Frikë nga e ardhmja…dhe pamundësia!

May 18, 2018 | 18:13
SHPËRNDAJE

Nga Klodiana Kapo

Pas një viti… do të takonim sërish Selmën, vajzën me sy të bukur që jetonte në fshatin Dardhë, rreth 2 orë larg Librazhdit. Mezi prisnim ti takonim!  Lindita, ishte bërë nënë për  herë të dytë, kësaj here me një djalë.  Kishte kaluar një kohë e gjatë pa u parë fizikisht me këtë familje. Por kemi qenë shumë pranë tyre, pasi përpjekjet për të ndryshuar jetët e tyre, nga shumë njerëz, kanë qenë të mëdha. Isha e bindur se do të gjeja një familje më të lumtur. Besoja se do të shihja në sytë e nënës jo vetëm gëzim, por edhe do të dëgjoja fjalë të ëmbla, apo edhe ndonjë falenderim.

B
B

Por llogaritë, dalin jo gjithnjë siç i mendon!  Varet se me çfarë njësie matëse i bën…

Selma, Lindita, bashkëshorti i saj dhe pjestari më i vogël i familjes, Arjeni 2 muajsh, prej 6 muajsh janë zhvendosur në një apartament në qendër të Librazhdit, qeraja e së cilës paguhet nga TIA. Ambasadorja e Tungjatjeta Jetë, Arlinda Çausholli, e cila është edhe drejtoreshë komunikimi pranë TIA-s ka  një lidhje të fortë me Selmën, një lidhje e ndërsjelltë në fakt. Për Selmën, Arlinda është mikja më e mirë! Është një zemër, – thotë pesë vjeçarja e cila ka nisur të flasë dhe vazhdon të luajë me arushin që mikja e saj i  ka dhuruar një vit më parë.

Kur e takuam për herë të parë Selmën, ajo artikulonte vetëm disa fjalë, ndërsa sot fjalori i saj jo vetëm është pasuruar, por thotë qartë fjali të  plota…

Sot Selma  ka një karrocë specifike, një mbështetëse për shpinën që e ndihmon të qendrojë drejt. Prej një muaji ekipi  i Tungjatjeta Jetë i kryen Selmës, fizioterapi dhe logopedi në shtëpi.  Pas disa  ditësh ajo do të shkojë në një kopësht publik, ku do të nisë të mësojë shkronjat dhe numrat…Ka nisur të qendrojë pak sekonda, vetë në shpinë, dhe lëviz pak këmbët…uauauuuuu…

Për pak muaj i gjithë ky ndryshim.. Kur e takova Linditën, Selma qendronte në krahët e saj gjatë gjithë kohës  dhe shpina po i deformohej gjithnjë e më shumë. Nuk kishte karrocë, as mbajtëse shpine..  Ajo ka lindur me  një deformim të shtyllës kurrizore dhe  është diagnostifikuar me spinofebi. Lindita e merrte në krahë dhe sëbashku  përshkroninin dy orë rrugë në këmbë për ta çuar në qendrën e Librazhdit në mënyrë që vajza të merrte shërbimet e duhura.

Selma  na thotë se tani kjo është shtëpia e  saj e vetme. I pëlqen të shëtisë, dhe të luajë me lain e saj të vogël  i cili zgjohet, fle, e qan pakëz….Është shoku i saj më i mirë.  5 vjeçarja  na tregon një sekret. Ajo kur të rritet do të bëhet një mesuese. Dhe pse jo! Sa e rëndësishme është që vajzat të arsimohen, e nesër të kenë mundësi të punësohen apo të jenë nëna më të ditura e bashkëshorte më të zonja…

Dorela, është fizioterapistja që e ka ndjekur edhe më parë në formë vullnetare dhe që ka një lidhje të fortë me vogëlushen, nuk tërhiqet pa i kryer të gjitha ushtrimet.  Ajo e ka ndjekur Selmën qëkurse ka qenë një vullnetare.

