
Norma e interesit të lekut do të vijojë të mbetet në nivelin më të ulët historik të saj prej 4.25 përqindësh. Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë, përveç nxitjes së kreditimit në vend, sheh një tjetër arsye pse norma e interesit duhet të mbetet në këto nivele, dhe kjo lidhet me krizën në shtetin fqinj. Prej kohësh Greqia ka hyrë në një periudhë pasigurie dhe çdo ditë e më shumë rreth saj bëhen deklarata për një falimentim të mundshëm apo për daljen nga eurozona. Në këtë situatë pasigurie për një nga shtetet me të cilat Shqipëria ka lidhjet më të mëdha tregtare, Banka e Shqipërisë ka gjykuar se ky moment mund të mos jetë i përshtatshëm për të lëvizur normën e interesit. “Këshilli i Mbikëqyrjes e lë normën bazë të interesit në nivelin e saj më të ulët historik, duke ruajtur kështu natyrën e fortë stimuluese të politikës monetare, në mbështetje të kërkesës agregate dhe të rritjes ekonomike. Në të njëjtën kohë, ky vendim reflekton pasigurinë e shtuar që vjen nga ambienti i jashtëm i ekonomisë, dhe veçanërisht nga zhvillimet në Greqi”, u shpreh në fjalën e tij dje guvernatori Ardian Fullani. Por, çfarë efektesh mund të kishte një ndryshim në normën e interesit? Në periudha të tilla pasigurie, një ndryshim në situatën e Greqisë do të krijonte amulli në tregje. Kjo edhe më herët është testuar me një ndikim direkt te monedha euro. Për Shqipërinë një euro më e dobët do të sillte eksporte më të lira, çka nuk na leverdis kur çdo ditë e më shumë po lakohet që eksportet duhet të jetë motor i rritjes ekonomike. Në anën tjetër, një euro më e lirë do të na sillte dhe importe më të lira. Në pamje të parë kjo mund të duket favorizuese, por disbalancat që do të shkaktoheshin në tregun e brendshëm me prodhimin vendas do të kishin pasoja, të cilat Banka e Shqipërisë preferon që t’i shmangë. Po dje, guvernatori Fullani u ndal edhe tek eksportet, të cilat, sipas tij, duhet të shihen me shqetësim për shkak të uljes së kërkesës së huaj dhe efekti që kjo ka për vendin tonë. “Rritja e ngadaltë e eksporteve mbetet shqetësuese, për sa kohë që ajo ndikon ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2012 dhe ilustron varësinë e madhe të Shqipërisë në disa tregje gjeografike apo produkte të caktuara”, tha Fullani. Në analizën e plotë për situatën ekonomike në përgjithësi përgjatë muajit të kaluar, kreu i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se konsumi i brendshëm vijon të mbetet i ulët, janë kryer më pak investime, kurse inflacioni mbetet i kontrolluar. Ndërsa për politikat fiskale, Banka e Shqipërisë gjykon se qeveria e ka ulur dozën e shpenzimeve, e diktuar kjo nga niveli më i moderuar i rritjes së të ardhurave.
Të ulet borxhi
Drejt qeverisë janë shtuar këshillat nga Banka e Shqipërisë, që borxhi publik të ulet në nivele më të favorshme. Kjo, sipas deklaratës së bërë dje nga guvernatori Ardian Fullani, do të ndikonte pozitivisht në një afat të mesëm. “Banka e Shqipërisë gjykon se ndjekja e një politike fiskale të orientuar drejt qëndrueshmërisë afatgjate të treguesve buxhetorë dhe të borxhit publik do të sjellë përfitime të qarta afatmesme dhe afatgjata për ekonominë shqiptare, në formën e uljes së primeve të rrezikut, të rritjes së hapësirave dhe të uljes së kostove të financimit për sektorin privat”, tha Fullani.
NERTILA MAHO











