Fundi i demagogjisë patriotike apo?

Jun 6, 2011 | 12:56

EMIN AZEMI

Në kohën kur ky tekst do të jetë në duart e lexuesve, dikush nga partitë politike do të ketë shpalosur ndonjë gjysmërezultat preliminar për t’i dhënë vetes lirinë e vetëshpalljes si fitues. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe s’ka pse të mos ndodhë edhe kësaj radhe. E rëndësishmja e këtyre zgjedhjeve është se ato kaluan në një atmosferë normale, me ndonjë parregullsi të vogël në disa vendvotime.
Nëpër rrugët e Shkupit, si asnjë herë më parë, ishin aktivizuar autobusë publikë urbanë për të bartur gratis të gjithë ata që do të votonin. Këto udhëtime pa pare i shfrytëzuan edhe ata që kishin dalë në “një udhë e dy punë”, paradite votim, pasdite shëtitje apo treg. Një zemërgjerësi e paparë e shtetit për ditën e zgjedhjeve, për ata që do të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin për katër vjet.
Pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje, sipas vlerësimit të vetë përfaqësuesve të partive, ka qenë e kënaqshme. Disa e komentuan këtë si angazhim elektoral në favor të partive opozitare. Pakënaqësia ndaj pushtetit i kishte nxitur ata të dalin më masovikisht se herëve të tjera. Por, rezultati përfundimtar do të dëshmoj se kush pati të drejtë – ata që i dhanë këto vlerësime, apo ata që pritën të qetë t’u konfirmohet rezultati i paralajmëruar në anketat publike.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe pati një konkurrencë më të madhe në mes të subjekteve politike shqiptare. Ndonëse asnjëra nuk pranoi të bëjë koalicion parazgjedhor, te disa prej tyre megjithatë është lënë e hapur mundësia e koalicionit paszgjedhor. Në një debat televiziv, liderët politikë shqiptarë gati ishin unanim për unifikimin e platformave që do të sillnin një kualitet të ri në cilësinë e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e shtetit. Por, kjo do të bëhet e qartë pas shpalljes së matematikës zgjedhore, me ç’rast saktësisht do të dihet pesha politike e tyre e dalë nga zgjedhjet.
Këto zgjedhje do të duhej të shënojnë një kthesë pikërisht në mënyrën e formimit të koalicionit qeverisës. Gatishmëria e përhershme e partive shqiptare për të marrë pjesë në qeverisje kësaj radhe do të duhej të merrte një dimension më të plotë, duke i dhënë kësaj gatishmërie një bazë më të gjerë përfaqësimi. Ato parti shqiptare që do të pranojnë vetëm të shkojnë në kabinetin e Gruevskit a Cërvenkovskit, pa ndonjë konsensus brendashqiptar, do ta kenë të lehtë të sigurojnë “biletën” e udhëtimit vetasgjësues në rrugën e mundimshme të përfaqësimit të shqiptarëve pa forcën  dhe vullnetin e duhur.
Praktika e deritanishme e margjinalizimit institucional të shqiptarëve me këto zgjedhje duhet të merrte fund.
Të cilësuara si të parakohshme, mbetet të shihet se sa këto zgjedhje do të arrijnë t’i eliminojnë disa probleme të gjithëkohshme në Maqedoni: papunësinë, varfërinë, dialogun dhe komunikimin normal politik, largimin e shtetit nga ndikimet e këqija ndërfetare e ndëretnike, zgjidhjen e kontestit me Greqinë, marrjen e datës për bisedime me BE, anëtarësimin në NATO etj. Nëse nuk arrihet të zgjidhen këto probleme, Maqedonia e ka të kotë që mban zgjedhje të parakohshme, aq më tepër kur çdo proces zgjedhor përkthyer në para, do të thotë varfërim i arkës së shtetit për disa milionë euro.
Maqedonia votoi për një të nesërme tjetër politike apo për vazhdimin e rrëfimit të njëjtë, mbetet të shihet. Shqiptarët kanë arsye më shumë që të presin nga këto zgjedhje që të ndodhë fundi i demagogjisë patriotike, i mbështjellë me fjalë të bukura.
Drejtor i gazetës “Fakti” në Maqedoni

© Panorama.al

Te lidhura