Lindita tregon, se Dorela s’ka thënë kurrë jo, edhe pse ka patur shumë fëmijë për ti kryer fizioterapi. Madje edhe të shtunave, Dorela ka ardhur gjithnjë në shtëpi për ti kryer Selmës fizioterapinë.

Por në shtëpinë e vogël të Selmës, sot ka shumë njerëz, dhe ajo është kurioze. Na dëgjon, ndjek me sy dhe është e shpërqendruar…Çfarë ka ndodhur që ka kaq shumë njerëz???

Selma është më mirë, por asaj i duhet kujdes i vazhdueshëm, shërbime, dhe mbështetje dhe kjo e frikëson Linditën, nënën e saj.  Ajo sapo na sheh, nis të rreshtojë problemet që ka, e i duhet të përballet. Energjia elektrike është papaguar, burrit i duhet të qendrojë në fshat për të punuar tokën e për të siguar ca ushqime e dru në dimër. Në Librazhd për të nuk ka punë. Kërkesat e fëmijëve rriten, dhe ajo  ndihet e pasigurt për veten dhe për dy fëmijet e saj…

E çuditshme! Në fillim prisja që Lindita të ndihej mirë, dhe të ishte falenderuese, që kishte mundur të ndërronte shtëpinë, e të vinte në Librazhd. Fakti që mbështetet çdo muaj me ushqime, dhe ajo çka është më e rëndësishme me shërbime për Selmën, dhe me kontrolle tek mjeku…

U mërzita pakëz,, dhe e pyeta nuk je më mirë?

Nuk është Selma më mirë?

Por Lindita, i frikej të ardhmes, i frikej pamundësisë për të ndihmuar sa dhe si duhet Selmën, djalin e vogël. I frikej pamundësisë për të jetuar pakëz edhe jetën e saj! Është vetëm 29 vjeç…

Nga ana tjetër, qëndronte ekipi i Tungjatjeta Jetë!  4 vajza të reja, që kanë marrë përsipër të lëvizin çdo ditë nga fshati në fshat për tu dhënë shërbime e për të ndihmuar fëmijët me Aftësi të Kufizuar me shërbime,  por edhe familjet e tyre. Ato nuk pushuan së buzëqeshuri, së inkurajuari Linditën dhe Selmën. Askush nuk i pyeti sesi ndiheshin, a ishin lodhur?

Dorela, dhe Eva nisen çdo ditë nga Elbasani për të takuar fëmijët në fshatrat e thella të  Librazhdit, ndërsa Mimoza, psikologia vinte nga Përrenjasi. Asnjë nga vajzat nuk u ankua, ato ishin aty për fëmijët…

Varfëria thotë populli sjell çdo gjë të keqe, – e ka të drejtë…

Rrugës ndërsa ktheheshim për në Tiranë, nisa të mendoj se nuk është e lehtë ta mbash gjithnjë shtëpinë  me miell hua…

Shteti duhet të veprojë duke i ndihmuar këto familje jo vetëm me shërbime të qëndrueshme për fëmijët e tyre, por edhe me banesa e vende pune.

E thënë kështu duket si  një aksiomë klishe, që e kemi dëgjuar aq shpesh gjatë  këtyre 25 viteve, e mbase do ta dëgjojmë edhe për shumë vite të tjera.

Por zgjidhjet janë kaq të thjeshta, nëse duam ti shohim.

Nëse këto shërbime , që sot Selmës dhe 34 fëmijëve të tjerët ua siguron World Vision, përmes Tungjajteta Jetë, nuk përvetësohen nga shteti, që duhet të ketë politika sociale të vërteta ndaj kësaj shtrese, e ardhmja do të jetë gjithnjë e frikshme, dhe e errët…dhe Lindita…ka të drejtë.

 

*Ky shkrim u publikua me mbështetjen e Balfin Group

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura