
Rebelët libianë, me qeverinë e tyre tashmë të legalizuar nga vendet më të fuqishme të botës, kanë hyrë dje në fortesën e Muamar Gedafit dhe kanë bastisur edhe bunkerin e tij, por nuk kanë mundur ta gjejnë kolonelin.Forcat e Gedafit gjatë orëve të pasdites i kanë pushuar të shtënat kundër rebelëve, por luftimet thuhet se vazhdojnë ende. Ndërsa luftimet vazhdojnë, forcat e Gedafit kanë marrë peng gazetarët e huaj që ndodheshin në hotel dhe një ish-kongresmen amerikan. Sipas CNN-it, ka të shtëna të vazhdueshme dhe në konfliktin mes trupave të kryengritësve dhe besnikëve të Gedafit janë përfshirë edhe fiset që e mbështesin atë. Tashmë është e sigurt se rezidenca Bab Al Azizia është në duart e rebelëve, të cilët po ndihmohen vazhdimisht edhe nga NATO-ja. Pas një takimi mes Presidentit amerikan, Barak Obama dhe atij francez Nikolas Sarkozi, u ra dakord që ndihma ndaj rebelëve të vazhdojë dhe aksioni të shkojë deri në fund. Lajmet nga Libia janë herë pas here të kontestueshme, si rasti i arrestimit të djalit të Gedafit,

Saif al Islam, i cili u doli përpara kamerave në Tripoli, vetëm pak orë pasi u njoftua se ai ishte në duart e rebelëve. Po ashtu ai tha se edhe babai i tij është në Tripoli. Por, vendndodhja e Gedafit mbetet mister, pasi ai nuk u gjet në bunkerin e tij. Pamjet televizive kanë treguar forcat rebele që godisnin ushtarët besnikë të Gedafit, të cilët kishin reshtur luftimet dhe ishin arrestuar prej tyre. Autoritetet ndërkombëtare bëjnë thirrje për vigjilencë, pasi, sipas tyre, këto janë orët e fundit të Gedafit, por lufta nuk ka mbaruar. Avionët e NATO-s fluturojnë ende mbi qiellin e Tripolit. Gjatë ditës ka pasur sulme me artileri të rëndë dhe raketa nga forcat e Gedafit drejt Misratës dhe qyteteve të tjera. Luftimet vazhdojnë ende, madje gazetarët e huaj në hotelin “Rixos”, nuk po dalin dot prej tij. Ka pasur bombardime edhe në jugperëndim të Libisë, si përgjigje ndaj sulmeve të rebelëve. Në Tripoli, i cili është shpallur prej rebelëve i fituar, është hequr flamuri i gjelbër i Gedafit dhe është vendosur flamuri i tyre, pikërisht mbi fortesën e kolonelit, Bab al Azizia. Edhe statuja e kolonelit është rrëzuar, dhe simboli i forcës së tij, një grusht i artë që shtyp një avion amerikan. Në bunkerin tij është gjetur një arsenal i madh armësh dhe dyshohet se koloneli apo edhe disa mbështes të tij mund të kenë qenë aty deri në minutat e fundit. Aty janë gjetur enë të nxehta. Për kolonel Gedafin po kërkojnë edhe agjentët e agjencisë së shërbimit sekret britanik. Mes euforisë së rebelëve po vazhdojnë edhe thirrjet e ndërkombëtarëve për të mos e vrarë atë dhe djemtë e tij, por për t’ia dorëzuar Drejtësisë ndërkombëtare. Ministri italian, Franko Fratini, tha se Gedafi dhe djemtë e tij duhet të gjykohen nga Haga.
Gedafi është gjallë
Dje u përgënjeshtruan edhe zërat se lideri libian mund të jetë vrarë nga rebelët. Pas raportimeve të disa mediave perëndimore, koloneli është cituar nga “Interfax”:
“Unë jam gjallë dhe jam i shëndetshëm. Televizionet perëndimore raportojnë gënjeshtra”, ka deklaruar Gedafi në mesazhin e tij për agjencinë ruse të lajmeve.
Armët kimike mbikëqyren nga Shtetet e Bashkuara
Në Libi ka edhe disa depozita armësh kimike të akumuluara nga Muamar Gedafi. Sipas mediave amerikane, ekspertët amerikanë po i mbikëqyrin ato duke ndjekur hap pas hapi rrjedhën e ngjarjeve në Tripoli. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, kolonel Deiv Leplan, tha se rebelët kanë kryer hapa përpara dhe se kolonel Gedafi nuk është arratisur jashtë vendit. Për këtë arsenal thuhet se janë kryer bisedime mes Këshillit Kombëtar të Tranzicionit dhe SHBA-ve, për të evituar që këto armatime të bien në duart e gabuara.
NATO: Jo trupa tokesore ne Libi
Zyrtarë të NATO-s kanë vendosur të mos përfshihen në operacione tokësore në Libi, ndërsa situata duket në avantazhin e rebelëve. Zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike, Oana Lungescu, gjatë një konference për shtyp siguroi se “NATO nuk ka dhe nuk do të ketë trupa në terren, në Libi”.
© Panorama.al











