Fryma e Tiranës dhe si e shohim ne veten

Jul 2, 2012 | 13:30

GENC POLLO

Ndërkohë që në Tiranë gjatë gjysmës së dytë të javës së shkuar mbahej konferenca e pestë ndërqeveritare për reformën “Një OKB” e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa ngrihesha nga shtrati me sikletin për mbarëvajtjen e kësaj konference, nuk mund të rrija pa hedhur një sy te titujt e faqes së parë të të përditshmeve, të cilat spikerët mëngjesorë kujdesen të na lexojnë pa pikë firoje. Pashë që, gati pa përjashtim, të gjitha gazetat kishin veçuar si ngjarje kulmore votën e një deputeti të maxhorancës kundër shkarkimit të një ministri (të partisë së tij), por që katër minuta më vonë kishte votuar për ministrin zëvendësues (po të partisë së tij). Rivalizonte me këtë lajm shprehja e trishtimit prej një ish-kryeministri të Partisë Socialiste për ngrënien e një ngjale Lalzi nga mëtonjësi për Kryeministër, po i Partisë Socialiste.
Nuk synoj të jap ndonjë leksion për raportin midis interesantes e të mërzitshmes, triviales e të rëndësishmes në ndodhitë e ditës dhe radhën se si media ia përcjell ato publikut; Dhe aq më pak të filloj një polemikë me redaktorët për mënyrën se si i hapin ata gazetat e tyre, pasi jam i sigurt se do të dal i humbur sido që të jetë çështja. Por ofiqi ma kërkon e ndërgjegjja më nxit që të shtjelloj më tej domethënien e një ngjarjeje, e cila edhe mund të kishte kaluar pa u vënë re nga publiku shqiptar, pra e pambuluar nga media, nëse nuk do të merrnin pjesë në të qeveritarët mikpritës, Kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme e autori i këtyre radhëve.
Në fillim, lipset të shënoj se për herë të parë në Tiranë mblidhet një tubim ndërqeveritar botëror me pjesëmarrjen e mbi dyzet shteteve nga Norvegjia në Tanzani dhe nga Uruguai në Vietnam. Deri tani, në këto dy dekada ne kemi mikpritur vetëm disa konferenca rajonale, si Nisma e Europës Qendrore apo ajo e Detit të Zi etj. Me këtë konferencë Tirana është shënuar në hartën globale të qyteteve mikpritëse të evenimenteve të mëdha Po të shtojmë këtu edhe organizimin e përsosur, një sfidë aspak e lehtë, dhe largimin me përshtypjet më të mira të çdo pjesëmarrësi në konferencë, mund të konkludojmë arsyeshëm se, jo vetëm në mendjen tonë, por edhe e shikuar globalisht, Tirana nuk është më ajo qendër province e dikurshme, por konsiderohet si një “qytet i botës”.
Por edhe më e rëndësishme është diçka tjetër: kjo konferencë i kushtohej reformimit të agjencive për ndihmë zhvillimore të OKB-së. Si çdo gjë tjetër që fillon më qëllim të mirë, por që dora-dorës zmadhohet, duke harruar pse u krijua, edhe sistemi i Kombeve të Bashkuara në 60 vitet e fundit ka parë se si janë krijuar agjenci, njëra pas tjetrës, duke dubluar në disa raste buxhetet e personelin dhe duke rënë në rivalitet institucional, jo rrallë kjo në kurriz të mandatit fillestar për të ndihmuar vendet në zhvillim të mundësojnë një jetë më të mirë për popujt e tyre. Për të korrigjuar këtë devijim u iniciua, para gjashtë vitesh, procesi i reformës “Një OKB”, në të cilin Shqipëria që nga viti 2007 u bë një nga 8 vendet pilote, nismëtare për reformën e OKB-së. Ndërkohë ne kemi arritur të reformojmë lëvrimin e ndihmës së Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, në bashkëpunim të ngushtë me PNUD-in e agjencitë e specializuara të OKB-së, duke racionalizuar resurset dhe duke rritur impaktin. Ky proces nuk do të thotë detyrimisht më shumë fonde ndihme për Shqipërinë, kjo rritje mund të ndodhë ose jo. Kryesorja është që për çdo 100 USD të harxhuar për Shqipërinë, të rritet sasia e dollarëve që derdhen direkt në projektet zhvillimore dhe të ulet sasia e dollarëve që mbulon shpenzime joproduktive. Ky proces reforme nuk është i lehtë, nuk është pa kundërshtarë, pasi prek një status quo të konsoliduar e interesa të kalcifikuar. Prandaj edhe pas pesë vjetësh aplikimi, tanimë në dyzet vende, sistemi i reformuar ende nuk ka marrë vulën zyrtare të aprovimit në New York.
