Fuqia politike e Polonisë, garanci për suksesin e Procesit të Berlinit

Dec 12, 2022 | 7:28
SHPËRNDAJE

ardit-gjinaliARDIT GJINALI

Presidenca e radhës po lake në Procesin e Berlinit  ka luajtur një rol thelbësor në fillimin e jetësimit të synimeve të përcaktuara në zanafillën e Procesit, në të njëjtën kohë përfaqësia polake i dha zë dhe shikueshmëri në vetvete Procesit përmes një shumëllojshmërie aktivitetesh të organizuara përkatësisht disa si forumet me shoqëritë civile të secilit vend të Rajonit, forumi i të rinjve apo dhe projekti i qyteteve…të tillat që pararendën Samitin e Poznanit më 2019.

Presidenca dinamike polake ishte inkurajimi për përshpejtimin e proceseve në një kohë kur skepticizmi, veçanërisht i tilli francez, kishte kaluar kufijtë teorikë të termit… një skepticizëm i bazuar në performancën e qeverive të vendeve të caktuara, përfshirë dhe atë shqiptare, gjithashtu. Nga ana tjetër, skepticizmi bazohej dhe merrte udhë si pasojë e një presioni në rritje të opinionit publik për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve nga vende të ndryshme të rajonit ku spikaste negativisht numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë.

Polonia është pjesë e Grupit të Vishegradit që përfshin Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Hungarinë, gjithashtu. Ky grup është një shembull i ndërveprimit dhe i bashkëpunimit përtej ndasive në çështje të caktuara të politikës së jashtme apo dhe në lidhje me Bashkimin Europian… ky organizëm mbetet një shembull apo model pozitiv për inkurajimin e Procesit të Berlinit… një organizëm që mund dhe duhet të vijojë dhe nëse kushtet e procesit të integrimit përmbushen, gjithashtu.

Polonia është shteti i duhur që mund të përcjellë përvojën pozitive të Vishegradit në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve dhe tejkalimin e dallimeve që pengojnë aktualisht vazhdimësinë.

Polonia është e vetmja fuqi politike e vendeve të Vishegradit që nuk ka asnjë problem politik të pazgjidhur me secilin prej vendeve të Rajonit… është fuqia politike që ka nënshkruar marrëveshje të veçuara me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë mbi asistencën në procesin e integrimit… është shteti që ka përcaktuar një agjendë të qartë ndihmuese mbi procesin e integrimit të vendeve të Rajonit… mbetet fuqia politike që luan një rol kryesor në nismën e quajtur “Tre Detet” që përfshin vendet e Deteve Baltik, të Zi dhe Adriatik- një nismë e krijuar në vitin 2015 në koherencë me miratimin e SHBA- ku mund të ndikojë pozitivisht në përfshirjen e secilit shtet në kuadër dhe të Procesit të Berlinit…pjesëmarrje që do të thotë përkatësisht mundësi për të dërguar projekte efektive,që në rast të miratimit përfshijnë lëshimin e fondeve.

Polonia është aktori politik raciona, që do të mundësonte një afrim të thelluar për sa i takon bashkëpunimit që tejkalon kufijtë politikë të Rajonit… lidhjet e hershme të Tregut Polak me të njëjtët e vendeve të Rajonit në fushat e turizmit apo dhe në lehtësimin e lëvizjes së profesioneve mbeten ndikues pozitivë që thërrasin rolin e shtuar të Polonisë në këtë proces. Në të njëjtën kohë, Polonia është një aktor politik me ekspertizë të dalluar, i angazhuar në nisma bashkëpunuese përkatësisht me Francën dhe Gjermaninë, i njohur si “Trekëndëshi i Vajmarit” apo nisma bashkëpunuese me vendet skandinave apo vendet e Baltikut, gjithashtu. Shumëdimensionaliteti i aleancave politike të Polonisë gjen si pikëtakimi aleancën e padiskutueshme me NATO dhe qëndrimi politik Polak gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë dëshmon vlerën pozitive të jashtëzakonshme gjeopolitike të Polonisë.

“Procesi i Berlinit” është një projekt politik, përtej faktit që bashkëpunimi ekonomik mbetet në themel të procesit… është një proces shqetësues për aktorë të tjerë që kërkojnë vonesa në Integrimin e Rajonit apo në thellimin e mosmarrëveshjeve në kufijtë e mos zgjidhjes tërësore mes vendeve të ndryshme të Rajonit… Rusia është aktori politik i investuar tërësisht në dështimin e Procesit të Berlinit dhe veprimi Rus thërret për një kundërveprim koheziv dhe të bashkërenduar të aleancës perëndimore.

Polonia është një aktor politik që do të inkurajonte kundërtrupat e nevojshëm politikë ndaj ndërhyrjes ruse si një proces politik kërkon pjesëmarrjen intensive në përmbajtje të aktorëve të rëndësishëm përtej Rajonit… Polonia është shembulli më i mirë ku gjeografia, pozita politike, vullneti pozitiv për zgjerim të BE, interesi ekonomik mbi tregun e rajonit, i dëshmuar në shkëmbimet tregtare dhe jo vetëm përbëjnë mozaikun pozitiv të një fuqie politike që do të inkurajonte Procesin e Berlinit në tërësinë e tij dhe do të pengonte ndërhyrjet frenuese ndaj të njëjtit, gjithashtu.

Zhvillimet e sotme gjeopolitike botërore thërrasin rolin në rritje të Polonisë përtej dyshimeve dhe kritikave të Bashkimit Europian mbi aspekte të jetës politike dhe shoqërore në vend. Koha nuk është për kompromis mbi standardet, por në të njëjtën kohë e tilla thërret për një aleancë të gjerë në rajone si i Ballkanit, ku ndërhyrja ruse mbetet një realitet që tejkalon shqetësimin politik… koha politike thërret për një ridimensionim të rolit politik të Polonisë në funksion të Integrimit të Rajonit. Procesi i Berlinit është momenti që garanton një përfshirje të thelluar politike të aktorëve të ndryshëm në kuadër të thellimit të rrugës perëndimore së vendeve të Rajonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura