Foto Strakosha: Me futbollin shpreh karakterin, me kërcimin, dashurinë

Apr 29, 2012 | 13:20

Ai është komentuar gjithmonë si legjenda e portës kuqezi. Adrenalinën e të ngriturit peshë nga lojtarët e skuadrës si një portier që ka kapur shumë rekorde në fushë, kurrë nuk e kishte imagjinuar se do ta zëvendësonte me emocionin e veçantë tek ngre një balerinë si partneren e tij në “Dancing with the stars”. Por ai ecën me filozofinë që në jetë duhen provuar të gjitha. Dikur quhej “greku” që jetonte në Shqipëri, më vonë “shqiptari” me famë në Greqi, dhe tashmë një emër i madh në futboll. Në gjithë karrierën e tij ka provuar edhe të pozojë për kopertina revistash për meshkuj, të shijojë martesën prej dy dekadash, të provojë pengesa e të ngopet me lavdi. Foto Strakosha për herë të parë nuk flet për futbollin. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama” zbulon anën romantike që fshihet pas karakterit të tij të fortë, ndërsa flet për ndjenja dhe para.
Shfaqja juaj në spektaklin “DWS” ishte vërtet surprizuese. Ishit në dilemë për ta pranuar këtë ofertë nga frika se mos paragjykoheshit?
Sigurisht që nuk do e kisha imagjinuar veten në një garë të tillë. Por një miku im, që unë i besoj shumë, ma bëri fakt të kryer dhe unë s’mund ta kundërshtoja. Mund të them se duke njohur tipin tim ata që u çuditën në marrjen e këtij vendimi ishin pa dyshim bashkëshortja dhe dy djemtë, por më shumë shoqëria ime, që fillimisht e quajtën një shaka nga ana ime.
Pranimi i kësaj oferte ndoshta lidhet me mbylljen e karrierës si lojtar në fushë shtatë vite më parë, apo jo?
Të them të drejtën, kërcimi ka qenë një tabu për mua, por tani që po e provoj kënaqësinë e të kërcyerit, them se vërtet paskam humbur shumë nga jeta. Megjithatë nuk jam i vetëm nga raca e futbollistëve. Pjesë e kësaj gare u bë në Itali dhe ish-futbollisti shumë i njohur italian, Cristian Vieri, dhe tingëlloi bukur tek unë pjesëmarrja e tij.
Në karrierën tënde si futbollist, fansat e tu kanë qenë kryesisht meshkuj. Ky spektakël do mund të të sjellë tashmë në vëmendjen e femrave…
Jo s’ma merr mendja, pasi asnjëherë se kam mbajtur veten për don zhuan, as kur kam qenë më i ri dhe as tani që jam 47 vjeç. Nuk jam në gjendje ta gjykoj këtë që po më thoni, po dhe të mendoj se me prezencën time fitoj ose jo fanse femra, ky nuk është nga synimet e mia.
Tani që je pjesë e DWS, ke ambicie për ta fituar ti kupën. Cilin prej tyre sheh si pretendent të fortë?
Unë në fakt e nisa garën dhe po e vazhdoj me një sportivitet e dëshirë për të kaluar mirë. Por ndërkohë e kam marrë me seriozitet, sepse nuk dua thjesht të votohem për emrin tim, por për atë sukses që unë do arrij të realizoj në kërcim. Ndiej konkurrencë të fortë në “Dancing” mes personazheve VIP që garojnë sa me ambicie të fortë, po aq edhe me ëmbëlsi. Mua më duken të gjithë pretendentë për ta fituar atë kupë.
Pak më sipër përmendët familjen. Familja juaj përbëhet nga…
Unë jam martuar në moshën 26-vjeçare me Adelinën, dhe vazhdojmë të jemi bashkë. Ndërkohë që numërojmë 30 vite që njihemi. Dhurata më e bukur që ajo më ka bërë janë dy djemtë tanë, Dhimitri 20 vjeç dhe Tomasi 17 vjeç, i cili ka ndjekur rrugën time duke u komentuar si talent i portës. Unë jam një baba i rreptë dhe pres gjithmonë shumë nga ata.
30 vjet me një grua nuk janë pak, duke pasur parasysh jetën plot tension të një futbollisti si ju. Si ka rezistuar kjo lidhje?
Faktikisht janë disa arsye që na kanë mbajtur gjithmonë bashkë me Adelinën, por që janë dhe personale. Më e rëndësishmja është sakrifica e saj për të qenë pranë djemve, duke u dhënë një edukatë të mrekullueshme. Më parë nuk e kuptoja shumë sakrificën e saj, por tashmë që djemtë janë rritur po e kuptoj shumë mirë.
Jeta juaj ndahet në tri epoka, fillimet e tua me “Minatorin” në Memaliaj, karriera në Greqi, dhe tashmë në Shqipëri. Suksesi yt i përkthyer në para, sa vlen?
Hamendësitë kanë qenë të ndryshme në lidhje me paratë. Por unë mendoj se më shumë ka qenë karrierë e përkthyer në lavdi. Di të them që pankartat apo brohoritjet me emrin tim më kanë bërë të ndihem gjithmonë borxhli dhe ato nuk kanë çmim.

