Shkon në 41 numri i personave të prekur nga SIDA për këtë vit. Këtë shifër konfirmon zyrtarisht Instituti i Shëndetit Publik. Nga sa pohojnë burime zyrtare pranë tij, pjesa më e madhe e të prekurve janë meshkuj dhe i përkasin grupmoshave nga 25-45 vjeç. Ndërkohë që prej muajit korrik ka nisur që në të gjitha qendrat ku kryhen falas analizat, të rritet fluksi i kërkesave për diagnostikime. Pjesa dërrmuese janë emigrantë. Të njëjtën gjë pohojnë infeksionistët pranë Spitalit Infektiv dhe ISHP. “Me ardhjen e emigrantëve, kemi një rritje deri në 10% të analizave krahasuar me muaj më parë. Nga sa duket, ka të bëjë me frikën nga seksi i pambrojtur i kryer prej tyre në vendet ku ata punojnë. Një pjesë i bëjnë edhe thjesht për kulturë, pasi ndryshe nga Shqipëria në vendet e BE-së meshkujt dhe femrat kryejnë të paktën njëherë në vit analizat për virusin HIV”, thonë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Ata pohojnë se është një analizë mjaft e thjeshtë, por që jep siguri jetike për personin dhe të gjithë ata që e rrethojnë. “Muaji korrik dhe gusht gjithnjë kanë pasur numër më të lartë ekzaminimesh, por këtë vit vërehet një tendencë rritjeje edhe më e madhe”, thonë mjekët infeksionistë. Ndërkaq, burime nga Spitali Infektiv, të cilat nuk duan të bëhen publike, sqarojnë se në radhët e të prekurve një pjesë e mirë janë pikërisht emigrantë, të cilët e kanë marrë virusin jashtë vendit tonë. Ndaj bëjnë apel për seks të mbrojtur. “Stina e verës njihet edhe si stina e flirtimeve dhe ndodh që të neglizhohet përdorimi i prezervativëve. Por, më shumë se asnjëherë tjetër, duhet bërë kujdes pikërisht nga këto lloj marrëdhëniesh, pasi, nëse seksi nuk është i mbrojtur, risku për të marrë një sërë sëmundjesh infektive është shumë i lartë”, sqarojnë mjekët infeksionistë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim në kryerjen e analizave. Sipas tyre, mosha e të prekurve varion nga 27-40 vjeç, çka tregon se bëhet fjalë për popullatën aktive. “Edhe pse sot në të gjitha rrethet e vendit ekzistojnë qendra ku ekzaminimet kryhen falas, numri i personave që shkojnë vullnetarisht është tepër i ulët. Mund të llogarisim se rreth 3% e popullsisë mund t’i ketë kryer, ndërkohë që numri i të infektuarve është disa herë më i lartë se shifrat zyrtare”, pohojnë specialistët. Nga të dhënat e ISHP-së, rezulton se rreth 71% e rasteve të reja me SIDA mësojnë rastësisht për sëmundjen. Ata drejtohen në spital për shqetësime të tjera me shëndetin dhe pas analizave, rezulton se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Vetëm 7% e rasteve janë paraqitur vullnetarisht pranë ISHPsë apo Spitalit Infektiv. Rreth 53% e rasteve janë diagnostikuar në stadin AIDS, fakt ky që thekson edhe një herë për një diagnostikim të vonshëm të kësaj sëmundjeje.
STATISTIKA
447 persona janë zbuluar si të infektuar me
virusin HIV në vendin tonë pas viteve ’90. Specialistët
thonë se numri është disa herë më i madh
3 për qind e popullsisë ka kryer analizat për
virusin HIV. Ndërkohë, mungon ndërgjegjësimi për
kryerjen e analizave
92% e të infektuarve e kanë marrë sëmundjen
në rrugë seksuale
81% e kanë marrë virusin në rrugë
heteroseksuale dhe 11% homo-biseksuale
65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45
vjeç, një grupmoshë seksualisht aktive
70% e rasteve janë meshkuj dhe 30% e tyre
janë femra
53% e rasteve janë diagnostikuar në stadin
AIDS, fakt ky që thekson edhe një herë për një
diagnostikim të vonshëm të kësaj sëmundjeje
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











