Është mbyllur dje me sukses Asambleja e Përgjithshme e zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo u zhvillua në Shkodër dhe pati një pjesëmarrje mbi 80% të anëtarëve me të drejtë vote. Mungonin 16, nga 66 anëtarë, nga të cilët Flamurtari dhe Pogradeci, të dënuar nga Komisioni i Disiplinës për shkak të incidenteve në takime të ndryshme të kampionatit. Të pranishëm në këtë Asamble ishin edhe përfaqësues të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët përshëndetën në emër të presidentit Blater dhe presidentit Platini. Në këto punime delegatët përfaqësues të futbollit shqiptar aprovuan ndryshime të rëndësishme në statut, të cilat patën përkrahjen e të gjithë të pranishmeve me votë unanime. Federata Shqiptare e Futbollit në këtë Asamble realizoi edhe ndarjen e pushteteve, duke e lënë të gjithë sistemin e drejtësisë sportive në varësi të Asamblesë, si forumi më i lartë i futbollit. Me votim të fshehtë Asambleja zgjodhi edhe 5 anëtarët e Komisionit të Etikës, i cili do varet nga Asambleja e Përgjithshme dhe do ketë një rëndësi të veçantë për marrjen e vendimeve kundër atyre që manifestojnë dukuritë negative në futbollin shqiptar, si dhunë apo trukime ndeshjesh. Anëtarët e këtij komisioni janë: Bejkush Birçe, Bashkim Koka, Adriatik Braçe, Ardian Leka dhe Fatmir Braka. Në Asamble u miratua edhe buxheti për vitin 2012, i cili për shkak të përfitimeve të pakta nga e drejta TV është gati dy herë më i vogël se ai i vitit 2011. Nëse vitin e kaluar FSHF-ja miratoi një buxhet 12 miliardë lekë (të vjetër), sivjet ky buxhet nuk shkon më shumë se 5 miliardë e 640 milionë lekë (të vjetër).











