Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga intervista e prokurores Ina Rama, ajo vazhdon të prodhojë debat në Tiranën politike dhe mediatike, duke krijuar, në fakt, dy qëndrime lidhur me hetimin dhe me atë personalisht. I pari është ai që vjen nga opozita apo nga frymëzime me burim opozitën. Qëndrimi apo vlerësimi i formuluar për intervistën e prokurores ishte kryesisht politik. Ky qëndrim merr në konsideratë faktet e dhënat nga hetimi dhe i përkthen menjëherë në politikë, pa shprehur kurrfarë mëdyshjeje rreth tyre, mënyrën se si i bëri transparente disa momente dhe kurioziteti normal që lind në këto raste për ndonjë të fshehtë tjetër pas deklaratave të saj. Prokurorja i ka mbushur me frymëzim politik, frymëzim që rrallë vjen në këtë masë nga institucioni i akuzës.
Edhe Edi Rama, edhe komentues të ndryshëm që ndajnë me të qëndrimet për çështje të ndryshme në vend, kanë të njëjtin diskurs: “Ina Rama tregoi me gisht qeverinë dhe Berishën si vrasës më 21 janar”. Gjithçka tha ajo për procesin hetimor që lidhet me 21 janarin, në pamje të parë me një gjuhë teknike, rimerret më pas nga propaganda dhe përdoret si ushqim për të mbajtur gjallë retorikën politike. Transferimi nga Ina Rama te Edi Rama është i lehtë, i thjeshtë dhe kryhet për një çast, bile me lakonizëm, pa ndonjë stres morfologjik, njësoj sikur thua dy emra të ndryshëm me mbiemra të njëjtë. Opozita dhe zërat e lidhur me kredon e saj nuk ngurrojnë të ngjeshin fort tekstin e Ramës prokurore te teksti i Ramës kryetar partie deri në atë masë sa dallimi është i vështirë ku fillon akuza e mbaron ajo, apo ku nis politika e ku mbaron ajo.
Pra, në rastin më të pafajshëm, PS po e përdor fort daljen e prokurores deri në atë masë sa portrete për të vijojnë të shkruhen çdo ditë dhe të gjitha ravijëzojnë Inën si gruan për të cilën më shumë ka pasur nevojë PS-ja, sesa Prokuroria. Jo se ky konkluzion përbën qëllimin e shkrimeve apo të deklaratave. Bile është e sigurt se shumë prej tyre nuk e kanë fare këtë qëllim, por se kjo prodhohet vetvetiu prej tyre, dhe për më tepër me një pamundësi shmangieje.
Kjo ngjitje e shpejtë në hierarkinë morale të opozitës së sotme ka ndodhur shumë rrallë me ndonjë zyrtar të institucioneve të pavarura, madje edhe me ata që kanë qenë tmerrësisht të kritikuar apo sulmuar nga e djathta. Arben Rakipi, ish-kryeprokuror në vitet 1997-2002, fill pas largimit të tij prej atje, vazhdoi të ishte një profesor i së Drejtës. Edhe atij nuk i kanë munguar daljet në media përgjatë karrierës së tij, bile ka qenë ndër më mediatikët, i dyti pas kryetarit të shërbimit sekret, Fatos Klosi. Rakipi, ndërkaq, ka kryer veprime, të cilat i kanë shkuar për shtat së majtës në pushtet. Arrestimet e bëra në ’97-’98-n për shishe kokakola të mbushura me klorpikrinë, sipas akuzës së atëhershme, edhe pse do të mbeten nga më qesharaket në historinë e Prokurorisë, në ato ditë prej shumëkujt merreshin si të besueshme dhe serioze. PS atëherë ishte në pushtet dhe nuk kishte nevojë të përshkruante me tekste politike Prokurorinë. Po ashtu nuk ia kishte nevojën deri në skaj gjesteve të Rakipit, madje as për të përforcuar pushtetin e vet. Pak a shumë e njëjta pamje ka qenë edhe me një shef tjetër institucioni të pavarur, Fatos Klosin. Edhe ky ishte i kudogjendur sipas një mënyre apo tjetre dhe për disa vite përbënte pamjen shtesë të maxhorancës së viteve 1997-2002. E majta asnjëherë nuk i përdori publikisht veprimet e tij për propagandën e vet politike, edhe pse gjithçka bënte i vinte për mbarë për të forcuar pushtetin dhe ideologjinë e vet, si edhe për ta eksportuar këtë të fundit në Kosovë. Edhe Sollakut iu desh që të konservohej për gati gjashtë vjet, derisa të rimerrej politikisht nga opozita e sotme, që ishte në maxhorancë atëherë kur Sollaku ishte prokuror i Përgjithshëm. Pra e kanë shikuar më një sy shtrembër.
Por, në rastin e Inës, sjellja e së majtës ka ndryshuar shumë. Intervista e saj i ngjan shiut në një tokë të thatë. Dhe tashmë ky është problemi që lind nga impakti i intervistës së kryeprokurores tek opozita dhe njerëzit rreth e rrotull saj. Ose më saktë, kemi marrë vesh diçka që nuk e kishim konstatuar kaq bindshëm më parë përgjatë vëzhgimit të përditshëm të jetës politike të opozitës; nevojën që ajo ka për të tjerët, bile për këdo që prodhon pak ushqim ku të mbahet strategjia romantike e kryetarit të saj.
Tjetër pamje është prodhuar nga maxhoranca e djathtë, që ashtu siç e dinë tashmë të gjithë, nuk ka histori me miq në raportet e saj me institucionet e pavarura.
Gjatë artikulimit publik të njerëzve të qeverisë për “dëshminë” e Ina Ramës, pra gjithnjë pas intervistës së saj, pothuajse nuk kemi interpretime politike të asaj çfarë ka thënë. Përcaktimi se prokurorja po bën punën e Ramës është më i vjetër se intervista që dha ajo, si edhe më e vjetër se hetimet e 21 janarit. Maxhoranca në daljet e saj këto ditë është marrë kryesisht me fakte. Pra e ka vendosur prokuroren dhe deklaratat e saj në habitatin e vet, atë të provave dhe akuzave. Njerëzit e qeverisë kanë ngritur disa pyetje që burojnë prej deklaratave të prokurores dhe më shumë se ato që ka deklaruar, pyetjet e maxhorancës nxiten prej atyre që ajo nuk ka deklaruar apo shpjeguar përgjatë intervistës. Të tilla janë: hetimi i Bashës kur ishte ministër i Brendshëm; artikulimi i akuzës ndaj gardistëve-vrasje të qëllimshme; mjegulla rreth “pronësisë” së serverit; trajtimi i dhunës ndaj Kryeministrisë si ngjarje në bulevard; interpretimi me pikëpyetje të rregullores së Gardës; hetimi me dy shpejtësi i 21 janarit, njëra me 365 km/orë për arrestimin e gardistëve dhe tjetra me 1 km/orë për imunitetin e deputetëve socialistë; citimi i videos “Meta-Prifti” në raportin për Parlamentin pa e hetuar atë.
Megjithatë, të gjitha pyetjet e maxhorancës afrojnë me interesin e tyre në përgjigje. Dhe lidhja e prokurores me politikën bie në sy vetëm nëse konsiderojmë distancën e qartë të maxhorancës me rezultatet e hetimit të deritanishëm, distancë që komentohet si presion ndaj institucionit, edhe pse ende nuk ka një hetim përfundimtar, por vetëm skemën e rezultateve përfundimtare, tërësisht teknike dhe jashtë rrethanave apo kontributorëve të ndryshëm në ngjarjen që po hetohet.
© Panorama.al












