Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas takimit
të Këshillit të Mbikëqyrjes, në daljen e tij para mediave ka preferuar
të japë një mesazh të qartë për qytetarët: Rrisni konsumin. Për guvernatorin, gjatë 6-mujorit të parë vihet re një ecuri e dobët e konsumit privat, çka reflekton ngurrimin e qytetarëve për të shpenzuar, pavarësisht se kushtet
ekonomike janë shfaqur më të favorshme. “Ndonëse në kushtet e rritjes së të
ardhurave të disponueshme dhe të përmirësimit të financimit bankar, sikurse tregohet nga rritja e punësimit, rritja e pagës reale dhe rritja e kredisë për konsum e banesa, besimi konsumator ka qenë në nivele të ulëta. Konsumatori shqiptar vazhdon të ketë një sjellje të kujdesshme në kryerjen e shpenzimeve, duke shfaqur prej disa tremujorësh një preferencë të shtuar drejt kursimit”,
tha Fullani. Kjo, sipas kreut të Bankës së Shqipërisë, reflekton një ndrysim
në modelin e konsumit krahasuar me vitet e tjera, por nga ana tjetër është tregues për një qytetar që është i pasigurt për të ardhmen. “Konsumi familjar ka hapësira të rritet e të stimulohet në periudhën afatshkurtër e afatmesme. Duke u nisur nga pesha e madhe e konsumit në PBB, ecuria e tij do të
kushtëzojë dukshëm rritjen ekonomike në këtë horizont kohor”, u shpreh guvernatori.
ULJA E SHPENZIMEVE
Ulja e shpenzimeve në buxhet në masën 18.3 miliardë lekë janë komentuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë si një veprim në kohën e duhur dhe në linjë me zhvillimet ekonomike në vend. Kjo, sipas tij, jep mundësinë që të sigurohet një kontroll mbi deficitin buxhetor, por edhe mbi borxhin
publik në tërësi duke qëndruar brenda kornizave ligjore. Por, nga ana tjetër, për Fullanin këto ndryshime duhet që të shihen edhe në një tjetër aspekt për të bashkërenduar shpenzimet sipas të ardhurave që vetë qeveria mbledh. “Ne po ndjekim hap pas hapi zhvillimet jo vetëm të kuadrit makro, por edhe mikro dhe mendojmë që masa është e duhur dhe në kohën e duhur. Një mesazh që vjen njëkohësisht me masën është që shpenzimet dora-dorës duhet të kryhen në bazë të të ardhurave. Mendoj që kjo masë është pozitive dhe jep premisa për ruajtjen në nivele të qëndrueshme të deficitit
buxhetor”, tha Fullani. Ky është sinjali i dytë që i vjen qeverisë nga një institucion monetar për të qenë më e kujdesshme me shpenzimet. Në vizitën e fundit, misioni i FMN-së, me në krye Gerwin Bell, i kërkoi qeverisë që të heqë dorë nga tradita e korrigjimit të buxhetit në mes të vitit. Për
FMN-në kjo do të arrihej vetëm duke pasur parasysh hartimin e një buxheti realist qysh në fillim.
NBG kalon strestestin, renditet si bankë e sigurt
Banka Kombëtare e Greqisë (“NBG Bank”) mori pjesë në Testimin e Gjerë të Stresit të Bankave Europiane. Ky ushtrim synonte vlerësimin e elasticitetit të përgjithshëm të bankave europiane ndaj skenarëve të kundërta të veçanta
dhe aftësisë së tyre nën supozime ekstreme për të përballuar situata të vështira. Testi i stresit tregon se CT1 i “NBG Bank” është shumë më
lartë se limiti prej 5% i vendosur nga EBA, qoftë edhe duke mos marrë parasysh injektimin e kapitalit shtetëror prej 350 milionë eurosh. Rezultatet
e testit të stresit tregojnë se: “NBG Bank” plotëson kërkesat e kapitalit të vendosur si limit për qëllimet e testit. Ndërkaq, “NBG Bank” do të vazhdojë të sigurojë nivelet e kërkuara të kapitalit dhe do marrë masa që synojnë forcimin e mëtejshëm të pozicionit të kapitalit me 1.4 miliardë euro të tjera. Si rezultat i këtyre masave, raporti Core Tier 1 do të rritet me 2% deri në
nivelin e 9.7%. Në përfundim, rezultatet e testit të stresit tregojnë se “NBG Bank” plotëson më shumë se kërkesat e ushtrimit dhe me masat që
do të merren në vijim, do të forcohet edhe më tej duke u renditur ndër bankat më të sigurta në Bashkimin Europian. NERTILA MAHO
© Panorama.al











