Bettina Anderson u bë zyrtarisht pjesë e familjes së parë të Amerikës këtë fundjavë, duke marrë një mbiemër që tashmë është kthyer në një markë të fuqishme politike amerikane.
“Ndjehem e nderuar që po bashkohem me familjen tuaj dhe që do të luftoj përkrah teje, Don, përballë çdo gjëje që jeta do të sjellë. Të bëhem bashkëshortja jote është nderi më i madh dhe do të jem në krahun tënd në çdo moment,” tha Anderson, tashmë Trump, gjatë ceremonisë së saj para martesës, sipas një videoje të publikuar nga mikja dhe stilistja Stacey Bendet.
Megjithatë, nusja, e njohur për aktivitetin e saj të vazhdueshëm në rrjetet sociale, ende nuk ka publikuar foto nga ceremonia, pritja, fustani apo edhe menuja e eventit. Detajet nga festa luksoze e saj me Donald Trump Jr. në ishull janë mbajtur jashtëzakonisht private, edhe disa ditë pas ceremonisë.
Të vetmet sinjale kanë ardhur përmes “Instagram Stories” të saj dhe familjes Trump, edhe pse në mënyrë të kujdesshme. Në një postim të shpërndarë nga vetë nusja, tashmë me emrin @bettinatrump, ajo dhe bashkëshorti i saj shfaqin unazat e martesës me mbishkrimet: “Forever yours” dhe “Forever mine”.
Një tjetër foto tregonte një mëndafsh të bardhë të qëndisur me “Mrs. Trump”, së bashku me një pecetë kokteji ku citohej Jane Austen: “Zemra ime është dhe do të mbetet gjithmonë e jotja.”
Festimet e dasmës u zhvilluan në Little Pipe Cay, një ishull privat ultra-ekskluziv prej 38 hektarësh në Bahamas, i rezervuar për super të pasurit. Ishulli përfshin plazhe private, pesë vila luksoze me gjithsej 11 dhoma gjumi, shërbim personal “butler”, spa dhe madje edhe një kishëz private. Sipas faqes zyrtare, destinacioni mund të arrihet me një fluturim 30-minutësh me hidroavion ose helikopter nga Nassau, ose me avion privat drejt Staniel Cay aty pranë.
Për shkak se Little Pipe Cay mund të akomodojë vetëm 22 persona, disa nga të ftuarit qëndruan në ishuj fqinjë, tha për CNN një burim i afërt me organizimin e dasmës.
Kompania menaxhuese LUX Hospitality nuk publikon çmimet zyrtare të akomodimit, por sipas agjencisë së luksit Amanda Lynn Estates, kostoja varion nga 75 mijë deri në 95 mijë dollarë për natë, në varësi të sezonit. Çifti kishte zgjedhur këtë vend pasi e kishte vizituar më parë ishullin në arkipelagun Exuma.
“Ishulli është një perlë e vërtetë dhe një raritet në tregun ndërkombëtar të pasurive luksoze. Ai ofron një nivel të pakrahasueshëm privatësie dhe aktivitete ekskluzive rekreative,” deklaroi Colin Lightbourn, partner në Engel & Völkers Bahamas, në një intervistë të vitit 2023 për Luxe Infinity.
Sipas tij, ishulli është përdorur edhe si lokacion xhirimi për filma të famshëm si seria “James Bond” dhe “Pirates of the Caribbean”. Zgjedhja e këtij destinacioni nënvizon pasurinë e madhe të familjes Trump, ndërsa çifti duket se nuk është shqetësuar aspak për perceptimin publik të një ceremonie kaq elitare, shkruan CNN.
Lista e të ftuarve ishte shumë më e kufizuar krahasuar me qindra personat që morën pjesë në festën paramartesore të Anderson në Mar-a-Lago. Burime për CNN thanë se masat e sigurisë u shtuan ndjeshëm pasi vendndodhja e eventit u publikua.
Në dasmë morën pjesë vëllezërit dhe motrat e Donald Trump Jr., përfshirë Eric Trump, Ivanka Trump dhe gjysmë-motrën Tiffany Trump, së bashku me bashkëshortët e tyre. Të pranishëm ishin edhe pesë fëmijët e Trump Jr. nga martesa e tij e parë me Vanessa Trump, Kai, Donald III, Tristan, Spencer dhe Chloe, të moshës nga 11 deri në 19 vjeç.
Festimet zgjatën për disa ditë dhe përfshinë aktivitete sportive në ujërat kristal të Oqeanit Atlantik. Ivanka Trump dhe mbesa e saj Kai Trump u panë duke bërë “stand-up paddleboarding”, ndërsa Lara Trump dhe Tiffany Trump dukeshin në shëtitje me varkë, sipas fotove të publikuara në Instagram.
Lara Trump publikoi edhe disa pamje nga një prej eventeve të organizuara gjatë festimeve. Ambienti ishte dekoruar me nuanca rozë të errët, portokalli dhe të verdhë të zbehtë, me lule tropikale dhe bougainvillea në ngjyrë fuchsia, karrige prej bastuni dhe ndriçim dekorativ mbi rërë.
Vetë Lara Trump kishte veshur një fustan portokalli-të kuq të markës Andreeva me detaje pendësh, ndërsa Eric Trump ishte shfaqur më casual, me xhinse të bardha, këmishë lino blu të çelët dhe atlete të bardha.
Nga ana tjetër, Ivanka Trump publikoi një foto nga ambienti privat ku po qëndronte, ku shihej një jastëk i personalizuar me mbishkrimin “Little Pipe Cay” mbi një divan dite, si dhe një bust mermeri mbi një tavolinë mahogani.
Ajo kishte zgjedhur një fustan plissé të Cult Gaia në nuanca të kuqe-portokalli, të kombinuar me këpucë të arta pa taka. Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ishte veshur më sportiv me pantallona, këmishë blu të errët dhe atlete “slip-on”.
Presidenti Donald Trump nuk mori pjesë në ceremoninë e dasmës, pasi qëndroi në Shtëpinë e Bardhë gjatë fundjavës, duke zhvilluar telefonata me liderë të Gjirit Persik lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje paqeje me Iranin.
“E konsideroj të rëndësishme të qëndroj në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë kësaj periudhe të rëndësishme. Urime Don dhe Bettina!” shkroi presidenti në rrjetet sociale të premten.
Edhe zonja e parë, Melania Trump, e cila ndodhej në klubin presidencial në Bedminster, New Jersey, nuk mori pjesë në dasmë.
© Panorama.al





























