohet fakti, por kërkohet të gjendet që i akuzuari i përket klasës tjetër, klasës me të cilën jemi në luftë. Dhe Fidel Ylli këtë bëri. Ai është simbolika e kësaj lufte sovjetike duke qenë se këtë gjë e ka zgjedhur edhe për emër, në nderim të kësaj kauze ai bart këtë emër, siç e ka pohuar vetë. Veç kësaj, ai përfaqëson më së miri edhe atë që Marksi e quante praxis, duke qenë se është edhe deputet, edhe ka shërbyer si bodigard. Lufta me sajesën u lartua deri edhe në narcizizmin qesharak të kryetarit të PS, Edi Rama. Ky vetëm pak çaste pas mbylljes së ndeshjes shkroi në Twitter se “Dash Sula gjuan me armë në stadium. Vetëm në Shqipërinë e Saliut ndodh kjo”. Pastaj foli për këtë edhe në një takim partie. E mjerë ishte e gjitha, por më e mjerë është ideja se ky njeri është kryetar i opozitës. Francois Miterrand tha dikur, kur një politikan hodhi akuza për një incident: “Mbylle gojën! Ose je idiot, ose e ke bërë vetë incidentin. Nuk mund të flasë një politikan për gjëra që i takojnë Prokurorisë apo gjykatave”. Rama këtë gjë bëri me aksidentin e të ndjerit Kosta Trebicka, këtë gjë bëri me mesazhet qe gjoja i vinin nga ish-të përndjekur, si rasti i të nderuarit Dodë Miri, këtë ka bërë pa ndalur. Ky është një mjerim i madh. Në fakt, kemi të bëjmë thjesht me një marksist të viteve 1910-1920, të cilët po konvertoheshin gradualisht në neomarksistë duke u ndikuar nga Frojdi. Jemi në Shqipëri në vitin 2012. Për ta mbyllur, dua të them se unë, ndryshe nga këta që helmatisin me shpifje gjithçka nga hiçi, gjithnjë i kam pranuar dobësitë e mia, po e bëj publikisht edhe në këtë shkrim. Unë gjithnjë kam besuar te gjërat që bëj dhe kam luftuar për to, jam udhëhequr më së pari nga zemra dhe kjo pa dyshim që në raste të caktuara të çon në gabime. Unë nuk besoj te njerëzit si qenie perfekte, nuk besoj se ata janë engjëj. James Madison, një prej themeluesve të Kushtetues amerikane, thoshte se po të ishin njerëzit engjëj, nuk na duhej asnjë ligj dhe nuk na duhej as qeveria e asnjë institucion tjetër. Prandaj është mirë të dëgjojmë dhe respektojmë institucionet, dhe në këtë rast vendimin e Prokurorisë.

© Panorama.al

Te lidhura