Formula “Gjashtë minus një” ndaj Kosovës qëmoti po zbatohet, por me Gjermaninë duhet kujdes

Sep 10, 2024 | 7:47
SHPËRNDAJE

auth_Augustin_Palokaj1487143494AUGUSTIN PALOKAJ

Gjeneratat e reja si ndaj punëdhënësve, ashtu edhe ndaj partnerëve janë mësuar se sa benefite ka kur thonë JO. Psikologët, këshilltarët dhe shkrimtarët e sociologët kanë bërë miliona duke shkruar libra apo disertacione për “Benefitet e të thanit JO”. Për gjeneratat e reja është e paimagjinueshme të rrinë në një vend pune për disa dekada. Është e paimagjinueshme të durojnë shefat apo të pajtohen me gjithçka që thonë të tjerët, vetëm pse ata kanë autoritet.

Kjo kohë ka shkuar. Duket se një ndryshim i tillë ka ndodhur edhe në Kosovë. Nga një gjeneratë politikanësh që ishin mësuar që për gjithçka të thonë PO kur kërkojnë miqtë ndërkombëtarë, tash kemi në pushtet një gjeneratë e cila për gjithçka po thotë JO. Dhe ata që kanë autoritet nuk e pëlqejnë përgjigjen JO, sado që mund ta kuptojnë pse dikush e thotë atë. Kosova e ka gjetur veten në një realitet mjaft të papërshtatshëm. Është në momentin kur po u thotë JO të gjithëve, edhe kundërshtarëve, por edhe miqve të Kosovës. Dhe vërtet duhet qeveria ta pyesë veten a ka mundësi që ajo të ketë të drejtë e të gjithë të tjerët ta kenë gabim? Sepse nuk janë më vetëm disa diplomatë amerikanë të zhgënjyer me veprimet e Kosovës, por të gjithë, bile edhe ata që janë në pension.

Nuk janë më vetëm disa vende të BE-së, por shumica e madhe. Nuk janë të pakënaqura me Kosovën vetëm 5 vendet që nuk e kanë njohur, pastaj Franca e Italia, por tash janë edhe Gjermania dhe Britania. Është e padrejtë dhe joparimore qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, por kjo qeveri deri tash është dashur ta kishte kuptuar se në diplomaci nuk mjafton të kesh të drejtë. Duket se grupit të të zhgënjyerve me thënien JO për gjithçka nga ana e Kosovës i është bashkuar edhe Gjermania. Dhe kjo u pa qartë në një intervistë për “Interaktiv” në KTV nga i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

Zhgënjimi i tij ishte aq i dukshëm, saqë kërcënoi Kosovën për izolim rajonal, duke e fajësuar për bllokim të CEFTA-s dhe duke paralajmëruar se, në rast se Kosova nuk pranon kompromis, mund të vazhdohet me formulën “gjashtë minus një”. Me fjalë të tjera do të vazhdohet pa Kosovën. Sarrazin në këtë intervistë u duk si një burokrat i BE-së, edhe pse fliste në emër të shtetit të tij. Kjo dëshmon se nuk ka më hapësirë për Kosovën që të llogarisë se dikush do t’i dalë në mbrojtje. Sepse nuk i ka më prapa Amerikën, Gjermaninë e Britaninë, për Francën e Italinë as të mos flitet, nuk mund të pritet që Kosovën ta mbrojnë disa parlamentarë apo analistë e NGO apo vende të vogla të BEsë.

Sepse, edhe nëse pajtohen se Kosova ka të drejtë, e në fakt Kosova ka të drejtë në të shumtën e rasteve, nuk do të dalin kundër vendeve të QUINT-it. Intervistën e Sarrazinit, sikur edhe bisedat që kanë pasur me të në të dyja vizita në Prishtinë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës duhet t’i marrin shumë, shumë, shumë seriozisht.

Të mos hyjnë më në aventura të spekulimeve se në emër të kujt flet ai, a ka aspirata ndoshta në diplomacinë e BE-së apo jo, a është kërcënimi i tij se do të vazhdohet pa Kosovën me pesë vendet e tjera të rajonit apo jo. Sepse Sarrazin është duke biseduar me aksionarët e Procesit të Berlinit dhe, përderisa të mos e zëvendësojë Qeveria e vendit të tij, flet në emër të Gjermanisë. Nëse Gjermania pajtohet se mund të vazhdohet me nismat rajonale pa Kosovën, atëherë Kosova nuk duhet të presë se do t’i dalë dikush në mbrojtje. As nga Shqipëria nuk do të ketë mirëkuptim për Kosovën e lëre më angazhim që të mos përjashtohet Kosova. Mali i Zi edhe ashtu mezi po pret që t’iu bashkohet nismave të udhëhequra nga Beogradi si “Ballkani i hapur”.

