Evakuohet familja e parë që nga shpallja e gjendjes së emergjencës civile në vend prej dëborës. Nga fshati Vilë i komunës Temal, helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes ka transportuar për në Shkodër anëtarët e familjes Cena. Për këtë familje bëri apel vetë Presidenti Topi gjatë vizitës së tij në komunën e Temalit tri ditë më parë.
Familja banon në fshatin e thellë të komunës, thuajse në kufi me Malin e Zi, dhe dëbora e madhe e izoloi totalisht atë. Mungesa e komunikimit dhe distanca e madhe me shtëpitë e tjera të zonës krijoi alarm te vendorët. Kryekomunari Mark Zhuri, pas njoftimit nga të afërm të familjes Cena se nuk po lidheshin dot me ta, vuri në dijeni strukturat shtetërore për këtë rast. Zhuri e kërkoi ndihmën në prani të Presidentit Topi, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë u interesua për fatin e anëtarëve të familjeve që kishin edhe probleme shëndetësore.
Topi komunikoi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, prej të cilit ka marrë përgjigjen se kushtet atmosferike nuk e lejonin fluturimin. Pas qetësimit të motit dhe ndërprerjes së reshjeve të dëborës, gjatë dy ditëve të fundit u arrit të kryheshin fluturimet edhe në zonën e largët. Familja Cena është zbritur në qytetin e Shkodrës e më pas është strehuar te të afërm. Kjo është familja e parë që evakuohet me urdhër të Shtabit të Emergjencave që nga shpallja e situatës së fatkeqësisë natyrore. Dhjetëra të tjera kanë mundur të zhvendosen vetë prej zonave të rrezikuara nga ortekët apo lartësia e madhe e dëborës drejt të afërmve të tyre apo në objekte publike, siç ka ndodhur me ata të komunës Arras në Dibër. Në fakt, mungesa e reshjeve të dëborës gjatë dy ditëve të fundit ka shërbyer për nisjen intensive të operacioneve nga ajri për evakuim të sëmurësh, dërgim medikamentesh apo transportin e mjekëve në zona të ndryshme. Sipas informacioneve në Shtabin e Emergjencave të Qarkut Shkodër mësohet se gjatë ditës së premte helikopterët kanë fluturuar drejt 4 komunave të izoluara të qarkut Shkodër, si në ato të Temalit, Shalës, Shoshit dhe Pultit.
Në komunën Shosh është marrë një 60-vjeçar me probleme ftohjeje, i cili është dërguar në spitalin e Shkodrës. Edhe në Kukës helikopterët kanë transportuar për në spital dy shtatzëna në prag lindjeje nga komuna e Kalisit, ndërsa një tjetër e sëmurë është tërhequr nga fshati i largët Skavicë. Mësohet se të sëmurë janë marrë dje dhe nga komuna Fierzë për në spitalin e Bajram Currit, apo nga komuna Selishtë për në spitalin e Peshkopisë.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











