Më shumë trupa e automjete të karabinierëve janë parë mëngjesin e së shtunës mbi urën e lumit Ibër.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës mbylli pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat në veri – aksion ky që u dënua nga ndërkombëtarët.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se që nga e premtja më nuk do të operojnë komunat paralele të Qarkut të i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, e Zveçanit, e Zubin-Potokut dhe e Leposaviqit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë që në këto objekte lëshoheshin dokumente të falsifikuara. Aksion ka pasur edhe në një spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se aty mund të ketë armatim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe e aktorë të tjerë janë shprehur të shqetësuara e zhgënjyera nga ky aksion, duke e quajtur veprim të pakoordinuar të Qeverisë.
Ura e Ibrit ka qenë temë e nxehtë muajve të fundit që kur Qeveria ka shprehur insistimin për hapjen e saj, e bashkësia ndërkombëtare ka bërë të ditur se nuk e mbështet një gjë të tillë.
Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al