Fule: Ka patur zhvillime pozitive kohët e fundit

Sep 4, 2012 | 19:12
Panariti dhe Fule gjate takimit ne Bruksel

BRUKSEL- Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule tha sot se rishikimi i sistemit të imuniteteve në Shqipëri do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Deklarata u bë gjatë takimit që Fule pati me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti në Bruksel.

Komisioneri Fule përgëzoi përpjekjet e vërteta të qeverisë dhe opozitës për të forcuar bashkëpunimin në kuadrin e reformave institucionale, si dhe përshëndeti zhvillimet pozitive të arritura kohët e fundit.

Ai veçanërisht iu referua miratimit me konsensus të Kodit Zgjedhor, duke e quajtur atë një hap të rëndësishëm, i cili çon në zbatimin e plotë të marrëveshjes së nëntorit 2011.

Shqipëria ka një perspektivë reale për përparim në rrugën e integrimit evropian në vitin 2012, tha Fule, duke shtuar, me kusht që vendi të ofrojë në vazhdim rezultate konkrete në fushat e reformave kyçe.

Fule theksoi se dialogu politik konstruktiv duhet të vazhdojë për të përfunduar reformën e rregullores së Parlamentit, çështja e vetme ende në pritje për tu arritur, sipas marrëveshjes politike të nëntorit.  Ai theksoi gjithashtu nevojën për të vazhduar progresin në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Komisionit, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Duke përsëritur angazhimin e Komisionit Evropian dhe mbështetjen e plotë për përpjekjet e Shqipërisë, Komisioneri Fule ftoi Shqipërinë të mbetet e fokusuar në reformat gjithëpërfshirëse, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian.

© Panorama.al

Te lidhura