
Një socialist kthehet në Presidencën franceze pas 24 vitesh.
Sarkozi pranon humbjen: Përgjegjësia është e imja.
Fransua Holande është Presidenti i ri i Francës. Pak çaste pas mbylljes së qendrave të votimit, rezultatet paraprake kanë treguar se parashikimet e sondazheve ishin të sakta.
Sarkozi ka humbur, por me një përqindje më të vogël nga sa pritej. Pjesëmarrja në votime ka qenë e lartë, rreth 81.5 për qind, ndërsa sipas paraprakeve, kandidati socialist ka fituar 51.9 për qind të votave, ndërsa ish-presidenti Sarkozi ka fituar 48.1 për qind të votave. Sarkozi e ka pritur humbjen, me gjithë deklaratat e tij optimiste në media deri në ditën e votimit se rezultati mund të përmbysej dhe votimi do të ishte një “surprizë”, pasi francezët do të mbështesnin moton e tij “për një Francë të fortë”. Nikolas Sarkozi është konsideruar presidenti më jopopullor në Francë që ka garuar ndonjëherë për rikandidimin, ndërsa Fransua Holande shpresoi fitoren e socialistëve në presidenciale, për herë të parë që nga viti 1988. Sarkozi mblodhi ministrat e tij gjatë orëve të fundit të votimit. Ai e ka mësuar rezultatin me një përqindje të ulët gabimi, që në orën 19:00. Rreth 30 minuta para mbylljes së qendrave të votimit, mund të parashikohej fare lehtë se kush kishte fituar. “Place de Bastille” ishte plot me mbështetësit socialistë, ndërsa “Place de Concorde”, ku tradicionalisht mblidhen të djathtët, ishte e boshatisur.
Holande, duke hedhur votën e tij dje në qytetin e Tulle në Francën Qendrore, dukej se kishte fjetur pak natën e kaluar. “Do të jetë një ditë e gjatë”, u tha ai reporterëve në atë qendër votimi, “U takon francezëve të vendosin nëse do të jetë një ditë e mirë”. Sarkozi, bashkë me gruan e tij Karla Bruni-Sarkozi, votoi në lagjen “chic 16” në Paris, por refuzoi të flasë me reporterët. Pritet që ai të tërhiqet nga politika, siç ka deklaruar në rast humbjeje. Ndërkohë është deklaruar se Nikolas Sarkozi nuk do të bëjë fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme për partinë e tij. Pak pas orës 20:00, Sarkozi është larguar nga pallati presidencial, “Elize”, mes thirrje të njerëzve “Fransua President!” Nëse konfirmohet deri në fund fitorja e Holandes me 51.9 për qind, ai ka kaluar fitoren e socialistit Fransua Miterrand, 51.8 për qind, në vitin 1981.
Holande pas fitores
“Do të jem President i të gjithëve, do të kthej në Francë aspiratat e popullit: … paqen, lirinë, respektin, aftësinë për t’i dhënë popullit të drejtën për emancipimin, për të shmangur rregullat e korrupsionit të paligjshëm. Përshëndes forcat politike, lëvizjet që kam drejtuar”, këto ishin pjesë të fjalimit të parë të Fransua Holandes si President i zgjedhur.
Sarkozi pranon humbjen
Nikolas Sarkozi pranoi se e humbi Presidencën. “Unë jam gati për t’u bërë një francez në mes të francezëve”, tha Presidenti në largim, duke pranuar se u mund nga Fransua Holande në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe duke pohuar se “ishte e gjithë përgjegjësia ime për këtë humbje”. “Fransua Holande është President dhe duhet të respektohet”, shtoi ai.
© Panorama.alRezultatet
Fransua Holande
51.9 për qindNikolas Sarkozi
48.1 për qindPjesëmarrja
81.5 për qind











