Fransua Holande betohet më 15 maj

May 8, 2012 | 15:22

Presidenti i parë socialist në Francë në mbi dy dekada ofron zgjidhje tjetër për krizën e eurozonës.

Merkel: Pakti fiskal nuk rinegociohet, por të hapur të dëgjojmë.

Presidenti i ri i Francës, Fransua Holande, do të ketë ceremoninë e inaugurimit të tij të martën e ardhshme, më 15 maj, e menjëherë më pas ka njoftuar se do të zhvillojë takimin e parë zyrtar me kancelaren Angela Merkel.
Ai do të ofrojë versionin e tij për zgjidhjen e krizës në eurozonë, duke kërkuar një rishikim të paktit fiskal që u mbështet nga Franca e Sarkozisë. Takimi do të ofrojë gjurmë të qarta se deri ku të dy liderët mund të përafrojnë qëndrimet e tyre të kundërta mbi rimëkëmbjen e eurozonës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas fitores së Fransua Holande tha dje se “Nuk është e mundur të rinegociohet pakti fiskal”, siç ka pretenduar Holande gjatë fushatës zgjedhore. Sipas Merkel, 25 nga 27 vende anëtare të Bashkimit Europian e kanë firmosur marrëveshjen në muajin mars dhe kjo nuk kthehet pas. Holande ka bërë thirrje për ndryshim të strategjisë për situatën financiare, duke kërkuar rinegocim të paktit fiskal për ekonominë europiane. Edhe pse kjo u refuzua, Merkel u shpreh e hapur të dëgjojë propozimet e Holande, i cili ka deklaruar se ka gati një zgjidhje pragmatike mbi mosmarrëveshjen me kancelaren Merkel, lidhur me paktin fiskal që mund të kufizojë shpenzimet qeveritare në vendet e Bashkimit Europian.
Por Merkel shtoi se ajo do të punojë mirë me z. Holande, për të cilin foli për herë të parë pas fitores së tij, të dielën në mbrëmje. “Bashkëpunimi franko-gjerman është thelbësor për Europën”, tha Merkel, duke shtuar se “Gjermania do ta presë Fransua Holande me krahë të hapura. Dhe më pas ne do të punojmë së bashku”. Merkel dhe Holande nuk patën një bashkëpunim të mirë fillimisht. Kancelarja gjermane mbështeti rizgjedhjen e kandidatit të qendrës së djathtë, Nikolas Sarkozi, me të cilin formonin çiftin “Merkozy”. Merkel refuzoi të krijojë kohë për takim me Holande ndërsa ai ishte në fushatë, e irrituar nga kritikat e tij për masat e kursimit, që janë thelbi i përgjigjes që ajo dhe Sarkozi gjetën për krizën e borxhit.

Kryeministrja e re?
Detyra e Kryeministres në Francë pritet t’i dorëzohet gruas më të famshme socialiste, Martine Obri, 60 vjeçe. Ajo njihet si shumë punëtore dhe është e famshme për hapjen e hostelit “Sangate” si sekretare e Çështjeve Sociale në Francë dhe refuzimin e ligjit që ndalonte refugjatët të mblidheshin në Kalais, për të shkuar në Britani.

Dama “Rotvajler”
Titulli “Dama e parë” në Francë, me fitoren e Fransua Holande kalon nga një ish-supermodele, tek një nënë e divorcuar dy herë. Valerie Trierveiler, 47 vjeçe, partnerja e z. Holande, do të jetë “Dama e parë” e pamartuar në Presidencën franceze. Ajo u shfaq si e dashura e Holande kur ai u nda nga gruaja me 4 fëmijë, politikania Segolene Royal, me të cilën kishte jetuar 30 vjet. E dashura e Holande ka marrë pseudonimin “Rotvajler” pasi ka qëlluar me pëllëmbë një koleg.

Sarkozi tërhiqet nga politika
Një ditë pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale, ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi deklaroi tërheqjen nga politika para mbështetësve të tij në Pallatin Elize. Sarkozi tha duke buzëqeshur se, “Për mua mbyllet një kapitull. Nuk do jem kandidat në zgjedhjet legjislative dhe as në zgjedhjet e ardhshme. Jini të qetë”, sipas të përditshmes “Le Figaro”. Ai tha se do të mbetet ende anëtar i partisë së tij, por nuk do të jetë aktivist. Sarkozi e kishte paralajmëruar këtë lëvizje, nëse do të humbiste zgjedhjet presidenciale. Ndërsa Presidenti i ri i Francës, Fransua Holande, u prit me duartrokitje kur mbërriti në zyrat e Partisë Socialiste në Paris. Holande pritet të bëjë betimin e Presidentit më 15 maj.

Presidenti Topi uroi Presidentin e ri francez, Holande
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka uruar dje paradite Presidentin e sapozgjedhur të Republikës Franceze, Fransua Zherar Zhorzh Holande. “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh përshëndetjet më të ngrohta e miqësore me rastin e fitores dhe zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Franceze! Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona do të forcohen dhe më shumë gjatë mandatit tuaj presidencial”, shkruan Topi në mesazh. “Më lejoni gjithashtu, Shkëlqesi, të shpreh dhe vlerësimin tim të thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit në BE. Duke shprehur urimet e mia më të sinqerta për sa më shumë suksese në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, theksohet në mesazhin e Presidentit shqiptar.

Kryeministri Berisha uron Holande e Samaras
Presidenti Sali Berisha ka përgëzuar dje për fitoren Presidentin e ri të Francës, Fransua Holande, si dhe kreun e partisë konservatore greke, Demokracia e Re, për renditjen i pari në zgjedhjet e përgjithshme në Greqi. “I nderuar zoti President, kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t’ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara jush”, shkruhet në mesazhin e z. Holande. Kryeministri Berisha uroi edhe z.Samaras në Greqi. “I dashur mik, me anë të kësaj letre dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta. Vendosmëria dhe vizioni Juaj janë një garanci e madhe për nxjerrjen nga kriza të Greqisë mike dhe vendosjen e saj në rrugën e prosperitetit që meriton”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e Kryeministrit.

© Panorama.al

Te lidhura