
Shqipëria kaloi me sukses një krizë financiare, por zhvler-ësimet e monedhës gjatë vitit 2009 kanë sjellë përke-qësim të kredive.Në mbledhjen vjetore të Fondit Europian për Europën Juglindore, guvernatori i Bankës, Fullani, përmendi katër pika, zbatimi i të cilave do të jepte një zgjidhje afatgjatë për ekonomitë e prekura nga kriza globale. Duke u përqendruar te rajoni, Fullani tha se është e nevojshme një balancë më e mirë e faktorëve që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike. Sipas tij, autoritetet, pra qeveritë, duhet të vendosin si përparësi rritjen e investimeve dhe zbatimin e politikave stimuluese për zhvillimin e sektorëve konkurrues. Në këtë mënyrë rriten eksportet dhe si rrjedhojë përmirësohet bilanci i jashtëm i ekonomisë. Pika e dytë dhe më e rëndësishmja ishin reformat strukturore. “Fokusi i tyre duhet të jetë sa më i gjerë, duke nënkuptuar përshtatjen e mëtejshme të legjislacionit, përmirësimin e infrastrukturës, privatizimin e plotë të aseteve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar, reformën e plotë në pensione si dhe një sërë aksionesh të tjera. Mendoj se objektivi ynë madhor mbetet hyrja e investimeve të huaja direkte. Për mua personalisht, çdo investim i huaj do të thotë konvergim i shpejtë me Europën”, theksoi guvernatori. Një tjetër pikë problematik dhe që do të jepte zgjidhje afatgjatë, është nevoja e zhvillimit të tregut financiar. “Është e nevojshme që krahas sektorit bankar, të zhvillohet më shpejtë pjesa e sistemit financiar jobankar për të mundësuar një përfshirje dhe akses më të madh në shërbimet financiare, të subjekteve që nuk mund të përfitojnë sa duhet prej shërbimeve bankare. Gjykoj se është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje më e madhe zhvillimit të tregjeve të kapitalit, veçanërisht ato të emetimit dhe të tregtimit të letrave me vlerë të kapitalit dhe të borxhit, nga subjektet private”. Fullani shtoi se një problem që kërkon zgjidhje është kuadri rregullativ dhe praktikat mbi-këqyrëse. “Kuadri i masave prudenciale duhet të trajtojë me kujdes kërkesat për kapital dhe për likuiditet të bankave, veçanërisht në rastin e valutës. Njëherazi është e nevojshme të vlerësohet rreziku sistematik në sistemin financiar dhe në sektorin bankar, nëpërmjet ndërtimit të indekseve të posaçme si edhe zbatimit të praktikave më të mira të stress-testit.”
Bërthamori, Fokushima tremb Berishën
Kryeministri Berisha është tërhequr dje publikisht nga ideja e ndërtimit të centralit bërthamor. Rasti i Fokushimas, tërheqja e madhe e Gjermanisë, e cila do të mbyll deri në vitin 2022 të gjitha centralet bërthamore, duket se e kanë bindur kreun e qeverisë të ndryshojë qëndrim. Në fakt, problem në këtë rast mund të jetë edhe financimi, pasi e gjithë BE po largohet nga bërthamori. “Ky vendim (ai i Gjermanisë) ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekuilibrat dhe tregun energjetik europian. Ky vendim ka përcaktuar vitin 2022 dhe kjo, në një treg unik energjetik, kërkon që të rendet me vendosmëri të madhe para çdo burimi tjetër energjie, sepse nuk mund të them se ky vendim i kancelares nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje të tjera, të qeverive të tjera, ndaj një burimi që dihet se ishte burimi më konstant, më i pastër, por me atë që ndodhi në Japoni, secili është i detyruar të nxjerrë leksionin e vet. Shqipëria është një vend me burime ujore të vogla, por që, të marra së bashku, bëjnë Danubin.”
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











