Fototeka Marubi kthehet në një muze virtual

Aug 27, 2012 | 12:50

Ndërtesa e re ku do të vendoset fototeka “Marubi”

Projekti shpëton përfundimisht historinë e fotografisë.

Janë dhënë 100 mijë euro për dixhitalizimin e fototekës, e cila është bërë me ndërtesë të re.

Shkodër- Dixhitalizim, ruajtje, ekspozim, vizita, një botë e tërë që do të shfaqet aty. Kjo do të jetë e ardhmja jo e largët e fototekës “Marubi” në Shkodër, ku ruhet pasuria më e çmuar e fotografisë shqiptare. Plot 100 mijë euro janë dhënë për dixhitalizimin e fototekës kombëtare “Marubi” në Shkodër. Gjithçka është bërë e mundur falë bashkëfinancimit të UNDP-së me 50 mijë euro dhe rajonit të Friuli Venezia Giulias, me të njëjtën shumë prej 50 mijë eurosh. Ky projekt pritet të përfundojë në 2013-n, me ndërtimin e muzeut virtual “Marubi”. Kanë qenë përfaqësuesit e rajonit italian, Friuli Venezia Giulia, që kanë zhvilluar disa takime në Shkodër. Së pari ata kanë biseduar me kryetarin e Këshillit të qarkut, Maxhid Cungu dhe më pas janë pritur në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Lorenc Luka. Dy drejtuesit vendorë i kanë njohur me vlerat që ka kjo fototekë dhe pasurinë rreth 150-vjeçare që mbart në gjirin e saj. Më pas, delegacioni ka vizituar nga afër fototekën. Antonio Giusa, drejtor katalogimi dhe profesor i fotografisë në Universitetin e Udines, tha se kjo pasuri fotografike është shumë e rëndësishme për të ruajtur identitetin shqiptar. “Së pari jemi shumë të lumtur që sot ndodhemi këtu. Kemi takuar drejtuesit vendorë dhe kemi arritur në një marrëveshje, që i përket jo vetëm rajonit të Friuli Venezia Giulia, por të gjithëve. Objektivi ynë është të realizojmë brenda vitit 2013 muzeun virtual të

Dy nga fotot e realizuara nga dinastia e fotografëve Marubi

“Marubit”, që t’u drejtohet të gjithë atyre në Europë e botë, që vlerësojnë fotografitë më të rëndësishme në Ballkan”, ka pohuar Giusa. Sipas tij, ky projekt synon t’u adresohet edhe atyre që kanë si qëllim udhëtimet turistike në këto vende, duke filluar që nga trashëgimia kulturore. “Sot një e katërta e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit dhe kjo ka jo pak vlerë për të përcjellë këtë imazh në sytë e botës. Kjo pasuri fotografike është e rëndësishme për të ruajtur identitetin shqiptar”, ka vazhduar profesori italian. Ky projekt përfshin ruajtjen e materialeve fotografike, katalogimin e këtyre materialeve që të jenë të aksesueshme në website dhe ndërtimin e muzeut virtual, që do të jetë vetëm në web për të gjithë të interesuarit. “Kështu kjo pasuri nuk rri e mbyllur, por merr të tjera vlera. Ka shumë rëndësi që të menaxhohet mirë”, është shprehur profesori italian, Antonio Guisa. Fototeka kombëtare “Marubi” ruan rreth 500 mijë negativë të fotografive të realizuara nga fotografët më të njohur të qytetit të Shkodrës, fotografi që dëshmojnë jetën, historinë dhe kulturën e këtij qyteti, por edhe të Shqipërisë gjatë një periudhe më shumë se 100-vjeçare. Fototeka është krijuar në vitin 1970, por në fondet e saj ruhen negativë të fotografive që i përkasin një periudhe gati 150-vjeçare, duke nisur nga viti 1858.
Ndërtesa e re
Nisur nga vlerat unikale që kjo fototekë ka për vendin tonë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka menduar edhe për spostimin nga ambienti aspak i përshtatshëm ku ndodhet aktualisht kjo fototekë në një vend tjetër. Pak kohë më parë, me një fond prej 55 milionë lekësh, kjo Ministri ka bërë blerjen e një ndërtese tradicionale në një prej rrugëve më të bukura të këtij qyteti, në shëtitoren “Kolë Idromemo”, ku pritet të zhvendoset kjo fototekë. Është ndërtesa e ish-Bankës së Sigurimeve, e cila me dashamirësinë e pronarëve të saj iu shit shtetit me destinacion fototekën “Marubi”. Kjo ndërtesë që nga viti i mbrapshtë 1997 qëndronte gjysmë e shkatërruar, deri në vitin 2011 kur, pas një investimi të qeverisë shqiptare, u bë i mundur rikonstruksioni i godinës dhe i rrugës “Kolë Idromeno”, ku ndodhej kjo godinë.

RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura