Frikë nga shembja e murit, nis restaurimi i Kalasë së Tepelenës

Sep 14, 2012 | 12:06
Kalaja e Ali Pashës

TEPELENE – Kalaja e Tepelenës më në fund po i nënshtrohet një restaurimi, i pari qysh prej krijimit të saj. Restaurimi ka në fokus disa prej fragmenteve të murit rrethues në Kështjellën e cila njihet si qendra fortifikuese e pashait të Janinës në shekullin XVIII. Ndërhyrja në një pjesë të murit jugor dhe verior në këtë objekt monumental ishte emergjente, pasi rrezikohej shembja e, për pasojë, do të krijonte situatë të rrezikshme për kalimtarët apo dhe automjetet që kalojnë në aksin nacional 20 metra poshtë tyre. Segmenti jugor i murit rrethues lartësohet mbi rrugën nacionale Tepelenë-Fier, ndërkohë që segmenti verior lidh Tepelenën me zonën e Bënçës dhe fshatrat e zonës veriperëndimore të rrethit. Kjo është ndërhyrja e parë që kryhet në Kështjellën e Ali Pashës në Tepelenë, që nga koha e ndërtimit të saj. Puna ka filluar me fragmentin e murit të dëmtuar në anën veriore, ku çarja shkon rreth 8 metra lartësi dhe në 1 metër gjerësi. Skela e ngritur për riparimin e murit i kalon të 12 metrat, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë e punëtorëve që punojnë mbi të. Drejtuesi i punimeve, Mersin Haska, pohon për gazetën se po punohet mjaft në restaurimin e murit ku dhe gurët lahen në mënyrë që të konsolidohet sa më shumë lidhja dhe të shmanget rrezikshmëria në të ardhmen. Ndërsa kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, ka falënderuar Ministrinë e Kulturës për akordimin e fondeve për restaurimin e objektit monumental, i cili merr përmasa feste në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Me këtë rast, Peçi ka kërkuar ngritjen e një muzeu i cili do të tërhiqte më shumë vizitorët vendës dhe të huaj, për të mësuar më tepër rreth kështjellës dhe historisë së saj. Fondi i akorduar për shmangien e pasojave që mund të sillte shembja e murit në anën ku poshtë gjarpëron rruga nacionale, është 4.5 milionë lekë dhe kohëzgjatja e projektit nuk i kalon 45 ditët. Kalaja është ngritur mbi një tjetër fortifikim më të hershëm nga Ali Pashë Tepelena, ndërkohë që në këtë kështjellë ka qëndruar edhe poeti i njohur anglez, Lord Bajron.                       p.n

© Panorama.al

Te lidhura