Foto Srakosha: Pikat e dobëta të një futbollisti
Shpesh ka pohuar se idhujt e tij kanë qenë Alen Delon dhe Silvester Stalone. Në revistat e famshme greke për meshkuj, ka pushtuar kopertinat me imazhin e mashkullit të fortë. Por cilat mund të jenë pikat e dobëta të një futbollisti si Strakosha, ai i zbulon vetë.
Gjithmonë flitet për krizën e 40-vjeçarit te meshkujt. E keni kaluar një të tillë?
E kisha me të dëgjuar që momenti më i vështirë për një futbollist, është momenti kur largohesh nga fusha dhe mua më përkoi pikërisht ky largim me moshën 40-vjeçare. Natyrisht që e përjetova.
Futbollistët janë njerëzit më të komentuar dhe të paguar në të gjithë botën. Çfarë e bën kaq tërheqës një futbollist?
Është e vërtetë për faktin se në sport duhet të jesh shumë i veçantë, dhe veçantia të bën spektakolar e të pëlqyer si futbollist.
Një futbollist është fat ta kesh në shtëpi apo problem?
Ata që nuk e kanë një të tillë, besoj se thonë që është fat. Ndërsa ata që e kanë futbollistin në shtëpi, jam i bindur që e dinë se çfarë sakrifice duhet. Është shumë e vështirë se, qoftë nga ana psikologjike apo fizike, do përkushtim të jashtëzakonshëm.
Strakosha është tip romantik apo aventurier?
Ndonjëherë jam romantik, por romantik normal. Nuk e vuaj, thjesht përjetoj momentin, pasi jam natyrë shumë sportive dhe shpesh gjërat i marr me të qeshur.
Gjatë gjithë karrierës sate ke marrë oferta të çuditshme për të qenë imazh i ndonjë marke?
Kam marrë shpesh oferta të çuditshme, por nuk dua t’i përmend.
Një futbollist me famë ku ndryshon nga një artist me emër?
Artisti depërton në publik me brendinë e tij artistike, ndërsa futbollisti ka armë të fortë fizikun e tij. Një futbollist është i rreptë me veten.
Nëse do të bëje dallimin mes futbollit dhe kërcimit, si do mund ta bëje?
Me anë të kërcimit i shpreh të gjitha – dashurinë, lumturinë, qoftë dhe trishtimin. Ndërsa futbolli është një profesion, që kërkon karakter të fortë, pasi gjykohesh pa fund. Në futboll duhet t’i harrosh problemet dhe sentimentalizmat, është profesion i ashpër dhe i rrezikshëm.
Cila ka qenë zotësia jote për t’ia dalë në jetë?
Zotësia e njeriut është si të ngrihet pasi rrëzohet. Mendoj që dhe unë e kam këtë zotësi.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura