Trajneri i Kombëtares provon një seri skemash me vetëm një “pykë”
Në mesfushë surpriza mund të jetë aktivizimi i G.Likës.
Luhet me një sulmues. Të paktën ky është perceptimi që ka dhënë dje trajneri i Kombëtares shqip-tare, Xhani de Biazi, në seancën stërvitore. Gjatë gjithë kohës ai ka bërë skema nga më të ndryshmet, ku në sulm ka luajtur një lojtar i vetëm, i mbështetur nga pesë mesfushorë. Edhe pse luajmë ndaj Qipros, një skuadër që teorikisht është më poshtë sesa skuadra jonë, përsëri De Biazi rreket që ta fitojë ndeshjen me mesfushën dhe jo duke parë vetëm nga sulmi. Ndërkohë veprimet e shpejta dhe pasime e sakta kanë qenë ajo që De Biazi ka kërkuar më së shumti nga lojtarët që ka grumbulluar. Kështu i ka nisur trajneri i përfaqësueses përgatitjet për dy ndeshjet e para të kualifikimeve për Botërorin 2014.
Risia – Ajo që binte më shumë në sy ishte fakti që në të gjitha skemat e vëna në zbatim nga italiani gjatë procesit stërvitor, skuadra jonë luante me vetëm një sulmues, duke lënë të kuptohet se ndryshe nga çka deklaruar De Biazi, se do të hedhë në fushë një skuadër sulmuese, me shumë gjasa Kombëtarja do të vijojë të këtë prioritet repartin e mbrojtjes. Pasi është kryer nxehja e nevojshme, e cila nisi me disa ushtrime aerobike, pasime të shkurtra me top dhe disa minuta në kuadrat, De Biazi e ndahu skuadrën në dysh. Berisha, Mavraj, Cana, Dallku, Lila, Bulku, Meha, Kukeli, Vila, Sadiku dhe Salihi, ishin lojtarët që nisën të vinin në zbatim skemat e italianit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës punuan në gjysmën tjetër të fushës, ku orientoheshin nga ndihmesat e teknikut kuqezi, për të ushtruar ushtrime të ndryshme, me dhe pa top. Gjatë gjithë seancës stërvitore të pasdites së djeshme, tekniku ka punuar vetëm me 11 futbollistë, ku emrave të mësipërm iu bashkuan Bogdani, G.Lika, Hyka dhe Januzi, ndërsa ajo që ra në sy ishte mospërfshirja në skemat e italianit të sulmuesit Edgar Çani, i cili gjatë gjithë kohës bënte pjesë në grupin e lojtarëve që drejtoheshin nga zëvendëstrajneri.
Formacioni – E gjithë vëmendja e teknikut të Kombëtares ishte përqendruar vetëm te skemat që kishte përgatitur për këtë seancë stërvitore. Mesa u pa dhe gjatë stërvitjes, De Biazi nuk ka asnjë dilemë për repartin e mbrojtjes, i cili përbëhej nga Cana, Dallku, Mavraj dhe Andi Lila. Këta të fundit, si për të qartësuar totalisht idetë e teknikut, nuk u zëvendësuan për asnjë moment dhe ishin të pranishëm në çdo skemë të italianit. Ndërsa mesfusha, me Mehën, Bulkun, Vilën dhe Kukelin (në disa skema u përfshi dhe G.Lika), e kënaqi De Biazin me veprimet dhe zbatimin me përpikëri të detyrave që u jepte tekniku. Gjithashtu, edhe në repartin e sulmit u provuan të gjithë sulmuesit, përveç Çanit. Salihi, Bogdani, Januzi dhe Sadiku zëvendësuan njëri-tjetrin. Vendin e Sadikut e zuri G.Lika, i cili u provua në të dy krahët e mesfushës nga De Biazi. Ndërsa disa minuta tekniku ka tentuar që skemat që lojtarët praktikuan pa kundërshtarë, t’i realizonin edhe në lojë përballë kundërshtarit, duke zhvilluar rreth 10 minuta lojë.
Kukeli/ Kombëtarja gjen pasardhësin e Lalës
Trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, ka mbetur i kënaqur nga forma që tregoi dje Burim Kukeli. 28-vjeçari është pozicionuar në prapavijë, përpara mbrojtjes, rol që për shumë vite i ishte besuar ish-kapitenit të Kombëtares, Altin Lala. Në të gjitha skemat e De Biazit, aksioni niste nga këmbët e tij dhe ishte po Kukeli që duhet të pasonte pasin final, detyrë që u zbatua më së miri nga gjakovari. Mesfushori i FC Zyrih tregoi se po kalon një formë të mirë dhe ka pohuar se do të jetë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën sapo t’i jepet mundësia. Lojtari nga Gjakova i kreu me perfeksion detyrat e ngarkuara nga tekniku.
Ja si mund të luajë
Në portë: Ujkani;
Në mbrojtje: Dallku, Cana, Mavraj, Andi Lila;
Në mesfushë: Kukeli, Bulku, Roshi, G.Lika, Meha;
Në sulm: Bogdani
LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











