Foshnjat, 3% lindin me anomali që u shpëtojnë EKO-ve

Jun 13, 2011 | 11:10
Shefi i Obstetri-Gjinekologjisë, Astrit Bimbashi

Anomalitë më të shpeshta pas lindjes, te fëmijët janë ato të trurit dhe të zemrës, të cilat nuk mund të kapën përgjatë shtatzënisë.Janë rreth 3% e të sapolindurve që regjistrohen më sëmundje të ndryshme gjenetike. Probabiliteti është më i lartë  kur nënat nuk kryejnë ekografitë. Megjithatë, janë të shumta rastet që sëmundje të tilla shfaqen edhe kur ekzaminimet gjatë shtatzënisë kanë qenë të rregullta. Këtë problematikë ngritën mjekët obstetër-gjinekologë, gjatë Kongresit Kombëtar të Mjekësisë Perinatale. Ata diskutuan gjithashtu për metodat e reja kontraceptive, tashmë jo vetëm si një prej zgjidhjeve më të efektshme për planifikimin familjar, por edhe për trajtimin e një sërë problemesh hormonale të femrave. Gjatë kongresit, ku merrnin pjesë mjekë shqiptarë e të huaj, u theksua se vdekshmëria foshnjore por edhe ajo amtare, janë ulur ndjeshëm. Por, anomalitë e trurit dhe të zemrës në jo pak raste u shpëtojnë ekografive. “Fetusin e shohim si një individ që në ditët e para të jetës në barkun e nënës. Por, kemi edhe raste të cilët nuk mund të identifikohen me ekografi, siç janë sëmundjet e zemrës, trurit dhe ato gjenetike”, u shpreh Astrit Bimbashi, shefi i shërbimit të Obstetri-Gjinekologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni”. Sipas tij, jenë prindërit duhet të kryejnë analizat dhe të bëjnë konsultat me mjekët për mundësinë e shfaqjes së këtyre lloj sëmundjeve, të cilat trashëgohen nga mospërputhja e gjeneve tek të dy prindërit.
Kontraceptivët
Jo vetëm si metodë e planifikimit familjar, por edhe si zgjidhje për probleme që shkaktohen nga çrregullimet hormonale të femrave apo cisteve, që shpesh u krijojnë atyre shqetësime madhore e deri në sterilitet. Sipas mjekëve specialistë, përdorimi i kontraceptivëve është i nevojshëm sidomos në periudhën e dytë të fertilitetit pas moshës 30 vjeç, kur shprehen edhe më shumë çrregullime të tilla. “Duhet të hiqet ideja se kontraceptivët japin efekte anësore. Në vendet e Bashkimit Europian, deri në 40% e femrave përdorin normalisht një kontraceptiv. Tek ne shifrat flasin për më pak se 11%. Megjithatë, ne ua përshkruajmë pacienteve tona për problemet e ndryshme hormonale që kanë”, tha Astrit Bimbashi, shefi i shërbimit të Obstetri-Gjin-ekologjisë. Ai theksoi se tashmë ka si mundësi zgjedhje kontraceptive me bazë natyrale, të cilët kanë estrogjen natyral.” “Qlaira është njëra prej tyre. Është pothuajse e njëjtë me hormonet që prodhon trupi i gruas dhe me një progresteron, i cili mbron prej të gjitha efekteve anësore. Kjo e bën një produkt të tillë që te jetë i pranueshëm nga të gjitha moshat e grave deri në 50 vjeç, kur 10 vjet më parë as mund të mendohej se një grua në këtë moshë mund të merrte një terapi dhe është e sigurt për atë që merr”, tha Bimbashi.

Reduktimi i gjakderdhjes tek femrat

Pilula kontraceptive redukton gjakrrjedhjen menstruale me 88 për qind pas gjashtë muajve trajtim, krahasuar me pikënisjen. Reduktimi fillon të ndihet që pas muajit te parë. Niveli i ulët në gjak i hekurit (Ferritinës), si pasojë e humbjes se gjakut që ka pasur gruaja, arrin të rikuperohet menjëherë në mënyrë  sinjifikative nga përdorimi i Qlairas. Mjekët në fund këshillojnë që grupmosha e femrave që rekomandohet të përdorin pilulën e kombinuar duhet të jetë mbi 35 vjeç dhe të mos pinë duhan.

Statistikat, 400 fëmijë me probleme në zemër

Sikurse bëhet e ditur, defektet kardiake janë një ndër shkaqet e vdekshmërisë foshnjore në vendin tonë. Nga të dhënat më të fundit raportohet se në 50 mijë lindje në vit, 400 fëmijë kanë probleme në zemër. Sipas specialistëve, nëse ato do të kapeshin më herët, shanset për shërim të plotë do të ishin shumë të mëdha, ndërsa edhe vdekshmëria si rezultat, do të ishte në përmasa më të vogla. Shumë raste kapen me këto defekte, vetëm kur janë në një fazë mjaft te përparuar, ndaj ngritja e qendrës është e domosdoshme.

200 foshnja
operohen çdo vit në pavijonin e kardiokirurgjisë në QSUT, si pasojë e defekteve të lindura në zemër apo në rrugët e qarkullimit të gjakut

40 per qind
e femrave përdorin normalisht një nga metodat moderne kontraceptive në vendet e Bashkimit Europian.
Te ne shifrat flasin për më pak se 11%

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura