Forumi ekonomik, Berisha fton biznesin gjerman

Jun 20, 2012 | 10:10

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti forumin ekonomik gjermano- shqiptar, ndërsa ftoi investitorët gjermanë të rrisin investimet e tyre në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryeministri e vuri theksin tek sektorët energjitikë dhe minerarë. Kreu i qeverisë vlerësoi investimet gjermanë të 20 viteve të fundit si pjesë të suksesit të zhvillimit të vendit tonë.

“Në dy dekadat e kaluara kombi juaj ka qenë sponsor kryesor në Shqipëri, e angazhuar në qindra projekte në shumë fusha. Kjo ndihmë ka qenë faktor i rëndësishëm në trasformimet e Shqipërisë në këto 20 vite. Shumë kompani operojnë në Shqipëri dhe i kanë shndërruar investimet e tyre në histori suksesi”- tha kryeministri.

Kryeministri Berisha u premtoi biznesmenëve të pranishëm se qeveria e tij do të vazhdojë  me lehtësirat fiskale dhe heqjen e burokracive.

Ambasadorja gjermane e akredituar në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në këto 20 vite. Ajo theksoi se shumica e investitorëve gjermanë që operojnë në Shqipëri janë të kënaqur me rezultatet e arritura dhe optimist për të ardhmen, por shtoi se shqetësime mbeten sërish kuadri ligjor, lufta ndaj korrupsionit si dhe TVSH-ja.

© Panorama.al

Te lidhura