
Tri viktima përgjakin rrugët nacionale në veri të vendit. Ngjarjet tragjike në akset kryesore po marrin përditë jetë njerëzish, kryesisht që nga fillimi i sezonit veror. Mbrëmjen e së shtunës, një oficer i Policisë kufitare të Muriqanit humbi jetën pas përplasjes me makinë e kryekomunarit të Koplik Qendër, në segmentin Shkodër-Hani i Hotit. Dy viktimat e tjera u regjistruan pasditen e djeshme në rrugën Laç-Fushë Krujë, si pasojë e goditjes mes dy makinave. Sipas Policisë së Lezhës, edhe 4 udhëtarë mbetën të plagosur rëndë. Aksidenti ndodhi në kryqëzimin e Mamurrasit, kur një automjet tip “Toyota” me targa KR 7440 A, që drejtohej nga Bashkim Farruku, 56 vjeç, u përplas me një BMW me targa AA 858 FR, i drejtuar prej 38-vjeçarit nga Elbasani, Ardit Kurrizi. Përplasja mes mjeteve ka qenë tepër e fortë e, për pasojë, kanë humbur jetën Kurrizi dhe Muharrem Farruku, 77 vjeç, i cili ishte pasagjer në mjetin tip “Toyota”. Nga ky aksident ka mbetur i plagosur rëndë Bashkim Farruku, i cili është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë, ndërsa gjithashtu janë plagosur, por jashtë rrezikut për jetën Jonida Kalemi, 26 vjeç nga Elbasani, si dhe Vera e Xhevrije Farruku, 54 dhe 62 vjeçe. Nga të dhënat e para pohohet se mjeti që drejtohej nga Ardit Kurrizi ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Tiranës, kur është goditur nga pas në mënyrë të befasishme nga makina e Bashkim Farrukut. Ngjarja e djeshme çoi në 3 numrin e viktimave në aksident brenda pak orësh. Në Shkodër humbi jetën në aksident oficeri i Policisë kufitare të Muriqanit Besnik Burgaj, 48 vjeç. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së shtunës në aksin nacional Shkodër-Hani Hotit, segmenti Shtoj i Ri. Makina “Benz” me targa AA 565 DH e Burgajt u përplas me një fuoristradë me targa MA 2249 B, që drejtohej nga kryetari i komunës Koplik Qendër, Isa Ramja. Nga përplasja e dy mjeteve, Burgaj ka humbur kontrollin e makinës, e cila doli jashtë rruge, duke përfunduar pak metra poshtë saj. Kjo ka qenë fatale për jetën e 48-vjeçarit, i cili ndërroi jetë pak orë më vonë në spital. Bluzat e bardha bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e të plagosurit Isa Rama paraqitet e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Policia ende nuk ka dalë në një version të saktë mbi shkaqet e ngjarjes, ndërkohë që së bashku me një grup hetimor të Prokurorisë së Rrethit Shkodër vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti. gj.f/r.d
DURRES
Mbytet një pushues në plazhin e Sektorit Rinia në Durrës. Sipas Policisë, personi i mbytur është Veli Selmani, 53 vjeç, nga Puka. Policia dhe peshkatarët e zonës, si dhe polumbarët po punojnë për gjetjen e trupit të personit, i cili rezulton i zhdukur që prej mesditës së djeshme. Mësohet se 53-vjeçari kishte ardhur për të kaluar fundjavën tek disa të afërm të tij në zonën ku dhe ka gjetur mbytjen. Sipas informacioneve të para, 53-vjeçari kishte hyrë për t’u larë në det, nga ku nuk ka mundur të dalë dot.











