Brenda një viti, fondi ul për herë të tretë parashikimin e rritjes ekonomike
Ka rënë kërkesa e brendshme dhe dërgesat e emigrantëve
Fondi Monetar Ndërkombëtar është institucioni ndërkombëtar i radhës që ka “nxirë” shpresën e qeverisë për një rritje ekonomike mbi 4.3 për qind për vitin 2012. Në parashikimet e fundit që ky institucion ka bërë për ekonominë globale në përgjithësi dhe veç e veç për të gjitha vendet, për Shqipërinë parashikohet që rritja e GDP-së këtë vit të jetë jo më shumë se 0.5 për qind. Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, në një media të shkruar në vend ka argumentuar këtë parashikim të ulët duke iu referuar raportit të plotë që pritet të dalë këto ditë për ekonominë globale. “Kriza europiane po jep ndikim negativ mbi ekonominë shqiptare. Rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2011 pritet të jetë më e ulët se ajo e parashikuar më parë, duke ngadalësuar në 1.1 për qind, krahasuar me parashikimin prej 2.5% në publikimin e shtatorit 2011 të WEO-s. Për më tepër, rritja në vitin 2012 është parashikuar të ngadalësohet më tej në 0.5%, krahasuar me parashikimin e shtatorit 2011 prej 3.5 për qind”, shprehet Bell. Disa nga faktorët kyçë që pritet të japin efektin negativ në ekonominë shqiptare, janë pa dyshim kërkesa e dobët e brendshme dhe e jashtme. Situata në fakt është e tillë, ku dy prej fqinjëve kryesorë të vendit tanë janë në krizë. Ndërkaq, kriza në eurozonë vështirëson edhe më tepër situatën, pasi shumica e shkëmbimeve tregtare të vendit tonë bëhet me vendet e BE-së. Nga ana tjetër, janë pikërisht këto destinacione ato që mbajnë emigrantët, të cilët kanë pasur një peshë të madhe në balancimin e llogarisë korrente përmes remitancave. “Në Shqipëri, kërkesa e brendshme pritet të mbetet e dobët, çka pasqyron rënien e dërgesave të emigrantëve, hapësirën e kufizuar fiskale dhe një kreditim më të matur nga bankat, të cilat janë duke rregulluar bilancet e tyre”, vlerëson FMN. Ajo që propozohet për të kaluar këtë situatë nga ana e Fondit, është një refren i përsëritur edhe më herët për vendosjen e një rregulli fiskal të qartë, i cili do të ulë borxhin publik. Ky borxh është cilësuar shpesh si një rrezik në rritje për vendin tonë, pasi në kohë të tillë krizash, vendet me borxh të lartë kanë risqe të theksuara. Qeverisë gjithashtu i propozohet të ndërmarrë reforma strukturore, të cilat do t’i shërbejnë përmirësimit të klimës së biznesit, sidomos në aspektin e zbatimit të kontratave dhe të drejtave të pronësisë.
Fullani: është koha të përfitojmë nga kriza
Guvernatori Fullani
“Kapitalet zhvendosen drejt tregjeve që ofrojnë fitime të larta mbi investimin” Kriza ndërkombëtare jo domosmedoshmërisht mund të “stopojë” një vend që të rritet ekonomikisht dhe të zhvillohet. Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në kohë krize nëse investon dhe ndërhyn në sektorët e duhur, mund edhe të kesh përfitime të larta. Në një takim rajonal të zhvilluar në qytetin e Fierit, kreu i Bankës së Shqipërisë u shpreh se janë një sërë aspektesh të rëndësishme që ky institucion ka identifikuar, mbi të cilat vlerëson se duhet të orientohet puna në vijim për të mbështetur ekonominë. Kështu, sipas Fullanit, Shqipëria paraqet një sërë avantazhesh konkurruese duke filluar nga krahu i lirë i punës. Për këtë ai iu referua situatës së krijuar vitin e kaluar gjatë “Pranverës Arabe”, ku një pjesë e mirë e industrisë së fasonit në vendin tonë përfitoi nga kaosi i këtyre vendeve. “Ajo që shikoj si një avantazh krahasues të ekonomisë sonë në raport me ekonomitë e shumë prej vendeve që tradicionalisht kryejnë përpunimin aktiv të materialeve të porositësit (industria e fasonit), është ende krahu i lirë i punës. Ajo që duhet të bëjmë, është të kualifikojmë fuqinë punëtore të këtyre sektorëve, me qëllim rritjen e produktivitetit”, tha Fullani. Sipas kreut të BSH-së, një tjetër aspekt ku duhet të përqendrohet vëmendja, është edhe thithja e kapitaleve më të mëdha, duke vlerësuar se investitorët shkojnë aty ku fitimi është më i lartë. “Është një fakt tashmë i njohur se teknologjia dhe kapitali financiar tentojnë të lëvizin drejt sektorëve, drejt degëve dhe drejt vendeve, të cilat ofrojnë të ardhura më të larta mbi investimin. Në opinionin tim personal, por edhe sipas një analize të detajuar të ekonomisë shqiptare, Shqipëria e ofron gjithnjë e më shumë një destinacion të tillë”, u shpreh guvernatori. Pika tjetër ku u ndal ai, ishte ajo lidhur me rritjen e prodhimit në vend, duke fituar kështu avantazh mbi importin. Për një sërë sektorësh të rëndësishëm, ai vlerësoi se është e nevojshme që t’u sigurohet mbështetje. Në këtë plan vjen si detyrim organizimi i skemave të financimit. “Ndoshta është momenti që të shihet me përparësi edhe organizimi i skemave financuese për mbështetjen e sektorëve të prodhimit të mallrave të tregtueshme. Më konkretisht e kam fjalën për institucione financiare zhvillimi në mbështetje të sektorëve të bujqësisë, industrisë së agrobiznesit, industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese, ku ekonomia jonë ofron avantazhe konkurruese”, tha Fullani.
Në Twitter: Rama: Parashikuam rënien si FMN-ja
Kreu i PS, Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama reagoi menjëherë dje sapo u njoh me parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike për këtë vit. Në adresën e tij në Twitter, Rama u shpreh se “vetëkorrigjimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen ekonomike këtë vit provon qartësinë e parashikimit të bërë nga Partia Socialiste”. Sipas tij “është miopia qeveritare ajo që do të thellojë krizën”. Duke vazhduar komentet e tij në Twitter, Rama u shpreh se, “Parashikimi euforik i Këshillit të Ministrave për rritjen ekonomike është një bumerang i vërtetë për ekonominë këtë vit! Makthi elektoral i tij po rrënon themelet e ekonomisë. Vetëm programi ynë i ri ekonomik dhe një qeveri e re socialiste mund ta kthejnë timonin e anijes! Saliu si kapiteni i kroçerës së mbytur”.