TIRANE- Ish ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini është nderuar sot nga Bashkia e Tiranës me titullin më të lartë “Qytetar Nderi” i Tiranës.
Fratini është nderuar me këtë titull me motivacionin, për kontributin e çmuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vlerësoi maksimalisht figurën dhe rolin e Fratinit.
“Sot është një ditë veçantë, sepse personaliteti nuk merr çelësin e qytetit, sepse ai çelësat i ka pasur prej kohësh. Vendosmëria , lidershipi dhe pasioni i Franko Fratinit, rrjedh natyrshëm në gjurmët e etërve të Bashkimit Evropian.”- tha ndër të tjera Basha në fjalën e tij.
Vetë Fratini e cilësoi një nder të madh marrjen e këtij titulli. Fratini vlerësoi punën që Basha ka bërë në këto muaj në drejtim të Bashkisë së Tiranës.
“Me të vërtetë sikundër pata rastin t’ja shpreh edhe Bashës, vetëm pak muaj pas vizitës time në Shqipëri. Unë pashë ndryshime të vërteta që kanë ndodhur në qytetin e Tiranës.”- tha Fratini.
Ka qenë kënaqësi të shikoje të rinjtë shqiptarët të vizitonin Romën pa viza, vazhdoi më tej ai, duke theksuar se liberalizimi i vizave nuk ka qenë një dhuratë.
Duke dëshmuar mbështetjen e tij, Fratini theksoi se tani duhet punë e madhe pasi Shqipërinë e pret statusi i vendit kandidat.
Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri, Sali Berisha, i cili shprehi mirënjohje dhe respekt të palëkundur, ndaj, siç tha ai, njërit prej personaliteteve të shquara të politikës italiane dhe evropiane.
© Panorama.al











