
Nga data 26-30 gusht zhvillohet edicioni i 5-të i festivalit.
Regjisori i “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” nderohet me Gladiatorin e Artë.
Jo vetëm në vitet ’80, por edhe më vonë ai do të ishte një film-hit. Një film dramatik muzikor, këngët e të cilit u bënë refren për breza me radhë. Kush nuk e ka kënduar ndonjëherë këngën “Let the sunshine in” (“Aquarius”) apo nuk është mallëngjyer kur flokët e gjatë të Bergerit binin të qethur përtokë, ndërkohë që Klod takonte Sheilën për herë të fundit para se të shkonte ushtar në Vietnam. Në vitin 1979, Milos Forman e kishte kapur famën me filmin “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes”, i cili i kishte dhuruar plot 5 “Oskar” me aktorin e madh Jack Nicholson, por “Hair” (“Flokët”) do ta bënte atë edhe më popullor. Pas tyre do të vinin të tjerë filma të mëdhenj, si “Amadeus”, fitues i tetë statujave “Oscar”,

mbështetur mbi dramën e Peter Schaffer mbi kompozitorin Wolfgang Amadeus Mozart, “Fantazma e Gojas” mbi piktorin spanjoll Goja, ku interpretojnë Natalie Portman, Javier Bardem etj. Është pikërisht regjisori i këtyre filmave, Milos Forman, i ftuari i nderit në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, që do të mbahet nga datat 26 – 30 gusht. Është parashikuar që ditën e fundit të festivalit, regjisori amerikano-çek të zhvillojë një takim pyetje-përgjigje me kineastë, studentë dhe dashamirës të kinemasë, ku ai do të zbulojë paksa nga magjia prej mjeshtri dhe ndoshta edhe prapaskena të filmave që kanë bërë histori. Ndërsa në ceremoninë përmbyllëse të festivalit, Forman, fitues i sa e sa çmimeve të mëdha kinematografike (“Oscar”, “Golden Globe”, “Bafta”, “Cesar”, etj.) do të nderohet me çmimin e Gladiatorit të Artë për Karrierën.
Festivali
Përgjatë pesë ditëve, në Amfiteatrin e lashtë Romak dhe në teatrin “Aleksandër Moisiu” do të zhvillohet për të pestin vit Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës. Edhe këtë herë do të shfaqen për publikun prodhimet më të fundit të kinemasë botërore, por edhe retrospektivë, që do të sjellë në vëmendje emra kineastësh apo filma që kanë lënë gjurmë. Konkurrimi zyrtar konsiston në vlerësimin e 8 filmave të metrazhit të gjatë, në seksionin “Vizioneve bashkëkohore”, të përzgjedhur në mes produksioneve më të reja europiane, si dhe 6 filmave në seksionin “Botë ballkanike”, prodhimet më të reja të vendeve të rajonit. Juria ndërkombëtare e “Vizioneve bashkëkohore” do të japë çmimin më të rëndësishëm të festivalit, “Gladiatorin e Artë”, për filmin më të mirë, bashkë me çmimet e tjera për regjisorin, aktorin dhe aktoren më të mirë. Juria internacionale në edicionin e 5-të të Festivalit të Filmit Durrës përbëhet nga aktori Mirush Kabashi- president i jurisë, regjisorja dhe drejtoresha e Teatrit të Kosovës Burbuqe Berisha dhe regjisorja italiane Laura Bispuri. Ky edicion do të sjellë edhe seksionin e dokumentarit ndërkombëtar, i përqendruar në problemet politike dhe sociale dhe të filmit të shkurtër. Në bashkëpunim me Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Universitetin e Arteve dhe Akademitë e Kosovës dhe Maqedonisë, Festivali do të organizojë sërish seksionin konkurrues për “Filmin e shkurtër të studentëve shqiptarë”. “Festivali i Filmit në Durrës serish synon një audiencë të re”, është shprehur drejtoresha e festivalit, Anila Varfi. “Jemi në këtë rrugë, sepse shumë të rinj nga universitetet, shkollat e filmit në Shqipëri vijnë për të marrë pjesë dhe për t’u njohur nga afër me kinemanë shqiptare dhe botërore përmes “Leksioneve të kinemasë” dhe takimeve me aktorë dhe regjisorë të famshëm”. Në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, një kënd i veçantë i është kushtuar kinematografisë franceze. Sipas organizatorëve, edhe këtë vit jubilar pritet që festivalin ta nderojnë emra të mëdhenj të kinematografisë botërore. Ndonjë syresh edhe do të nderohet me çmimin e karrierës, të tjerë do të sjellin krijimtarinë dhe eksperiencën e tyre në botën e filmit. Nuk do të mungojnë edhe atributet për kinemanë shqiptare. Në mbrëmjen e çmimeve, bashkë me regjisorin e madh Milos Forman, do të nderohet me Çmimin e Karrierës aktori Nikolin Xhoja, në mungesë, si dhe aktorja Vera Urumi.
ALMA MILE
© Panorama.al











