
Ulja e konsumit në vend nga ana e individëve, si një masë për t’u siguruar nga kriza por edhe mungesa e investimeve nga ana e bizneseve për të njëjtën arsye, po ngadalëson rritjen ekonomike. Kjo sjellje konservatore në treg, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, efektet negative do t’i shtrijë në një afat të mesëm, nëse nuk do të ndryshojë sadopak. “Një sërë sinjalesh, që vijnë si nga sektori real ashtu dhe nga ai financiar, tregojnë se tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe ngadalësimi i investimeve, të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë si masa mbrojtëse ndaj krizës, mund të kthehen në dëm të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike. Tendenca e kursimit dhe e shtyrjes së investimeve rrezikon të ndikojë avantazhet konkurruese të ekonomisë dhe potencialin e rritjes së saj”, tha guvernatori. Kjo nuk është hera e parë që Banka e Shqipërisë bën thirrje për rritje të konsumit nga ana e individëve, por edhe për investime nga ana e bizneseve të cilat kërkoi që t’i nxiste edhe përmes politikës së saj monetare, duke ulur disa herë normën e interesit me shpresën e kredive më të lira. Por duket se kreu i Bankës së Shqipërisë beson se mundësitë që të mbështetet ekonomia nuk janë vetëm në dorë të saj dhe se për këtë duhet të punojë shumë edhe qeveria, kur vjen fjala tek stabiliteti makroekonomik. Një tjetër aktor që duhet të përfshihet në proces më intensivisht, sipas Fullanit, janë të gjithë bankat e nivelit të dytë, të cilat duhet të ndërmarrin një sërë reformash që lidhen me kontrollin e brendshëm të tyre, me rritjen e kapaciteteve të vlerësimit të riskut, me ruajtjen e parametrave të qëndrueshmërisë duke veçuar këtu ecurinë e kredive të këqija. “Ecuria e cilësisë së kredisë përfaqëson problemin kryesor, me të cilin ndeshet aktualisht sektori bankar. Rritja e kredive me probleme rrit nivelin e stresit në veprimtarinë bankare dhe ul kontributin e sektorit në ndërmjetësimin financiar dhe mbështetjen e rritjes ekonomike në vend”, tha guvernatori.
Provigjonet
Kërkesa e sektorit bankar për të pasur nivel provigjonimi më të ulët, është refuzuar nga Banka e Shqipërisë. Përgjigjen kundër kësaj ideje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e dha dje publikisht. “Duke u ndalur më konkretisht në disa opinione të kohëve të fundit, ne e vlerësojmë të papërshtatshme kërkesën e bërë për një provigjionim në vlera më të ulëta, pasi kemi të bëjmë me një përmirësim jorealist të pozicionit të kapitalizmit të veprimtarisë”, tha ai.











