Frika dhe shpresa për të ardhmen

Jun 16, 2011 | 9:56

NDRIÇIM KULLA

Gjatë këtyre ditëve të fundit paszgjedhore e kemi hedhur shpesh për zgjidhje çështjen se: a do të vijë ndonjëherë dita, edhe pse kishim menduar se tashmë ishin pjekur kohët dhe situatat e mbërritjes së saj, kur një parti a koalicion, pasi të fitojë zgjedhjet, të gjejë përballë vetes një opozitë normale që të kontestojë edhe fortësisht politikën qeverisëse, të dalë nëpër mitingje, të fillojë pa humbur asnjë grimë kohë betejën e vet në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme, veçse me mjetet parlamentare, e jo ta quajë rezultatin (në rastin tonë vetëm për Bashkinë e Tiranës) të paligjshëm, të padrejtë, fryt i një “maskarade” të stërmadhe, i një kanibalizmi elektoral, e kushedi se çfarë tjetër mund të thuhet gjatë këtyre ditëve?
Në një ligjëratë normale politike, gjithmonë shprehjet e çuara deri në ekstrem të sjellin menjëherë në mendje dy gjëra: propagandën dhe radikalitetin, e aspak të gjitha ato qëllime “ideale” apo mbi “demokracinë në rrezik”, për të cilën ato përdoren. Propaganda ndryshe është përcaktuar edhe si “krahu ekzekutiv i një qeverie të padukshme”. E politikani që abuzon me të duhet të ketë ambicione të ngjashme: të qëndrojë i “padukshëm” ndaj elektoratit, edhe kur krahu i tij ekzekutiv, duke vepruar, shkakton entuziazëm të fortë demokratik. Politika opozitare, veçanërisht me këtë qëndrim aspak të sinqertë që po mban me elektoratin, duket se ruan brenda vetes një “qeverisje të tillë të padukshme”.
Është me të vërtetë e frikshme të mendosh se një vendim gjykate të ndajë dy “botë” të tilla si e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë, integrimi i saj europian, apo jo. Nëse kjo është vija që na propozoi opozita përtej rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, atëherë diçka e rëndë po ndodh me demokracinë që opozita ka për detyrë të baraspeshojë. Natyrisht që e ardhmja jonë europiane do të vijë, por ndërkaq, ne si elektorat, rastin për ta diskutuar dhe ndikuar në avancë do ta kemi humbur. Ja pse nevojitet syçelësi për kohën që po kalojmë, sepse kushtëzon kohën që na pret dhe çasti i pranimit të rezultatit është mundësia ideale për ta ushtruar këtë syçelësi. E kjo, sepse propaganda është vetëm Shila e politikës në rrugëtimin tonë drejt kësaj së ardhmeje. Karidba e shoqërisë sonë është sindroma e “radikalitetit”.
Është e kuptueshme që sistemi ynë i Drejtësisë nuk është ai i përkryeri që synojmë. Duke e atakuar gati “kanibalisht”, mos vallë e ndihmojmë të rritet dhe ndërgjegjësohet? Mos vallë, nëse i jep të drejtë opozitës, ai menjëherë, brenda natës, i ka hequr tej shpine të gjitha problemet që ka? Është naive ose dashakeqe t’i japësh kaq shumë përgjegjësi një kolegji. Është dashakeqe ta quash në rrezik një të ardhme a një demokraci popullore, që si duket ka votuar me një ndarje pothuajse ideale (në Tiranë) midis të dyja palëve politike. Atëherë, me ç’përgjegjësi morale, me ç’ndershmëri intelektuale a me ç’ndërgjegje politike për vendin vihet Shqipëria midis Shilës së ligjit dhe Karidbës së revoltës popullore?
Sfida e vërtetë në politikë është të mësosh të mendosh në limit. Bota është e vështirë të ndryshohet nëse nuk zbulohet më parë që gjithçka ka një limit: “Edhe përgjegjshmëria jonë. Tejkalimi i saj kthehet në një marrëzi madhështie; edhe kur ajo fshihet në sentimentet më sublime; edhe kur forcat kundërshtare marrin vërtet formën e një makthi”. Nga ana e tjetër, është po kaq e vërtetë se është gjëja më e vështirë të mësosh limitet e të themelosh mbi to jo vetëm politikën, por edhe gjithë ekzistencën. Nevojiten cilësorë jo të lehtë për t’u gjetur e zotëruar në botën përreth teje e në vetvete; nevojitet një shikim i ndarë, i distancuar nga vetja, si i atij që na sheh nga jashtë. Nevojitet një ironi e veçantë, e tipit të asaj që pyet me pamjen e shtirur besuese të mënyrës së Sokratit, por që arrin të mbrojë nga marrëzia e madhështisë.
Janë të gjithë cilësorë të domosdoshëm për të kryer atë udhëtim aq të domosdoshëm që do të prodhojë këqyrjen e thellë të vetes; skepticizmin mbi madhështinë e saj, aftësinë e të dëgjuarit në momentin e prekjes së limiteve e, së fundi, distancimin nga vetvetja. Pa kaluar nëpër një proces të tillë e nëpërmjet elementëve të tillë përbërës, uni do të fryhej, do të ndihej triumfator; rrjedhimisht, edhe vullneti i pushtetit që banon në gjithë klasën politike, por edhe në atë mediatike, do të shndërrohej në një verbim shfarosës. E, si përfundim, nuk do të arrinim t’i mësonim kurrë limitet.