Por me konferencën e OKB-së në Tiranë u hodh një hap cilësor përpara, krahasuar me tubimet e ngjashme të mbajtura më parë. Deklarata përfundimtare e konferencës përmbante një apel, veçanërisht për sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Moon, të marrë hapa konkretë për reformën “Një OKB”, duke filluar nga javët e ardhshme. Për këdo që e njeh procesin nga afër, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një zhvillim rutinor apo avancimin e radhës. Ky është konsensusi më i qartë politik pro reformës i arritur në këto pesë vite. Për pjesëmarrësit në konferencë u bë e qartë se ky konsensus u mundësua nga “Fryma e Tiranës” (Esprit de Tirana), siç e pagëzoi delegacioni francez dhe se Fryma e Tiranës u mundësua në radhë të parë nga udhëheqja e punimeve prej zyrtarëve mikpritës, ofiqarëve e diplomatëve shqiptarë.
Sa më sipër, më çon në disa përfundime, të cilat ndonëse nuk rivalizojnë dot, për nga vëmendja publike me votën e shkarë e me ngjalën e ngrënë, shpresoj të ngjallin interes në ata sy e mendje që gjënë publike tek ne duan ta kundrojnë më gjatë e ta përsiasin më thellë.
Ne jemi mësuar këta 20 vjet ta shohim veten si vend që nga bota veç përfiton e që bota bujarisht e ndihmon. Nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi dy dekada më parë lamë pas një regjim, që gjitha botës i thoshte sikter, derisa u rrëgjua e u rrëzua në këmbë të saj e të popullit të vet. Në këto kushte, lavjerrësi, i mbajtur dhunshëm në skaj të njërës anë, do të lëvizte me të gjithë peshën e tij në drejtim të skajit tjetër. Edhe mjerimi i paimagjinueshëm, që la pas regjimi, e bëri ndihmën e huaj një çështje mbijetese. Edhe falë të kësaj ndihme Shqipëria është tjetër nga ajo që e kujtojmë, por nuk mund të evitohej një mentalitet vartësie i ekzagjeruar, ku marrëdhënia me palët e huaja kuptohej vetëm në prizmin e ndihmës së përfituar. Ndërkohë e vërteta është se dy-tri vitet e fundit disa shtete e kanë ndërprerë programin e ndihmës dypalëshe, pasi na konsiderojnë tepër të pasur për ta merituar atë.
Realiteti është se Shqipëria kontribuon jo vetëm për stabilitet e zgjidhje konstruktive në Ballkan, jo vetëm me trupa që ruajnë paqen në vende të afërta e të largëta, por siç e tregoi “Fryma e Tiranës” edhe me ide, reforma brenda vendit dhe me veprimtari politiko-diplomatike efektive. Kontribuon, jo thjesht në favor të vetes, por në favor të një kauze më të lartë. Duke perifrazuar një president të ShBA, mund të shkruaj se nuk po shohim vetëm se çfarë mund të bëjë bota për ne, por edhe se çfarë ne mund të bëjmë për botën.
Duke shkruar sa më lart, nuk më shkon mendja të pohoj se jemi bërë baras me Norvegjinë a Zvicrën; kemi ende probleme për të kapërcyer, që popuj si këta të dy i kanë zgjidhur dekada më parë; ende kemi nevojë për miqtë tanë, ndihmën e këshillën e tyre. Por është e padrejtë të mos shohësh përparimin e dukshëm të vendit tënd e të mos e vësh në dukje siç duhet.
P.S. Lidhur me ndihmën zhvillimore, dua të përmend se Shqipëria, tre vjet më parë, lançoi të parin projekt ndihme me vlerë afro 0.5 milionë euro, jashtë kufijve të saj; por për shtjellimin e kësaj çështjeje lipset një artikull më vete.
*Autori është ministër dhe koordinator qeveritar për ndihmën zhvillimore të huaj.

© Panorama.al

Te lidhura