FMN: Kujdes me borxhin dhe buxhetin!

Jun 21, 2011 | 10:31

Në kohën kur qeveria është me “gërshërët” në dorë për të bërë ndryshimet drastike në buxhet, ka mbërritur në Tiranë FMN-ja, me përfaqësuesin e saj, Gerwin Bell.Ai ka zhvilluar dje një takim me dyer të mbyllura me deputetët e Komisionit të Ekonomisë, ku, për çudi, ishte e pranishme vetëm maxhoranca. Mësohet se FMN-ja do të zhvillojë një takim tjetër sot me deputetët e opozitës, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë. Përçarja politike duket se e ka detyruar edhe FMN-në të përshtatet me këtë ndarje, duke e takuar secilën nga palët më vete. Ndërkaq, nga biseda e djeshme e deputetëve dhe z. Bell mësohet që në fokus kanë qenë ndryshimet në buxhet në favor të uljes së deficitit që ka kapur nivele rekord. Në nëntor Gerwin Bell e këshilloi qeverinë që gjatë vitit 2011 ta mbante deficitin në nivelin 2.5 për qind të GDP-së, ndërkohë që të dhënat reale të fundit tregojnë shifra shumë më të larta sesa ajo e këshilluar. Treguesit fiskalë të 5-mujorit, të publikuar nga Ministria e Financave, tregonin një deficit 200 milionë dollarë, rreth 120 milionë dollarë më të lartë sesa ai i një viti më parë, për të njëjtën periudhë kohe. Borxhi publik, i cili u përkufizua me fjalën “i rrezikshëm” nga FMN-ja herën e fundit që ishte e pranishme këtu në nëntor të vitit të kaluar, mësohet të jetë përsëritur në Komisionin e Ekonomisë. Më shumë se sa interesi për ecurinë ekonomike apo këshillat se si të ulet borxhi, Fondi Monetar Ndërkombëtar këtë herë ka dashur të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje do t’i japë vetë Shqipëria uljes së borxhit, i cili duket se ka mbetur në vend dhe mbi të nuk po aplikohet asnjë formulë.
Pak kohë më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipëria do të mbajë nivelin e borxhit 59 për qind deri në vitin 2013, ndërkohë që kuadri makrofiskal 2012-2014 parashikon tjetër formulë për uljen e borxhit në mënyrë graduale. Gjithë këto mospërputhje duket se e kanë vënë qeverinë para një situate të vështirë, ku nga njëra anë i duhet të ulë borxhin, por, nga ana tjetër, shpenzimet në vitin elektoral ishin të jashtëzakonshme dhe jo prej investimeve. Ndryshimet në buxhet kanë qenë një tjetër pikë diskutimi të komentuara në Komisionin e Ekonomisë me FMN-në. Bell mësohet të ketë këshilluar që ndryshimet të bëhen në kahun pozitiv për të ruajtur stabilitetin, duke nënkuptuar shpenzime shumë të shkurtuara. Qeveria, nga ana tjetër, mësohet se parashikon të shkurtojë shpenzimet në masën 5-10 për qind dhe ashtu si një vit më parë, të gjithë prokurimet e pazhvilluara të institucioneve do të ngrijnë deri në një moment të dytë. FMN-ja, gjatë gjithë vizitave të saj të fundit në Shqipëri, kur është folur për buxhetin, e ka vënë theksin gjithmonë mbi faktin që ai duhet të jetë realist, sidomos parashikimi i rritjes së të ardhurave, i cili ndikon direkt edhe te treguesit e tjerë. Takimi i FMN-së në Komisionin e Ekonomisë është mbyllur pas rreth një ore dhe nesër takimi do të zhvillohet në Ministrinë e Financave.

59.2 per qind
të GDP-së e ka parashikuar buxheti i këtij viti borxhin publik, por kuadri makrofiskal 2012-2014 parashikon që në vitin 2012 borxhi të fillojë të ulet sipas formulës së miratuar dhe të arrijë 58.7 të GDP-së, ndërsa për vitin 2013 ky borxh është parashikuar të ulet në 58.1 për qind. Pra, diferenca në shifra mes deklaratës së Kryeministrit dhe kuadrit në fuqi është plot 1 për qind e GDP-së

Dy rregulla për uljen e  borxhit

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë vullnetar herë pas here për t’i sugjeruar Shqipërisë një formulë që do të ulë nivelin e lartë të borxhit publik. Alternativa e parë që ka propozuar fillimisht FMN-ja lidhej me zgjerimin e bazës së taksave, e cila, sigurisht, do të kishte kontribut në nivelin e të ardhurave që shkojnë në arkën e shtetit, kurse formula e dytë është ajo e shpenzimeve të reduktuara. Duket se qeveria është përpjekur t’i bëjë të dyja, por nuk ka pasur vullneti t’i çojë deri në fund. E para, lidhur me shtimin e bazës së taksave janë bërë ndryshime vetëm te një pjesë e vogël, por tentativa për të shtuar një taksë progresive mbi fitimin e biznesit u la mënjanë pas debatit që u hap. Ndërkaq, lidhur me shpenzimet, janë limituar ato kapitale, por janë shtuar mjaft ato korrente dhe operative.

© Panorama.al

Te lidhura