E shëmbëlluar me një situatë të tillë, duket sjellja e opozitës e kaluar përtej limiteve të një reagimi. E gjithë fushata dyvjeçare e udhëhequr përmes një radikaliteti të theksuar, ndoshta mund të konsiderohet brenda saj si një strategji e ndryshme nga ato marrëdhënie të buta, bashkëvepruese dhe frytdhënëse që ajo pati me këtë maxhorancë para zgjedhjeve 2009. Ndoshta rezultati i këtyre zgjedhjeve, pra mosardhja në pushtet, çoi në analizën e gabuar se faji ishte i strategjisë së zgjedhur. Një gjë e tillë u artikulua edhe nga këshilltarët dhe ideatorët e tezës “përtej së majtës dhe së djathtës”. U quajt se mesazhi për shqiptarët i një “opozite dialoguese” ishte ende i parakohshëm, kur në fakt nuk ishte aspak kështu. Mos vallë rezultati që “korri” opozita nuk do të kishte qenë i tillë pa bojkotin parlamentar dhe me luftën ditë pas dite në Parlament? Dihet që pushteti gërryen, dhe rastet për ta bërë këtë luftë, ndoshta s’kanë munguar. Po tanimë që në Tiranë ndarja e votave më dysh për këtë opozitë, a nuk duhet të tingëllojë si eksperiment i gabuar i strategjisë së revoltës jashtë Parlamentit, dhe që përgjigjja nuk mund të jetë më vazhdimi përsëri i po i kësaj strategjie?! Përkundrazi, ajo duhet t’i kthehet strategjisë së para 2009-s.
Përbri të të ashtuquajturave “vlera të panegociueshme” që i përkasin “idealisht” çdo pozicioni politik, ekziston edhe një kategori vlerash që kanë nevojë të qeverisen (nga ajo etikë publike e parashtruar aq shpesh), për të qenë të konsensueshme e për të cilat është e patolerueshme asnjë shkujdesje që mund të shpërthejë në indiferencë. E konsensueshme ose përafërsisht e tillë, p.sh. është vlera e një sigurie sociale. Por, nga ana tjetër, nevojitet që masa dhe instrumentet që do të zbatohen për këtë qëllim të jenë të përshtatshme, të garantojnë edhe parimet e solidaritetit e respektimin e plotë të të drejtave të ligjit. Pse, vallë, këto masa që lipset të vlerësohen anashkalohen nga mentaliteti i skemave dhe stereotipat kulturorë të forcave që i përkrahin apo i gjenerojnë?
Duke u përshtatur ditëve tona një shprehje të goditur të Spinozës, mund të themi se “jemi duke jetuar edhe në politikë kohën e pasioneve të trishta”, një epokë të disgregacionit, ku lidhjet sociale të forcave politike apo partiake me shoqërinë janë këputur dhe shpresa në të ardhmen tashmë mungon.
Nëse sot qytetarët duken të kenë humbur shpresën në angazhimin si faktor transformimi, arsyeja qëndron në faktin se ndjenja mbizotëruese e kohës sonë është frika dhe pasiguria që i pengon njerëzit të kenë besim te ndryshimi dhe i gozhdon të gjithë në një lloj fatalizmi, pafuqie dhe dorëzimi pasiv. E gjithë kjo politikë apo pritje ndaj reagimit të opozitës si një prag gjëme apo humnere, të sjell në faktin e qartë se frika po konsiderohet jo vetëm një kategori psikologjike, por një kategori e vërtetë politike. Mjaft më me doktrinën e frikës, e ardhmja e këtij vendi do të dënojë këdo forcë politike që do ta përdorë atë si armë. Pikërisht për këtë gjë është e rëndësishme të mos i besojmë vetëm kodit të arsyes e të post-ideologjive, por të mbështetemi edhe te kodi i sensit të jetës dhe emocioneve, sepse siç thotë biologu i famshëm Humberto Maturana, nuk është arsyeja ajo që na bën të veprojmë, por emocioni. Le të mos harrojmë, pra, se është ngacmimi i dëshirave dhe emocioneve, e jo vetëm ai racional dhe konjitiv, shtysa sekrete që mund t’i shtyjë njerëzit të angazhohen përsëri me shpresë dhe kurajë për ndryshimin dhe të ardhmen.
Pra, nëse duam t’i ndezim sërish motorët e ndryshimit dhe të çelim një stinë të re të shpresës, që të na bëjë të dalim nga dyert e kësaj kohe të shënjuar nga pasionet e trishta, duhet të kemi kthjelltësinë ta orientojmë angazhimin tonë drejt qytetarisë në përgjegjshmërinë e tij politike dhe civile. Duhet ta transformojmë kështu shpresën nga një qëndrim psikologjik në një virtyt politik, përballë frikës si mbizotëruese të kobshme të çdo lloj aktiviteti të jetës shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura