Fshiu pamjet e 21 janarit, gjyq i shkurtuar për Kasajn

Jul 5, 2012 | 14:32
Armando Kasaj, ish specialisti i IT në Kryeministri

Armando Kasaj, i akuzuari për fshirjen e pamjeve filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë, do të gjykohet në një proces me kohë të shkurtuar.
Kështu në seancën e radhës, e caktuar më 12 korrik, Prokuroria do të shprehë kërkesën e saj në lidhje me të pandehurin Kasaj, ish-specialistit të IT-së në Kryeministri. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Kasajt për gjykimin e dosjes në ngarkim të tij në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Nga kjo mënyrë gjykimi, Kasaj përfiton uljen e një të tretës së masës së dënimit, nëse deklarohet i fajshëm nga Gjykata e Tiranës. Gjithashtu, kjo do të thotë që dosja në ngarkim të tij nuk do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Kërkesa për gjykim të shkurtuar u artikulua dje nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Kasaj, avokati Ilir Murati. Pretendimi i mbrojtjes u pranua edhe nga përfaqësuesi i akuzës në proces, prokurori Ndini Tavani. Në vijim gjykata deklaroi të çelur procesin gjyqësor dhe lejoi prokurorin të lexonte kërkesën për gjykim. Përmes saj, prokurori i kërkoi gjykatës gjykimin e të pandehurit Armando Kasaj për veprën penale të “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”. Në përfundim, kryesuesi i seancës, Gerd Hoxha, ftoi prokurorinë në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Prokuroi kërkoi kohë për përgatitjen e tyre dhe gjykatë, shtyu seancën për në datën 12 korrik. “Gjykata ndërpret shqyrtimin gjyqësor bazuar në nenin 342 te K.Pr.Penale dhe shtyn seancën gjyqësore për në datë 12.07.2012, ora 11:00, për të paraqitur konkluzionet përfundimtare prokurori”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm të gjykatës.
DOSJA
Armando Kasaj po gjykohet në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi, ish-gardistit Agim Llupo dhe ish-shoferit të Prendit, Margarit Kume. Sipas Prokurorisë, ai ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë orëve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011. Në deklarimet e tij, Kasaj ka pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës.

Dëshmia e gazetarit
Gazetari Ened Janina rrëfeu dje para gjykatës detaje nga demonstrata e 21 janarit, nga gjuajtjet me armë brenda kangjellave të Kryeministrisë, deri te dhuna policore kundër tij. Ai u shpreh para gjykatës se kishte qëndruar për një kohë të gjatë në bulevard gjatë zhvillimit të demonstratës. “Rreth orës 16:00 Garda filloi të qëllonte me fishekë luftarakë. Këtë e kuptova nga flaka e armëve dhe nga thyerja e degëve të pemëve përreth”, u shpreh gazetari. Në vijim ai rrëfeu edhe për dhunën e ashpër të ushtruar ndaj tij nga ana e njerëzve me uniforma, në afërsi të stendës së gazetarëve të vendosur në trotuarin para Piramidës. “Më rrahën disa punonjës policie në bulevard. Ndonëse u thashë se isha gazetar, ata nuk ndaluan dhunën”, u shpreh dëshmitari Janina.

Ilia Papa: Më plagosën
TIRANE – Gjykimi i dosjes me të pandehur ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe dy të bashkëpandehurit e tij, Agim Llupo e Margarit Kume, vijoi dje me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitari Ilia Papa, shoferi i komunës Xarë të Sarandës, tha se ishte plagosur në krah gjatë demonstratës së 21 janarit. Sipas dëshmisë, në këtë moment ai ishte duke qëndruar me duar në xhepa në bulevard. Ai u shpreh se nuk ishte në gjendje të përcaktonte se nga kishte ardhur plumbi që i kishte prekur parakrahun. “Dallova që po qëllohej me plumba luftarakë kur pashë që po binin cifla mermeri tek porta e Kryeministrisë. Doja t’u thosha njerëzve që po qëllohej me plumba luftarake, por në atë moment ndjeva një goditje në krah. Fillimisht mendova se u godita me gur, por pastaj pashë gjakun”, u shpreh dëshmitari. Pas tij, gjykata mori edhe dëshminë e dëshmitarit Ilia Qeska.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura