Rritja e fondeve për shëndetësinë po thithet nga koncesionet PPP, që u dhanë për disa shërbime jothemelore, teksa gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro. Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin2024, ky raport u përkeqësua në vetëm 1,6%.
Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024, vetëm 20.6%. Ndërkohë fondet për PPP do të zënë mbi 9% të buxhetit të FDSDKH më 2023 nga 7% në vitin 2020.
Për shkak të fondeve të pakta në dispozicion të rimbursimit, Shqipëria renditet e fundit në Europë për qasje ndaj barnave të reja. Nga 169 produkte të reja të regjistruara në Europë nga 2018-2021, ne kemi të vlefshme për pacientin vetëm 9 produkte në listën e rimbursimit, të fundit në Europë.
*****
Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar gjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.
Treguesit zyrtarë referojnë se brenda buxhetit të shëndetësisë ka shpërndarje të deformuar të fondeve.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.
Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.
Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%.
Rritja e fondeve për shëndetësinë po thithet nga koncesionet PPP që u dhanë për disa shërbime jothemelore, të cilat janë në hetim për abuzime dhe deri tani ka disa të arrestuar.
P.sh., për koncesionin e shërbimeve laboratorike vitin që vjen janë planifikuar 1,85 miliardë lekë, ose 42% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratën fillestare. Gjithashtu kontrata e sterilizimit do të financohet vitin që vjen me 1,75 miliardë lekë, nga 1,2 miliardë që ishin parashikuar pagesat vjetore në kontratë.
Nevojat e popullsisë për medikamente po rriten së tepërmi prej përhapjes së sëmundjeve jo të transmetueshme dhe këtë e tregojnë edhe importet e barnave, të cilat u rritën me 70% nga viti 2013 më 2022.
Dr. Kliti Hoti, president i Shoqatës së Kompanive Farmaceutike Multinacionale tha se, hapësirat për rritje të mëtejshme të importeve në artikujt e farmaceutikës janë të larta, për shkak se shqiptarët kanë konsumin më të dobët për frymë të produkteve farmaceutike në raport me Europën dhe vendet e rajonit.
Ai tha se nga 169 produkte të reja të regjistruara nga 2018-2021, ne kemi të vlefshme për pacientin vetëm 9 produkte në listën e rimbursimit.
Të dhëna më të detajuara nga IQIVIA (një burim kërkimor për novacionin në shëndet) tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervore, etj., në raport me Europën dhe rajonin.
Po sipas IQIVIA nga 46 produkte të regjistruara dhe të vlefshme për pacientët në fushën e onkologjisë, Shqipëria ka regjistruar vetëm 3 të tilla. Për shkak të këtyre mungesave, qindra pacientë të prekur nga sëmundjet onkologjikë trajtohen jashtë vendit me shpenzime nga xhepi.
Rimbursimi mbulon vetëm 35% të konsumit të produkteve farmaceutike
Nga viti 2013 deri më 2022, importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rritën me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rritën me 3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare.
Vlera e importeve të produkteve farmaceutike ka ardhur në rritje të shpejtë nga viti në vit, sidomos pas pandemisë COVID-19, e cila ka rritur barrën e sëmundjeve në popullatë.
Vitin e kaluar, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetëror i rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022. Ky raport ishte më i përkeqësuar gjatë pandemisë Covid-19, ku më 2021, shqiptarët paguan nga xhepi me 64.5% të vlerës së produkteve farmaceutike.
Fondet e ulëta të rimbursimit kanë çuar konsumin e barnave drejt alternativave të lira që vijnë kryesisht nga Turqia, ndërkohë që përfaqësitë e kompanive shumëkombëshe janë tërhequr nga Shqipëria. Nga 13 të tilla që ishin para disa vitesh, tani janë vetëm 3.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj.
Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar.
Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.
Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.
Përfaqësuesit e tregut farmaceutik thonë se nevojat e popullsisë janë shumë më të larta se furnizimet aktuale. Por përvoja globale ka treguar se financimet publike dhe orientimi i tyre i drejtë i çon përpara sistemet shëndetësore dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet shëndetësore për popullatën.
Financimet e ulëta buxhetore bëhen shkak për rimbursim të ulët të medikamenteve inovative, që kurojnë sëmundje të tilla si kanceri dhe autoimunet.
Fondet buxhetore për rimbursimin e medikamenteve kanë qëndruar në nivelin 10-11 miliardë lekë për vite me radhë, edhe pse nevojat e popullatës në plakje janë në rritje.
Qëndrimi në vendnumëro i fondeve të rimbursimit mban gjithashtu tregun e barnave të pazhvilluar dhe e orienton ndaj produkteve më të lira.
Manovra ligjore për të ulur fondet për rimbursim
Ka të dhëna që nevojat për medikamente të popullatës janë shumë më të larta se kufijtë tavan që përcakton qeveria për rimbursimin e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të fundit në FSKDSH, evidentoi se, vendosja e tavaneve buxhetore në lidhje me këto shpenzime, si dhe mospërfshirja në listën e rimbursimit të gamës së nevojshme të medikamenteve jetësore dhe të kushtueshme ndikon negativisht nivelin shëndetësor të popullatës.
Rimbursimi i barnave në vitin 2022 u mbështet në një VKM të vitit 2021, që përcakton listën e barnave që rimbursohen nga FSDKSH dhe masën e mbulimit dhe çmimit të tyre.
Por një vendim tjetër i qeverisë në vitin 2022 uli çmimet referuese, të cilat janë më të ulëta se në vitin 2021, sipas listës së barnave nr. I dhe nr. II.
KLSH ka vërejtur se, ndryshimi i çmimeve të referencës, i cili është me ulje të tyre, pavarësisht se nuk ka ndryshuar masa e mbulimit të çmimit të barnave në përqindje, ka sjellë uljen e masës së rimbursimit në vlerë.
Kjo ka bërë që qytetarët që trajtohen me barnat të rimbursueshme të përdorin alternativa më pak cilësore.
Ky është rasti i fishave të diabetit, ku me vendim qeverie të prillit të vitit 2022, vlera e rimbursueshme e fishave të diabetit nga 19 lekë është bërë 14 lekë.
Të dhënat nga FSDKSH tregojnë se shpenzimet e rimbursimit të barnave në vitin 2022 kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë. Numri i pacientëve, të cilët kanë përfituar nga rimbursimi i barnave në vitin 2022, në krahasim me vitin 2021, është 8,954 më i ulët.
Të dhënat zyrtare të FSDKSH tregojnë se në vitin 2022, janë rimbursuar 400,825 pacientë dhe në vitin 2021 janë rimbursuar 409,779 pacientë. Analiza e të dhënave nga Fondi tregon se janë rritur rastet e reja të trajtuara me barna të rimbursueshme.
Gjithashtu ka pasur rritje të diagnozave si diabeti mellitus, hipertensioni esencial, aritmi kardiake, çrregullime mendore të lidhura dhe me periudhën post-COVID.
Këta faktorë kanë sjellë rritjen e numrit të recetave 4,334 raste, e për rrjedhojë edhe të vlerës mesatare të rimbursimit për recetë me 109 lekë më shumë.
Popullsia në plakje dhe pandemia COVID-19 kanë rritur barrën e sëmundjeve në popullatë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar janë shtuar 8603 raste të reja me sëmundje kronike dhe vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes së sëmundshmërisë dhe kompleksitetit të tyre u rrit me rreth 1,1 miliardë lekë vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit vuri në dyshim funksionin e Kontrollit bazë mjekësor Check-UP, i cili ka për qëllim të zbulojë dhe të parandalojë sëmundjet pa arritur në një fazë të avancuar.
Por përderisa shtrimet në spitale u rritën me 18,979 raste më shumë më 2022 dhe, rritja e vizitave ambulatore në Spitalet Universitare dhe Bashkiake me 123,354 raste më shumë etj., tregojnë se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultat konkrete.
Rimbursimi i pamjaftueshëm “vret”
Fondet e ulëta për rimbursimin e medikamenteve e kanë lënë Shqipërinë pa akses në barna të gjeneratës së fundit që trajtojnë sëmundje që rrezikojnë seriozisht jetën, të tilla si neoplazmat.
Një studim i IQVIA, që ka si objekt kërkimet në inovacionet mjekësore, tregoi janë shtuar 168 barna inovative me autorizim tregtimi midis 2018 dhe 2021 në Europë, por Shqipëria ka pranuar në listat e rimbursimit vetëm 9 prej tyre, referuar informacioneve deri në janar 2023.
Të dhënat e IQVIA tregojnë se Shqipëria ka pranuar në listën e rimbursimit vetëm 5% të terapive inovative që kanë hyrë në përdorim në vitet e fundit.
Nga 2018 deri më 2021 janë miratuar gjithsej 46 barna që trajtojnë sëmundjet onkologjike, por Shqipëria ka pranuar në listat e saj të rimbursimit vetëm 3 prej tyre.
Për të njëjtën periudhë, 61 barna të reja përdoren për trajtimin e sëmundjeve të rralla në Europë, ndërsa në Shqipëri janë përfshirë në listat e rimbursimit vetëm 2 prej tyre.
Kapacitetet e Shqipërisë për të përfshirë terapi të reja në listën e rimbursimit janë ulur dukshëm vitet e fundit. P.sh., gjatë vitit 2014-2017, Europa miratoi për përdorim 154 barna të reja, ndërsa Shqipëria pranoi në listat e rimbursimit 18 prej tyre.
Ndërsa nga 2018-2021, 168 terapi të reja hynë në përdorim në Europë ndërsa Shqipëria përfshiu në listën e rimbursimit vetëm 9 prej tyre.
Siç shihet, kapacitetet për përfshirjen e barnave të reja në listën e rimbursimit u përgjysmuan nga 2018-2021 në krahasim me 2014-2017, në një kohë që neoplazmat po rriten dhe Covid-19 ka përkeqësuar sëmundjet në popullsinë e gjerë.
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se, shtrimet në spital nga kanceri kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si për meshkujt, edhe femrat. Në periudhën 2015-2019, shtrimet u rritën me mbi 70%, tregojnë të dhënat zyrtare.
Prirja në rritje është shumë më e lartë se prirja e incidencës, e cila është rritur me vetëm 16%, çka demonstron rritjen e kontakteve vjetore me shërbimin spitalor për çdo rast të ri të diagnostikuar me kancer.
ISHP vë në dukje se duhet një ofertë më e madhe e shërbimeve shëndetësore lidhur me trajtimin e tumoreve, dhe një ndërgjegjësim më i madh i shoqërisë për këtë grup sëmundjesh.
Fondet e shëndetësisë gllabërohen nga Koncesionet PPP
Ndërkohë që fondi për rimbursimin medikamenteve mbetet në vendnumëro, financimet buxhetore për kontratat koncesionare në shëndetësi nga viti 2020 në programin e 2024 u rritën me 127%, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Në vitin 2024 janë programuar 5,4 miliardë lekë financime për të katër kontratat, kontrollin bazë, sterilizimin, laboratorin dhe dializën. Kostot e financimit për këto PPP dolën jashtë kontrollit vit pas viti, në një kohë që po rrezikohen edhe shërbimet spitalore për të cilat janë dhënë.
Gjatë vitit 2022, plani fillestar për PPP-Laboratorit është në shumën 1,574, mijë lekë, por është shtuar më tej gjatë vitit dhe rezulton në shumën 1,639 mijë lekë, ndërsa për vitin 2024 është planifikuar në 1,850 mijë lekë. E njëjta ecuri edhe për PPP-në e sterilizimit, e cila arriti në 1,75 miliardë lekë në vit nga 1,2 miliardë që ishte projektuar në kontratën fillestare
Në vitin 2020, financimi i kontratave PPP zinte 7% të buxhetit të FSDKSH, ndërsa më 2024, do të zënë 9.3%.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit vuri në dukje se përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi te subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.
