Franco Frattini merr titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës

Jul 11, 2012 | 14:55

Lulzim Basha, në emër të Bashkisë së Tiranës, nderoi dje me titullin “Qytetar Nderi” ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Fratini, në një ceremoni të organizuar në Pallatin e Brigadave. Motivacioni me të cilin jepet titulli i lartë është:
“Për kontributin e tij të çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën ‘Shengen’ dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë”. Çelësi i Tiranës iu dorëzua diplomatit italian nga Kryeministri Sali Berisha. “Jemi sot këtu për të shprehur nderimin më të madh, mirënjohjen e thellë, respektin e palëkundur ndaj njërit prej personaliteteve më të shquar të skenës politike europiane dhe ndaj mikut më të shquar të shqiptarëve. Unë jam i vetëdijshëm për mbështetjen tuaj, rolin e jashtëzakonshëm në ndihmën për Shqipërinë në procesin e integrimit, por edhe në heqjen e vizave në veçanti”, tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, diplomati italian premtoi se do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë. “Tani duhet të vijojmë rrugën, që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE. Shpreh gjithë angazhimin tim personal, që ky rezultat të ndodhë shpejt. Vlerësoj përpjekjet e bëra deri tani nga qeveria sa i përket plotësimit të rekomandimeve. Mendoj se pika kyçe është reforma elektorale dhe uroj të zgjidhet shpejt. Jam në dijeni të përpjekjeve të Berishës sa i përket heqjes së imunitetit, do jetë shenjë treguese për BE”, tha gjatë fjalës së tij Frattini, duke nënvizuar se “Shqipëria do mbetet në zemrën time gjithmonë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e cilësoi diplomatin italian si njeriun që ka fituar çelësin e zemrave të shqiptarëve. “Sot është një ditë shumë e veçantë për qytetin tonë. Personaliteti që nderohet sot, nuk merr çelësin e qytetit, se çelësat e zemrave të shqiptarëve i ka marrë prej kohësh. Vendosmëria, lidershipi dhe pasioni i tij kanë qenë të prekshme si pak akte të tjera, pikërisht për këto arsye ne kemi nderin e veçantë të paraqesim në këtë ceremoni titullin e lartë për të”, tha Basha.

Reformat në Shqipëri
“Unë i vlerësoj shumë të gjitha përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për të realizuar ato kërkesa që janë parashtruar nga Europa dhe ndër to edhe reforma elektorale, jashtëzakonisht e rëndësishme, por jam në dijeni edhe të faktit se sa të rëndësishme e konsideron Kryeministri Berisha heqjen e imuniteteve. Do të ishte një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme sa i përket transparencës dhe që do të shënonte një hap të madh përpara dhe do i jepte sipas mendimit tim Shqipërisë atë njohje që meriton edhe në sytë e Brukselit dhe të Europës, ndaj ne e mbështesim fort këtë proces politik dhe shpresojmë që përpjekjet e qeverisë të dëgjohen nga të gjitha forcat politike që janë në Parlamentin shqiptar”,
u shpreh Franco Fratini.

© Panorama.al

Te lidhura