Se “Ballkani i hapur” udhëhiqet nga Beogradi e tha edhe Sarrazin. Pra, Shqipëria aty është vetëm në shërbim të legjitimimit të kësaj nisme. Ndërsa nga Bosnja edhe ashtu nuk ka çfarë të presë. Moldavia nuk e njeh Kosovën. Para ardhjes së kësaj qeverie kishin pranuar shumë më pak në CEFTA sesa që tash kërkohet. Kishin pranuar që Kosova përmes UNMIK-ut të marrë pjesë, në mënyrë që të përfitojë nga ky treg rajonal dhe të mos mbetet jashtë. Kërkesa e Gjermanisë është kompromis, nuk është në përputhje me aspiratat e Kosovës, e ndoshta i shkon më shumë në favor Serbisë. Por cila është alternativa? Kosova ka më së paku interes që të vihet në pikëpyetje Procesi i Berlinit. Sepse është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si e barabartë edhe në substancë, edhe në simbolikë. Është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si shtet, me flamur, dhe ku presidenti dhe kryeministrat e Serbisë dalin në foto pa kërkuar që të hiqet nga aty flamuri i Republikës së Kosovës.

Prandaj Beogradi ka më shumë interes të promovojë nismat si “Ballkani i hapur”, sepse aty Kosova nuk do të merrte pjesë si e barabartë. Sarrazin për herë të parë pranoi publikisht atë që të gjithë në Bruksel, Berlin, Tiranë e Beograd e dinë, se Gjermania ka qenë kundër nismës “Ballkani i hapur”. Edhe BE-ja ka qenë kundër, ndërsa mbështetja që ka shprehur komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi, ka qenë më shumë shërbim personal për presidentin e Serbisë, Vuçiç, me porosi të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Beogradit prandaj do t’i shkonte në favor çfarëdo dobësimi i Procesit të Berlinit. E sa i përket qasjes “Gjashtë minus një” ndaj vendeve të rajonit, ku Kosova mbetet jashtë, BE-ja tashmë është duke e zbatuar. Vetëm Kosova ka masa ndëshkuese nga ana e BE-së, të cilat nuk do të hiqen. Edhe pse aty-këtu flitet se do të donte të hiqen masat, as Gjermania nuk është angazhuar në Bruksel që heqja të ndodhë. Dhe nuk do të ndodhë. Për më tepër mund të shtohen masat. Vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidati. Vetëm kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk është shqyrtuar fare. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë përfshirjes në Komitetin Politik dhe Social të BE-së, që është institucioni i parë i BEsë, i cili në gjirin e vet ka pranuar pjesëmarrës nga vendet e procesit të zgjerimit.

Vetëm për Kosovën, BE-ja pranon dokumente zyrtare të lëshuara nga një shtet tjerët me adresa të qyteteve të Kosovës si pjesë të atij shteti. Vetëm në rastin e Kosovës bashkësia ndërkombëtare pret që të thuhet PO për çdo kërkesë. Ndërsa kur Serbia thotë JO, atëherë kjo kuptohet si “vendim i një shteti sovran” dhe se BE-ja, Gjermania apo Franca “nuk duan t’i mbajnë ligjërata”.

Jo vetëm Franca e Hungaria, por tash edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë angazhuar që të relativizohet problemi i raporteve të mira të Serbisë me Rusinë. U pa kjo kur në mënyrë shumë arrogante Sarrazin iu përgjigj me kundërpyetje gazetarit të KTV-së kur u pyet për lidhjet e Serbisë me Rusinë. Ai e pyeti gazetarin se çka mendon Qeveria e Kosovës për interesin e Turqisë që të marrë pjesë në BRICS?

Një politikani të një shteti demokratik, ku dihet roli i mediave të lira, nuk duhet t’i ndodhë një gafë e tillë që për shkak të pakënaqësisë me një qeveri të vendit të tij t’i bëj pyetje gazetarit. Por është e vërtetë se përfitimet që po i bën Turqia duke mos mbështetur sanksionet ndaj Rusisë janë irrituese për BE-në dhe Turqia bën më shumë dëme sesa Serbia. Por çfarë faji ka këtu Kosova, e aq më pak gazetari kosovar? Por të gjitha këto duhen lënë anash. Dhe Kosova duhet ta kuptojë se ka pasoja serioze kur të gjithëve, për gjithçka iu thuhet JO. Tash Kosova është në atë moment.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura