Luajmë ndaj Argjen-tinës, ndaj të gjithë në mbrojtje. Kështu mund të konsiderohet ajo çka ka pohuar dje trajneri ynë i Kombëtares, Josip Kuzhe.Tekniku kroat i kuqezinjve ka shpjeguar arsyet e kaosit para kësaj miqësoreje, si dhe ka thënë se i druhet një goleade nga skuadra e drejtuar prej Batistës.
Gjithsesi, tekniku ka pohuar se është një rast unikal për një Kombëtare si kjo jona, që të luajë një ndeshje të tillë, ndaj çdo lojtar duhet të japë më shumë se maksimumin e tij. Kuzhe ka grumbulluar thuajse 90 për qind lojtarë nga kampionati shqiptar, nga ku 9-të janë vetëm mbrojtës. Kjo tregon edhe konceptin e lojës që Shqipëria do të bëjë në Buenos-Aries ndaj Argjentinës së Lionel Mesit.
Një miqësore jo si gjithë të tjerat, por me mjaft probleme si për fillim apo jo?
Çdo miqësore është mjaft e nevojshme për skuadrën tonë, dhe jo më kur bëhet fjalë për Argjentinën. Ndoshta nuk ishte koha e duhur për ta bërë këtë ndeshje, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve ose janë me pushime, ose nuk lejohen nga klubi, pasi kjo nuk është një datë e lënë e lirë nga FIFA. Gjithsesi, gjykoj se është një mundësi për këta lojtarë dhe nder që të luajmë përballë Argjentinës.
Do të thotë që nuk ishte kaq e nevojshme atëherë…
Jo, ne kemi shumë lojtarë të rinj që kanë nevojë të luajnë me Kombëtaren, pasi ata mund të jenë e ardhmja e kësaj skuadre dhe ndaj Argjentinës do të ishte ndeshja optimale për t’i treguar vlerat e tyre.
Keni frikë se mund edhe të humbni me goleadë, le të themi 10-0?
Sigurisht që kam edhe këto mendime që më shkojnë në mendje. Në fund të fundit, çdo trajner më shumë se gjithçka shikon rezultatin e ndeshjes dhe, nëse ai do ishte katastrofik, s’do të ndihej mirë. Gjithsesi, ne do të luajmë përballë një super-skuadre me super-lojtarë, e cila po përgatitet për ndeshjet e Kupës së Amerikës, ndaj do ta kemi realisht të vështirë. Gjithsesi, po shkojmë atje me lojtarë që kanë dëshirë të tregojnë diçka me lojën e tyre e për më tepër janë në një kondicion të mirë fizik. Në këtë kontekst, ne do të mundohemi që fillimisht të mbrohemi mirë dhe më pas të luajmë një lojë të fortë fizike në mesfushë, duke provuar pse jo, edhe që të shënojmë.
Kush e bëri listën e Kombëtares dhe si është e mundur që nuk keni skuadrën më të mirë të mundshme?
Shikoni, unë personalisht isha bërë gati që të merrja të gjithë lojtarët, por kjo gjë nuk u bë e mundur në ditët e mëvonshme. Shumë klube nuk i lejuan lojtarët që të udhëtonin drejt Argjentinës për këtë miqësore, meqenëse ajo nuk është zyrtare. Unë fola me lojtarët dhe ata donin të vinin, por problemi ishte te klubet dhe ne nuk mund t’i detyronim që të merrnim lojtarët për këtë ndeshje. Duhet të kuptoni që, jo çdo gjë varej nga ne në këtë rast.
Dakord, por mister ju sot (dje), keni stërvitur vetëm 14 lojtarë…
Po, por nesër skuadrës do t’i bashkohen edhe disa lojtarë të tjerë, të nevojshme për këtë miqësore.
Cilët janë ata?
Vangjeli, Kapllani, Osmani i Tiranës, Sallaj, një lojtar që luan në Zvicër, por edhe Veliu, pasi na nevojitet për të forcuar mbrojtjen. Ndërkaq, kam thirrur edhe Allmuçën, një lojtar që mund të na bëjë punë më mesfushë.
Mister a nuk ju duket, si jo shumë serioze kjo përgatitje për një ndeshje të tillë?
E di, e di që nuk është më e mira e mundshme, por në kushtet ku ishim nuk mund të bënim më shumë. Gjithsesi, ne po përgatitemi aq sa mundemi për të zhvilluar një ndeshje që na është gjendur në një kohë të papërshtatshme, por që nuk mund t’u thoshim jo. Unë e kam thënë gjatë këtyre dy viteve që, për Shqipërinë është e vështirë të gjejë një kundërshtar të fortë për miqësoren. Tani që e kemi rastin nuk mund të ankohemi, ndaj besoj se të gjithë shqiptarët, së bashku me mua, janë të lumtur që po zhvillohet një ndeshje e tillë.
Transmetimi
Mund të jetë një nga oraret më të papërshtatshme të mundshme ose ndër të vetmet herë kur Shqipëria ka luajtur në një orar të tillë. Argjentinë-Shqipëri do të luhet ditën e hënë në 23:15 me orën tonë lokale, ndërsa në Buenos Aires do të jetë ora 18:15 (Shqipëria është 5 orë para Argjentinës). Takimi do të transmetohet direkt nga paketa me pagesë “Supersport”.
Bastet
Ndërkohë që Shqipëria do të prezantohet në miqësoren e “luksit” kundër Argjentinës të Lionel Mesit me një skuadër “kalamajsh”, kompanitë e basteve janë duke bërë punën e tyre të zakonshme. Fitorja e Shqipërisë me Kampionët e Botës kuptohet nga 9.99 (Titanbet) deri te 21.00 (Victor Chandller). Fitorja e skuadrës së Batistës dhe Lionel Mesit vlerësohet nga 1.13 deri në 1.20. Barazimi kuotohet nga 5.32-7.50.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











