Fule takon Totozanin: Mbështetje të plotë AP-së

May 3, 2012 | 16:35
Fule dhe Totozani

TIRANE- Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fule gjatë qëndrimit të tij në Tiranë është takuar edhe me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Fule ka shprehur vlerësim për mënyrën se si ka punuar Avokati I Popullit gjatë muajve të parë të marrjes së detyrës.

“Vizita ime në këtë institucion ka për qëllim të shprehë mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për ju dhe kolegët tuaj si dhe të nënvizoj rëndësinë e punës tuaj në axhendën e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe integrimit në Bashkimin Europian”- ka theksuar Fule.

Një element tjetër të cilin do doja të vlerësoja, ka vazhduar Fule, është qasja që ju keni lidhur me funksionin dhe kompetencat që keni.

“Ka shumë njerëz që nuk janë në gjendje të kuptojnë punën e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, ndërkohë që ju jeni duke përdorur në maksimum mundësitë që ju njeh ligji”- ka përfunduar zoti Fule.

Totozani nga ana e tij, ka falenderuar Komisionin e BE për ndihmën e pakursyer që ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi nëpërmjet bashkëpunimeve konkrete, duke shtuar se, Avokatit të Popullit do të punojë maksimalisht dhe vazhdimisht për të qenë partner i denjë dhe me një rol të posaçëm në procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE.

© Panorama.al

Te lidhura