
Gjykata e Tiranës zhvilloi dje seancën përgatitore të kërkesës së deputetit Gazmend Oketa për regjistrimin në Gjykatë të partisë “Fryma e Re Demokratike”. Në seancën e djeshme, Gjykata administroi materialet e paraqitura nga ana e kërkuesve, listën e plotë me 11 432 firmues që mbështesin regjistrimin e FRD-së, si edhe Statutin e partisë. Gjyqtari Ilir Çeliku vendosi kalimin e çështjes në seancë gjyqësore dhe caktoi datën 14 qershor si datë për zhvillimin e seancës së radhës. Në kërkesën drejtuar Gjykatës, FRD shprehet se ‘… themelohet me vullnetin e lirë të 11 432 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e bindjeve, ideve dhe interesave të përbashkëta’”. U bë e ditur se disa prej firmuesve janë Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Edlira Gjoni, Belma Muka, Sali Shehu e Andi Seferi. Në preambulën e programit të saj FRD angazhohet të jetë parti e lirisë dhe e barazisë, parti e mundësive dhe e shanseve të barabarta për të gjithë. Sipas themeluesve të saj, FRD është parti e hapur për të gjithë shqiptarët, parti e mendimit dhe e veprimit progresiv.