Burimet në QSUT pohuan se shumë shpesh, në javën e fundit të muajit nuk autorizohen analiza rutinë, për shkak të përmbushjes së planit, por shpesh nuk kanë mundur të autorizohen as analizat e emergjencës. Analizat në shërbimin spitalor janë themelore për trajtimin e sëmundjeve më pas.
Kontratat koncesionare të shëndetësisë, ajo e kontrollit mjekësor bazë e njohur si “Check Up” dhe e dializës në vitin 2022 morën 1,2 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për shërbime të pakryera.
Shëndetësia nuk përfiton sa duhet nga rritja ekonomike
Të dhënat krahasuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për 42 vende europiane tregojnë se Shqipëria renditet e treta në Europë për shpenzimet më të ulëta buxhetore për shëndetësinë.
Mesatarisht shtetet europiane dhanë për financimin e shëndetësisë, 5.2% të PBB-së më 2021, ndërsa Shqipëria afërisht 3.3%, duke qenë ende poshtë mesatares.
Shtetet me shpenzimet më të larta publike në sektorin e shëndetësisë ishin Gjermania me 8.9%, Norvegjia me 8.7%, Danimarka me 8.4%, Franca me 8.3% dhe Britania me 7.9% të PBB-së.
Të dhëna të brendshme tregojnë se financimet e sektorit shëndetësor u zgjeruan ndër vite, nga 2.6% të PBB në vitin 2017 në 3.3% të PBB-së në 2021.
Rritja në përqindje të PBB-së vitet e fundit ka shkuar për financimin e katër kontratave koncesionare me Partneritet-Publik-Privat që operojnë në sektorin shëndetësor.
Në Shqipëri, shpenzimet totale për shëndetësinë (publike + nga xhepi) ishin 7.2% e PBB-së në vitin 2000 dhe më pas erdhën gjithnjë në rënie, duke zënë vetëm 5.3% të PBB-së në vitin 2021.
Kjo ecuri tregon se sistemi shëndetësor shqiptar ka përfituar më pak fonde nga rishpërndarja e rritjes ekonomike të vendit në dy dekadat e fundit.
Financimet e ulëta publike për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri lidhen me kapacitetet e dobëta fiskale të vendit. Para pandemisë, shpenzimet buxhetore në total ishin sa 29% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe më 2022 arritën mbi 323%.
Ky tregues në vitin 2018 ishte më i ulëti në Europë dhe vjen si rrjedhojë e aftësisë së ulët që vendi ka për të grumbulluar taksat dhe tatime në përqindje të larta të PBB-së.
Shqipëria mbledh të ardhura rreth 27% të PBB-së, e fundit në Europë. Për rrjedhojë fondet e posaçme për sektorin e shëndetësisë mbeten të kufizuara dhe më të ulëtat në Europë.
Krahasimet me shtetet europiane tregojnë se sa më i madh të jetë rendimenti fiskal (arkëtimet nga taksat në raport me PBB-në, aq më e madhe është hapësira për të shpenzuar nga fondet publike.
Për shembull, Franca e cila i ka shpenzimet buxhetore sa 55.9% e PBB-së saj gjithashtu ka financimet më të larta për shëndetësinë, sa 9% e PBB-së. Përgjithësisht, vendet e zhvilluara europiane shfaqin raporte të larta të shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në e për rrjedhojë dedikojnë më shumë fonde për shëndetësinë.
Finlanda i ka shpenzimet buxhetore sa 53.2% të PBB-së së saj, teksa financimet për shëndetësinë arrijnë në 7% të PBB-së.
Në të kundërt vendet më pak të zhvilluara të Europës ku kryeson Shqipëria, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Lituania, Turqia, Rumania, Bullgaria kanë kapacitete të ulëta buxhetore për të shpenzuar dhe për këtë arsye gjenerojnë më pak fonde për sektorin e shendetësisë./Monitor
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al