Frika nga ushqimet skarco, forcohen kontrollet në dogana

Aug 18, 2011 | 11:25

Forcohen masat e kontrollit të ushqimeve në pikat kufitare.Importuesit e mallrave duhet të njoftojnë doganat 24-48 orë përpara se produktet të mbërrijnë në Shqipëri. Nëse më parë në mungesë të inspektorëve dhe pajisjeve përkatëse ka ndodhur që të hyjnë në vend ushqime jashtë standardeve apo me çertifikata të falsifikuara, tashmë abuzuesit do ta kenë tepër të vështirë të bëjnë një gjë të tillë. Nga sa bëri me dije dje drejtori i Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, Genc Juka, inspektorët e AKU janë të pranishëm në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo është edhe arsyeja pse bizneset duhet të njoftojnë paraprakisht për ngarkesat e mallrave që do të futen në vend. “Autoriteti Kombëtarii i Ushqimit është prezent në nëntë pikat kufitare të territorit të Shqipërisë, ku me anë të specialistëve të saj bën monitorimin e të gjithë mallrave ushqimore që hyjnë në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Juka. Ai shtoi se një nga risitë e këtij aktiviteti është instalimi në të gjitha pikat kufitare tashmë i sistemit AKU-net, ku informacioni përcillet drejt qendrës në kohë reale. Njoftimi nga ana e operatorit të biznesit për mallrat ushqimore që hyjnë në Shqipëri bëhet 24 orë deri në 48 orë përpara se ai të mbërrijë në kufi. “Vlen për t’u përmendur që inspektimi në pikat kufitare i mallrave ushqimore tashmë bëhet në tri kategori, në kategorinë e mallrave me origjinë shtazore, ku kontrollet bëhet nga veterinerë të specializuar, kategoria e mallrave ushqimore me kontrolle të specialistëve ushqimorë, si edhe kontrollet fitosanitare”, tha Juka. Sipas kreut të AKU, fluksi më i madh i mallrave ushqimore vjen nga Italia dhe nga Greqia. Juka dha garanci se mishi që hyn në vend është i sugurt dhe brenda standardeve të Bashkimit Europian. “Ka pasur edhe raste të pakta ku janë sinjalizuar në kohë nga inspektorët tanë të mallrave që janë konfiskuar, por që tashmë me funksionimin edhe të sistemit AKU-net, çdo mall që hyn është i mirëkontrolluar”, theksoi drejtori i AKU. Sipas tij, është rritur ndërgjegjësimi i operatorit të biznesit. “Subjketet që nuk respektojnë të gjitha hallkat e kontrollit dhe të sigurisë ushqimore, në bazë të legjislacionit për vendin tonë penalizohen dhe produktet e tyre nuk lejohen të hyjnë në vend”, bëri me dije drejtori i AKU.

25 tone
ushqime janë asgjësuar pak ditë më parë nga AKU, ndërkohë që  shumë subjekte gjatë gjithë kësaj periudhe kanë tregtuar  mallra pa etikë dhe jo në kushtet e duhuara higjieno-sanitare. Këto kanë qenë rezultatet e  rreth 4000 mijë inspektimeve, që ka zhvilluar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit

Pezullimi i aktivitetit

Plot 20 subjekteve u është bllokuar përkohësisht aktiviteti, ndërkohë që  18 të tjerave u janë vënë gjoba, vlera e të cilave, në total shkon në shifrën e 16 milionë lekëve.Të dhënat vijnë nga AKU. Nga kontrollet janë gjetur produkte ushqimore pa etiketë në shqip, punonjës pa uniformë dhe të patrainuar, menaxhim jo i mirë i mbetjeve, mungesë e protokolleve të sakta e kushte higjene të pamjaftueshme janë  problemet e hasura më shpesh.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura