FRD në Gjykatë me 11 mijë firma për t’u regjistruar

Jun 1, 2012 | 12:22
Oketa gjatë prezantimit të FRD

Fryma e Re Demokratike ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për t’u regjistruar si parti në Shqipëri. Së bashku me kërkesën është depozituar edhe lista e plotë me 11 432 firmues që mbështesin regjistrimin e FRD-së.  “Dokumentacioni përmban kërkesën, Programin minimal dhe Statutin e Partisë, të miratuara nga grupi nismëtar i themelimit të Fryma e Re Demokratike. Në kërkesën drejtuar Gjykatës, FRD shprehet se ‘… themelohet me vullnetin e lirë të 11 432 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e bindjeve, ideve dhe interesave të përbashkëta’”, thuhet në njoftimin për shtyp të FRD-së. Në preambulën e programit të saj FRD angazhohet të jetë parti e lirisë dhe e barazisë, parti e mundësive dhe e shanseve të barabarta për të gjithë. “FRD është parti e hapur për të gjithë shqiptarët, është parti e mendimit dhe veprimit progresiv. Ajo synon të përçojë këtë frymë jetëdhënëse për fatet e demokracisë në jetën e përditshme dhe në institucionet e vendit. Fryma e Re Demokratike është parti e shpresës së të gjithë shqiptarëve”, thuhet më tej në njoftimin e zyrës së shtypit të FRD-së. Statuti i kësaj partie përmban 43 nene dhe firmën e kryetarit të grupit nismëtar, Gazmend Oketa. “Ky Statut hyn në fuqi pas miratimit në komisionin nismëtar të FRD. Pas miratimit në komisionin nismëtar, Statuti mund të përmirësohet, të plotësohet ose të pësojë ndryshime. Statusi i përmirësuar, i plotësuar apo i ndryshuar, hyn në fuqi pasi miratohet nga Kuvendi i FRD”, thuhet në Statut. Në nenin 20 të këtij dokumenti thuhet se “kryetari i partisë zgjidhet nga anëtarësia e partisë sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, por jo më shumë se dy mandate në këtë post. Kryetari i partisë përfaqëson partinë në të gjitha aktivitetet politike dhe shoqërore brenda dhe jashtë vendit. Kryetari thërret Kuvendin Kombëtar, Asamblenë Kombëtare dhe Kryesinë e partisë”, thuhet në nenin 20 të Statutit të FRD-së. Gjyqtar i kësaj çështjeje është caktuar Ilir Çeliku.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura