Fule, Rama: Dera e BE, e hapur, presim mesazhe pozitive nga Shqipëria

May 3, 2012 | 11:18

TIRANE- Partia Socialiste zbardh takimin e komisionerit per Zgjerim ne BE, Stefan Fule me liderin e opozites, Edi Rama. Sipas njoftimit mesohet se Rama e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të këtyre reformave brenda afateve të kërkuara.

Kryetari i PS gjithashtu ka renditur një sërë çështjesh që mbeten për t’u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median.

“Rama rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë ndërsa komisioneri Fule përgëzoi atë për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin”- thuhet ne njoftim.

Kryetari i PS, gjithashtu e informoi komisionerin Fule për qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. “Komisioneri Fule e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Komisioneri Fule deklaroi se dera e Bashkimit Evropian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive” thuhet ne njoftim.

© Panorama.al

Te lidhura