Fullani: Problem “refuzimi” i bankave për të blerë borxhin

Jul 13, 2012 | 14:14
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Ekonomia shqiptare është ndikuar nga ekonomitë e vendeve fqinje në mënyrë të dukshme, dhe kjo po reflektohet pas çdo faze të krizës së filluar në vitin 2008. Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, janë një sërë sfidash më të cilat rajoni përballet dhe që duhet të kihen parasysh. Vështirësia në të cilën gjenden Italia apo Greqia janë, pa dyshim, “kërcënim” për ekonominë tonë, madje për analogji të situatës, kreu i BSH ka kërkuar ndihmën e kinematografisë. “Për analogji, do të doja për përdorja titullin e filmit të paharrueshëm ‘Armiku te porta’ për të përshkruar situatën e rënduar në rajonin tonë, e veçanërisht në Shqipëri, si rezultat i gjendjes së vështirë ekonomike të fqinjës sonë jugore, Greqisë, si dhe të situatës në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Rreth 80% e shkëmbimeve tona tregtare dhe financiare kryhen me këto vende”, tha guvernatori. Sipas tij, nga ana e institucioneve janë bërë përpjekje maksimale për të ruajtur rritjen ekonomike, porse probleme të reja shfaqen çdo ditë. Një prej tyre, sipas Fullanit, është edhe “tërheqja” e grupeve bankare për të financuar qeveritë apo sektorin privat duke i blerë borxhin. Sipas Fullanit, që prej fundit të vitit të kaluar është vënë re një ulje e shpejtë dhe e konsiderueshme e ekspozimit të grupeve të huaja bankare ndaj borxhit privat dhe atij publik. Kjo, sipas kreut të BSH, nuk lidhej specifikisht me Shqipërinë, por me “strategjinë” që kanë ndjekur grupet në çdo vend si një praktikë për të qenë të sigurt. “Ky proces nuk u arsyetua mbi gjendjen në Shqipëri, por u imponua në mënyrë të papritur nga jashtë, duke krijuar vështirësi të konsiderueshme për financimin e borxhit publik, si dhe për konsumin privat dhe veprimtaritë e investimit”, tha Fullani. Të gjitha këto deklarata, guvernatori i bëri gjatë një fjale të mbajtur dje me rastin e 20-vjetorit të krijimit të institutit “Joint Vienna” në Austri. Konferenca e nivelit të lartë pritet që të mbyllet sot, në ditën e dytë të saj.

Sugjerimi
Në fjalën e tij dje, kreu i BSH theksoi së vendet duhet të bashkërendojnë politikat për daljen nga kriza. “Vërejmë se ekziston një nevojë e madhe për të lidhur politikat e mëparshme që lehtësuan flukset hyrëse të kapitalit në ekonomitë e rajonit me masa që do të siguronin vazhdimësinë e likuiditetit të nevojshëm në momentin që këto flukse ndalojnë ose ndryshojnë drejtim. Vendet tona duhet të përfitojnë marrëveshje ‘swap’ ose të ngjashme, me qëllim që të na mundësohet përfitimi i likuiditetit afatshkurtër në valutë”, tha Fullani.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura